Ka thënë Imam Bezazij Hanefi në “Fetaua bezazije” botimi i tretë (4/349):
Imam Nesefiu (Allahu e mëshiroftë!) në librin “Sherh Kenz” ka thënë se Profeti (salAllahu alejhi we selem) ka thënë: “Çdo argëtim që bën biri i Ademit është i padobishëm, përveç tri gjërave: argëtimi me gruan, mësimi i kalit dhe hedhja e shtizës.” Ky është një tekst i qartë rreth ndalueshmërisë së kërcimit të cilin sufitë e quajnë sema (këndimi i dhikrit, poezive, me vegla muzikore), padyshim se kjo është një sema e cila ka në të prishje (në këtë botë) dhe dënim në botën tjetër.
Ndërsa Imam Tahavi (Allahu e mëshiroftë!) në hashijen e tij rreth librit “Al Marraki” (2/311) ka thënë: “Ndërsa kërcimi, ulërimat dhe rënia e veglave si paftat e teneqesë (dajre), fyellit, të cilave i bien disa të ashtuquajtur sufi, padyshim se ajo është e ndaluar me ixhma (unanimisht), sepse ato janë sjellje të jobesimtarëve.”
Ndërsa në “Jetijme” ka thënë: Është pyetur Haluani për ata që quhen sufi, të cilët dallojnë me veshjen dhe që janë angazhuar me kërcime e këngë e të cilët pretendojnë se kanë pozitë! Ai tha: “A mos po gënjejnë në emër të Allahut, apo janë të xhindosur?”
Në “Tuhfetu el Muluk” nën titullin “Sjelljet e sufive” (1/284) thuhet: “Duhet të ndalohen sufitë të cilët pretendojnë se kanë arritur uexhdin [5] dhe dashurinë, nga ngritja e zërit, shqyerja e rrobave dhe dëgjimi i muzikës (sufiste), sepse një gjë e tillë është e ndaluar gjatë leximit të Kur’anit, e ç’mund të thuash për dëgjimin e muzikës i cili është i ndaluar e sidomos në këtë kohë?!”
Po ashtu Imam Bedrudin Ajni Hanefi (Allahu e mëshiroftë!) në librin “Umdetul Kari” (21/401) ka thënë: “Dhe (në emër të ghina-s…) këta sufi injorantë kanë trilluar bidate (risi). Ata nuk janë të besueshëm, nëse ju do të hulumtoni thëniet e tyre dhe të shikoni praktikat e tyre, padyshim do të gjeni shenjat e jomuslimanëve dhe zindikëve.”
Imami Muhamed Alau Din Hasfaki Hanefi (Allahu e mëshiroftë!) në librin “Dur el Mukhtar” (4/446) ka shkruar: “Kushdo që mendon që raksi (vallëzim ritmik) është hallall është kafir, veçanërisht ata të cilët vallëzojnë me të dhe bëjnë muzikë.”
Imam Shihabudin Mahmud bin Abdullah Alusi (Allahu e mëshiroftë!) në librin e tij “Rruhul Meani” ka thënë: “Nga semaja (këndimi) e ndaluar është dhe semaja e sufive në kohët e sotme edhe nëse ajo është pa vallëzim (ritmik), sepse dëmet e saj janë më të shumta në numër se të përmenden këtu. Shumë prej atyre që ata i quajnë poezi, janë nga gjërat më të neveritshme që lexohen, e përtej kësaj ata besojnë se ato i afrojnë tek Allahu dhe pretendojnë se më i apasionuari pas tyre është ai i cili e ka më të theksuar frikën dhe shpresën. I vraftë Zoti, për gënjeshtrat që thonë!” (“Ruh El Mani”, vëll. 11 fq. 74.)
Po ky imam (Allahu e mëshiroftë!) në një faqe para kësaj ka thënë: “Profeti (salAllahu alejhi we selem) i ka mallkuar ato gra që i përngjajnë burrave dhe ata burra që i përngjajnë grave. Kushdo i cili i frikësohet Allahut dhe ka kuptuar diçka prej madhështisë së tij, nuk mund të imagjinohet që ai të kërcejë e t’i duartrokasë duarve (kur krijojnë tinguj dhe melodi), sepse këto nuk i kryen vetëm se një injorant. Argument për injorancën e tyre është fakti se Sheriati nuk ka ardhur me diçka të tillë as në Kur’an e as në Sunnet, madje atë nuk e ka kryer asnjë Profet dhe askush nga pasuesit e vërtetë të tyre, përkundrazi atë e kryejnë injorantët dhe të mangëtit, të cilëve u është përzier e vërteta me dyshime, ndërkohë që Allahu thotë: “Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje.” (En-Nahl: 89)
Kanë shkuar selefët (të parët tanë të mirë) dhe brezat e fundit të nderuar e nuk kanë kryer një gjë të tillë, prandaj kjo nuk është tjetër vetëm se tekë e vetes dhe kurrsesi nuk është vepër që të afron te Zoti i botëve. Vepruesi i saj nëse është prej atyre që merren si shembull dhe beson se ai nuk e kryen një gjë të tillë vetëm se është vepër e mirë, nuk ka dyshim se ajo që ka kryer është shumë e shëmtuar, sepse ai i çon njerëzit që ta marrin atë si adhurim, ndërkohë që ajo nuk është vetëm se çmenduri”. 11/73