Ebu Abass el Kurtubi (Allahu e mëshiroftë!) autori i librit “El Mufhim fi Sheril Muslim” ka thënë rreth këngëve sufiste: “Ndërsa në lidhje me atë se ç’kanë shpikur sufitë (prej këngëve), nuk ka kundërshti rreth ndalueshmërisë së saj, por shpirtrat e dhënë pas dëshirave të shfrenuara kanë mbizotëruar mbi shumë njerëz të cilët mbahen për të mirë, aq sa ka ndodhur që disa prej tyre të bëjnë veprime prej të çmendurish dhe fëmijësh, të cilët kërcejnë dhe lëvizin sa andej këndej, e ku fundi i pafytyrësisë së të cilëve arriti deri aty saqë e konsideruan atë prej veprave të mira dhe fryt i pozitave të larta. Por në të vërtetë kjo nuk është vetëm se gjurmë e devijimit (jofetarisë) dhe thënie e atyre që i ka marrë koka erë, Zoti na ruajttë!” (Fethul Bari (2/442))
Kadi Ebu Bekër Tartush (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: “Çfarë thotë fakihu (gjykatësi) ynë për sufitë të cilët mblidhen për të përkujtuar Allahun dhe të dërguarin Muhamed (salAllahu alejhi we selem), më pas këndojnë poezi duke i rënë lëkurave (dajres/defit) me shkopa, ndërkohë që disa të tjerë çohen dhe kërcejnë, e rrotullohen derisa vilanosen e më pas ulen për të ngrënë. A lejohet prezantimi me ta apo jo?”
Allahu ju mëshiroftë: “Rruga e tyre është dembelizëm, injorancë dhe devijim, sepse Islami nuk është gjë tjetër veç Kur’anit dhe Sunnetit të të Dërguarit të Tij (salAllahu alejhi we selem). Ndërsa kërcimin dhe rrotullimin të parët që e shpikën ishin pasuesit e Samiriut (hebre nga populli i Musait) i cili kur u ndërtoi viçin nga ari filluan të kërcenin rreth tij e të vinin përqark (rrotulloheshin). Kështu pra ajo është feja e jomuslimanëve, adhuruesve të viçit.
Ndërsa meloditë me shkopinj të parët që e sollën ishin zenadikat (të devijuarit/të pafetë), në mënyrë që t’i largonin njerëzit nga libri i Allahut, ndërkohë që Profeti (salAllahu alejhi we selem), dhe shokët e tij qëndronin (gjatë adhurimit) sikur mbi koka të kishin zogj të përulur dhe nënshtruar. Kërkohet nga sulltani dhe ndihmësit e tij që t’i pengojë të prezantojnë (për të kryer këto rituale) në xhami apo gjetkë, madje nuk lejohet për askënd që beson Allahun dhe Ditën e Gjykimit që të prezantojë me ta…”.
Ndërsa në librin “Ndalimi i këngëve (me muzikë)” ka thënë: “Jemi informuar se një grup njerëzish prej vëllezërve tanë (Allahu na udhëzoftë ne dhe ata!), i ka devijuar shejtani dhe epshi duke nxitur tek ata dashurinë për këngët (me muzikë) dhe dëgjimin e melodive, duke besuar se ajo është prej fesë dhe se i afron tek Allahu i Lartësuar. Një grup muslimanësh (sufitë), e kanë bërë këtë publike dhe me të kanë devijuar nga rruga e besimtarëve, si dhe kanë kundërshtuar dijetarët, fukahatë dhe bartësit e fesë.”
Këdo që e kundërshton të Dërguarin, pasi i është dhënë udhëzimi dhe ndjek rrugë tjetër nga ajo e besimtarëve, Ne e lëmë të ecë andej nga është nisur dhe do ta përcëllojmë në zjarrin e Xhehenemit. Eh, sa vendbanim i keq që është ai!” (En-Nisa: 115)
Është pyetur Imam Malik se çfarë lejohet nga këngët te banorët e Medines? Ai ka thënë: “Atë tek ne e bëjnë të prishurit.” Dhe ka ndaluar të kënduarit dhe dëgjimin e tyre.
Ndërsa Ebu Hanife i urren këngët (me ritëm dhe muzikë) dhe e ka konsideruar atë prej gjynaheve, madje ky është medhhebi i dijetarëve të Kufes (qytet i Irakut), Sufjan Theurit, Hamad ibn Seleme, Ibrahim Nekhai dhe Shabiut. Nuk dimë që të ketë kundërshtim mes tyre rret kësaj, madje nuk dimë që të ketë kundërshtim edhe mes dijetarëve të Basras rreth urryeshmërisë dhe ndalimit prej saj.
Sa i përket Shafiut, ai në librin “Kada” ka thënë: “Këngët janë zbavitje (argëtim) i urryer, ai përngjason me të kotën. Madje Shafiu i urrente edhe meloditë me shkopa duke pohuar se ajo është sajesë e zindikëve (të pafeve) me të cilën shpërqendrojnë muslimanët nga Kur‘ani. Ky grup (sufitë), janë në kundërshtim me bashkësinë islame, sepse ata i kanë bërë këngët fe duke i shfaqur ato edhe në xhami”. (El Madkhal: (3/100))