Ibn Umeri (radijAllahu anhu) thotë: Kam degjuar Pejgamberin (alejhi selam) duke rrëfyer: “Tre veta nga popujt para jush u nisën në një udhëtim, nata i zuri tek një shpellë dhe hynë në të për t’u strehuar. Ndërkaq ra një shkëmb nga mali dhe u bllokoi grykën e shpellës. [1] Atëherë, i thanë njëri-tjetrit: [2] nuk ju shpëton gjë tjetër nga kjo shpellë vetëm nëse do t’i luteni Allahut me punët e mira që keni bërë. [3]
Kështu, njëri prej tyre tha: O Allah! Si rrespekt ndaj prindërve që i kisha të moshuar [4], nuk i jepja qumësht për të pirë as familjes dhe askujt tjetri para tyre, por një ditë u lagova shumë duke kullotur bagëtitë dhe nuk arrita t’i kthej në vathe veçse pasi kishin fjetur. Sa po arrita mola qumshtin që do ua jepja atyre për të pirë, por i gjeta të fjetur. Dhe ngaqë nuk më pëlqente t’i jepja për të pirë familjes a ndokujt tjetër para tyre, vazhdova të qëndroja me gotën e qumshtit në dorë, duke pritur zgjimin e tyre, derisa shndriti agimi, (disa transmetues ka shtuar: ndërkohë që fëmijët ulërinin duke qarë nga uria te këmbët e mia). Kështu, u zgjuan dhe pinë qumshtin e mjelur për ta që në mbrëmje. O Allah! Nëse e kam bërë këtë punë për Hir të Fytyrës Tënde [5], hiqe këtë shkëmb që na ka bllokuar daljen nga gryka e kësaj shpelle. U hap disi (dalja e shpellës), por nuk mundeshin të dilnin.
Tjetri tha: O Allah kam patur një vajzë xhaxhai, e cila ishte njeriu më i dashur tek unë, kërkova ta joshja për marrëdhënie të paligjshme me të, por ajo refuzoi. Derisa kur e goditi zia dhe mjerimi i një thatësire, erdhi për të kërkuar dhe unë i dhashë njëqind e njëzet dinarë (monedha floriri) me kusht që të më linte të kryeja mërrëdhënie intime me të. Ajo pranoi dhe kur m’u dha mundësia për marrëdhënie me të, ajo tha: nuk ta lejoj ta hapësh unazën përveçse ashtu siç është e drejta e saj. [6] Atëherë, nga frika prej pasojave të gjynahut e përmbajta veten prej marrëdhënieve, edhe pse e kisha tepër të vështirë. Kështu, u largova prej saj, megjithëse ajo ishte njeriu më i dashur për mua dhe ia lashë floririn që i dhashë. [7] O Allah! Nëse e kam bërë këtë punë për Hir të Fytyrës Tënde, na e hap grykën e kësaj shpelle. U hap sërish pak shkëmbi, por prap nuk mundeshin të dilnin nga shpella.
I treti tha: O Allah! Kam pajtuar disa punëtorë dhe pasi bënë punën i dhashë çdo njërit pagën e tij përveç një burri, i cili e la hakun e punës dhe shkoi. [8] Unë e investova pagën e tij dhe prej saj u bënë shumë pasuri. Pas një kohe ai erdhi dhe më tha: –O rob i Allahut, më jep pagën time! I thashë: çdo gjë që shikon janë paga jote; devetë, lopët, bagëtitë dhe skllevërit! –O rob i Allahut mos u tall me mua!, – ma priti. – Nuk po tallem me ty!, – i thashë, – por merri. Kështu, i mori të gjitha dhe nuk la asgjë. O Allah! Nëse e kam bërë këtë punë për Hir të Fytyrës Tënde, na e hap grykën e kësaj shpelle. Shkëmbi u hoq nga gryka e shpellës dhe dolën duke ecur.
Shënon: Buhariu dhe Muslimi. Hadithi është përmendur i plotë edhe në kapitullin e sinqeritetit.
