Në dy Sahih-ët është rrëfimi prej Nafiut, i cili përcjell prej Ibn Omerit se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Pa dyshim, zjarrmia ose temperatura e lartë vjen prej një afshi të nxehtë që çliron Xhehenemi, prandaj ftoheni atë me ujë.” [1] Për shumë mjekë dritëshkurtër ky hadith duket problematik dhe në kundërshtim me mënyrën e mjekimit dhe shërimit të temperaturës së lartë. Me ndihmën e Allahut të Lartësuar, ne do të mundohemi ta shpjegojmë me imtësi këtë hadith.
Thëniet dhe porositë e Profetit (alejhi selam), në aspektin se kujt i drejtohen, janë dy llojesh:
- Porosi gjithëpërfshirëse, që u drejtohen të gjithë banorëve të tokës, sikurse janë kryesisht të gjitha porositë e tij.
- Porosi të posaçme që u drejtohen vetëm një kategorie të caktuar njerëzish, sikurse është rasti me hadithin: “Mos u ktheni drejt Kiblës për të kryer nevojën apo për të urinuar dhe as mos i ktheni shpinën asaj (në të tilla raste), por kthehuni drejt Lindjes ose drejt Perëndimit.” [2] Ky urdhër, siç kuptohet, nuk është për banorët e lindjes dhe të perëndimit apo për banorët e Irakut. Ai vlen vetëm për banorët e Medinës dhe për ata që janë në kahun e saj, përkundrejt Kiblës. Po kështu kuptohet edhe fjala e tij në hadithin tjetër: “Kibla është mes Lindjes dhe Perëndimit.” [3]
Nëse kjo kuptohet qartë, atëherë mund të themi se hadithi në fjalë (për ethet) u drejtohet banorëve të Hixhazit (Arabia Perëndimore), zjarrmia e të cilëve kryesisht shkaktohet nga nxehtësia e diellit. Kësaj lloj zjarrmie i bën dobi uji i ftohtë, duke e pirë apo duke bërë banjë me të. Ethet shkaktojnë rritje të temperaturës në trup, e cila nis së pari në zemër dhe shpërndahet prej saj nëpërmjet enëve të gjakut dhe shpirtit, duke dëmtuar kështu funksionimin normal të trupit.
Ka dy lloje zjarrmie: ajo afatshkurtër, që shkaktohet nga tumoret, goditja e diellit, lëvizjet e tepërta ose nga vapa përvëluese, dhe lloji tjetër që shkaktohet nga ndonjë sëmundje, e cila zakonisht nis nga një organ dhe pastaj nxeh tërë trupin.
Kur zjarrmia është e llojit të parë, ajo zgjat nga një deri në tri ditë. Nëse ajo është pasojë e përzierjeve të dëmshme, quhet zjarrmi toksike ose septike, e cila më tej shfaqet në katër forma: vrerike (prej vrerit të verdhë), melankolike (prej vrerit të zi), flegmatike (prej këlbazës) dhe sanguine (prej gjakut). Kur zjarrmia buron prej organeve kryesore të trupit, ajo quhet ‘zjarrmi e ashpër, përcëlluese’, e cila gjithashtu paraqitet në disa forma.
Në fakt, trupi përfiton prej etheve më shumë sesa nga marrja e ilaçeve. Kjo ndodh sepse temperatura nxeh dhe pjek disa substanca të dëmshme, gjë që nuk mund të ndodhë ndryshe. Përveç kësaj, temperatura liron disa bllokime, sidomos ato që nuk arrin t’i bëjë mjekësia.
Për sa i përket infektimit të thjeshtë dhe kronik të syrit (konjuktivitis), zjarrmia ndihmon në kurimin e shpejtë të shumë llojeve të tij, po ashtu siç ndihmon kundra paralizës faciale, hemiplegjisë (paralizës që prek vetëm njërën anë të trupit), spazmave dhe kundra shumë sëmundjeve që shkaktohen nga substanca veshtullore ose teprica substancash.
Disa nga mjekët më të zotë ndihen disi të çliruar kur një trup të sëmurë e kaplojnë ethet, ashtu si një i sëmurë gëzohet kur merr veten nga sëmundja. Arsyeja është se zjarrmia është më efikase sesa barnat në disa raste, pasi ajo pjek disa substanca të prishura dhe septike që dëmtojnë trupin. Kur substanca të tilla arrijnë pjekurinë, ato ‘kapen’ nga ilaçi, dhe kështu janë gati të dalin nga trupi. Në këtë mënyrë, ethet bëhen pjesë e kurimit.
Mbështetur në këto fakte, duket se hadithi flet për zjarrminë afatshkurtër, e cila shuhet duke e larë trupin me ujë të ftohtë ose duke e pirë atë. Pas kësaj, nuk ka nevojë për asnjë ilaç tjetër, sepse kjo lloj zjarrmie përbëhet nga nxehtësia që është e lidhur me shpirtin. Kur përdoret një lëndë e ftohtë, nxehtësia e prodhuar nga ethet asgjësohet, pa u dashur që të nxirret nga trupi ndonjë përzierje substancash ose që të pritet për pjekjen e tyre.
Galeni një mjek mjaft i shquar (në Greqinë e lashtë), e ka pranuar që uji i ftohtë ndihmon në kapërcimin e këtij lloji të etheve. Në librin e tij Metodat e shërimit, ai thotë: “Nëse një djalë i ri dhe i shëndetshëm, që nuk vuan nga ndonjë tumor i brendshëm, bën banjë ose zhytet në ujë të ftohtë atëherë kur ditët janë mjaft të nxehta, ai do të përfitojë prej kësaj…”. Ai thotë, gjithashtu, se e ka dhënë këtë këshillë mbi rregulla të caktuara.
Gjithashtu, El-Razi, në librin e tij El Kebir, thotë: “Nëse fuqia fizike është normale, por zjarrmia është tepër e ashpër dhe maturimi (i substancave të dëmshme) është i dukshëm, kur i sëmuri nuk vuan nga ndonjë tumor i brendshëm ose nga ndonjë lloj thyerjeje a këputjeje, atëherë pirja e ujit të ftohtë i bën mirë atij. Nëse i sëmuri është i shëndoshë (në peshë), nëse moti është i nxehtë dhe personi është mësuar me banjë të ftohtë, le ta bëjë atë.”
[1] Buhariu vëll. 10, 146; Muslimi, nr. 2209.
[2] Buhariu, vëll. 1, 418; Muslimi, nr. 264.
[3] Tirmidhiu, nr. 344; Ibn Maxhe, nr. 1011; El Hakimi, vëll. 1, 205-206; Bejhakiu vëll. 2, 9; të gjithë prej Ebu Hurejrës. Ky hadith, duke marrë në konsideratë rrugët e ndryshme të transmetimit të tij, është i gradës sahih.