Sipas një rivajeti tjetër të Buhariut vjen:
“Tre veta që po ecnin bashkërisht, i kapi shiu dhe u strehuan në shpellën e malit që ishte aty, ndërkaq në grykë të shpellës zbret një shkëmb nga mali dhe i bllokon plotësisht. Atëherë, i thanë njëri-tjetrit: “Shikoni punët më të mira që i keni bërë për Hir të Allahut të Lartësuar dhe lutuni Atij me to, se ndoshta ua shbllokon grykën e shpellës. Kështu, njëri prej tyre tha: O Allah! Ngaqë prindërit i kisha të moshuar dhe fëmijët të vegjël, ruaja bagëtitë për t’i ushqyer. Kur kthehesha, milja bagëtitë dhe filloja e u jepja për të pirë prindërve para fëmijëve.
Por një ditë u lagova shumë duke kullotur bagëtitë dhe nuk arrita të vij derisa më zuri nata. Prindërit i gjeta në gjumë, mola qumështin siç bëja zakonisht, solla qumështin dhe fillova të qëndroj në këmbë tek këmbët e tyre, nuk më pëlqente t’i zgjoja nga gjumi [9] por gjithashtu nuk më pëlqente edhe të filloja me fëmijët para tyre, ndërkohë fëmijët ulërinin nga urija tek këmbët e mija. Kështu vazhdova unë dhe ata derisa u shfaq agimi. (O Allah!) Nëse e kam bërë këtë punë për Hir të Fytyrës Tënde, na hap një kalim që të shikojmë prej saj qiellin. Kësisoj, Allahu i Lartësuar ua hapi grykën e shpellës aq sa për të shikuar qiellin prej aty ku ishin”.
[1] Sipas variantit që ka rrëfyer Nu’man Ibn Beshiri vjen: “Ndërkohë nga mali rrëshqiti një gurë; prej atyre që bien nga frika prej Allahut”.
[2] Në rrëfimin e Nu’man Ibn Beshirit vjen: “ju nuk mund të gjeni gjë më të mirë për të shpëtuar se sa që t’i lutet Allahut çdo njëri me punën më të mirë që ka bërë”. Në rrëfimit e Aliut vjen: “Mendohuni për punët më të mira dhe lutuni Allahut me to se ndoshta Allahu do t’u shpëtojë nga kjo situatë”. Në një rivajet tjerër të hadithit të Ebu Hurejres vjen: “Shikoni për punë të sinqerta që keni punuar dhe lutuni Allahut me to”. Të gjitha këto trasmetime dëshmojnë për rëndësinë e sinqeritetit dhe vlerën e tij. Allahu nuk e pranon punën vetëm nëse ashtë në përputhje me atë që e ka ligjëruar dhe e sinqertë.
[3] Dmth; drejtohuni Allahut në lutje duke përmendur punët më të sinqerta që keni bërë. Ky hadith dëshmon për ligjshmërinë e ‘tevesulit’ (përafrimit) tek Allahu përmes punëve të mira. Pra, që lutësi t’i lutet Allahut duke përmendur punët e mira që ka bërë, me synimin që përmendja e punëve të mira të shërbejë si mjet për pranimin e lutjes së tij.
Dijetarët kanë sqaruar se tevesuli ndahet në dy lloje: i ligjshëm dhe i paligjshëm.
- Tevesuli i ligjshëm ndahet në tre lloje:
- Tevesuli me emrat dhe cilësitë e Allahut të Lartësuar.
- Tevesuli me anë të lutjes së një njeriu të mirë gjatë jetës së tij, në kuptimin të shkojë tek një njeri i mirë gjatë jetës së tij, – dhe jo tek varri i tij pas vdekjes së tij siç bëjnë të humburit -, dhe t’i kërkojë gojarisht t’i bëjë lutje Allahut të Lartësuarpër të.
- Teuesuli me anë të punëve të mira që i ka bërë vetë lutësi dhe jo me punët e të tjerëve. Pikërisht ky lloj teuesuli është ai që bënë tre personat në shpellë.
Ndërsa tevesuli i paligjshëm është çdo mënyrë tjerër përafrimi përveç tri mënyrave të ligjshme të mësipërme, si psh; tevesuli me punët e të tjerëve, sepse është absurde të përfitojë njeriu nga punët e të tjerëve, tevesuli me gradën dhe të drejtën e Pejgamberëve dhe të njerëzve të mirë te Allahu, të cilët i kanë arritur me punët e mira që kanë bërë, tevesuli me qëniet dhe hurmetin (shenjtërinë) e Pejgamberëve dhe njerëzve të mirë. Të gjitha këto mënyra janë bidat (risi, shpikje) dhe harram (të ndaluara), ato janë mjete që e shpien njeriun në shirk.
Pejgamberi dhe shokët e tij nuk i kanë bërë ato. Është e rëndësishme të tërheqim vëmendjen se lutësi qoftë edhe në rastin e mënyrës së paligjshne të tevesulit i drejtohet Allahut me lutjen e tij dhe jo të tjerëve veç tij. Ka njerëz që u drejtohen të tjerëve pëveç Allahut me lutjet, kërkimin e ndihmës, kërkimin e shpëtimit, kërkimin e mbrojtjes, gjë e cila është shirku madh që e nxjerr robin nga feja pa diskutim mes dijetarëve të Ehli Sunnetit dhe mendojnë që ky është tevesul. Si rrjedhojë e kësaj përzierje të madhe, janë shfrytëzuar thëniet e disa dijetarëve, që kanë gabuar dhe kanë lejuar mënyrën e paligjshme të tevesulit, për të përligjur në emër të tyre lutjen kushtuar të vdekurve.
Pra, siç e sqaruam tevesul do të thotë që robi t’i drejtohet Allahut me lutjen e tij, qoftë në mënyrë të ligjshme, apo në mënyrë të paligjshme, kështu që në rastin kur është i paligjshëm, nuk është shirk i madh, siç është lutja drejtuar të vdekurve dhe kërkimi i ndihmës prej tyre. Për me gjerë rreth tevesulit të lexohet libri i Ibn Tejmijjes: “El kaidetul xhelileh” dhe libri i Shejkh Albanit: “Et-tevesul Envauhu ue Akamuhu.
[4] Në hadithin e Aliut: “I kam patur prindërit të dobët, të varfër dhe nuk kishin shërbëtorë e as njeri që të kujdesej për ta veç meje, prandaj i kullosja bagëtitë për të siguruar ushqim për ta ditën dhe kthehesha tek ata natën”.
[5] Dmth; sinqerisht, për të kërkuar shpërblimin Tënd.
[6] Fjala e saj; ‘të hapësh unazën’, nënkupton marrëdhëniet intime. Fjala e saj; ‘ashtu siç është e drejta e saj’, do të thotë; në mënyrë të ligjshme, pra nuk ta lejoj të më afrohesh, veçse me martesë të rregullt. Në hadithin e Aliut vjen: “të kujtoj t’i frikësohesh Allahut dhe të mos bësh me mua atë që ta ka ndaluar Allahu. Thashë: Unë jam më me përparësi që t’i Frikësohem Zotit tim”.
Në hadithin e Nu’manit vjen: “Kur më dha mundësinë që t’i afrohesha filloi të qante, përse qanë? – i thashë, – më shtyu nevoja ta bëja këtë, – mu përgjigj ajo. Shko, – i thashë unë”. Në një rivajet tjetër po të hadithit të Nu’manit vjen: “Kështu, e dorëzoi veten e saj dhe kur e zbulova u drodh poshtë meje, -çfarë ke, -i thashë, -i frikësohem Allahut Zotit të botërave, -më tha, -iu frikësove Allahut në gjendje vështirësie dhe nuk i jam frikësuar megjithëse jam në bollëk ! -thashë, -dhe menjëherë e lashë”. Në hadithin e Ibn ebi Eufas vjen: “Kur u ula siç ulet burri me gruan ajo më kujtoi zjarrin dhe unë u çova prej saj”. Ibn Haxheri thotë: Pajtimi mes këtyre rivajeteve është i mundshëm sepse ato shpjegojnë njëra-tjetrën.
[7] Ky njeri ka patur në zemrën e tij frikë nga Allahu. Allahu ka dëshmuar për atë që është i tillë se do të jetë nga banorët e Xhennetit: “Por sa për atë i cili iu frikësua qëndrimit para Zotit të tij dhe e ndaloi veten nga dëshirat e liga, padyshim që vendqëndrimi i tij do të jetë Xhenneti”. [En-Naziat: 40-41]
[8] Dmth; iku i zemëruar se iu duk pak paga që po i jepte për punën që kishte bërë, megjithëse më parë kishin rënë dakort për atë pagë.
[9] Nuk pëlqente t’i zgjonte në mënyrë që të mos i lëndonte, ngaqë njeriu nuk don ta shqetësosh kur është në gjumë, por gjithashtu nuk donte t’i linte pa pirë që të mos dobësohesh e të vjetëroheshin më shumë, siç bëhet e qartë edhe nga disa variante të tjera.