Jeta dhe puna
Dihet se Profeti (alejhi selam) lindi jetim, u rrit nën kujdestarinë e gjyshit e më pas, të xhaxhait dhe nuk trashëgoi i ati ndonjë pasuri. Kur arriti në moshën, kur zakonisht punohet, ai ruajti delet bashkë me vëllezërit e vet nga qumështi të fisit Benu Sa’d. Kur u kthye në Mekke, ruajti delet e vendasve me njëfarë pagese të vogël, që në kohën tonë mund të jetë dhjetë rijal. [1] Ruajtja e deleve është traditë profetike në fillim të jetës së tyre. Kur e nderoi Allahu me misionin profetik, Profeti (alejhi selam) ka thënë:“Çdo profet ka ruajtur delet.”
Kur u rrit e u bë burrë, Profeti (alejhi selam) filloi të merrej ca e nga ca me tregti. Eshtë kumtuar se ai ka pasë bërë tregti me Saib Ibn Ebu Saibin, të cilin e kishte bashkëpunëtorin më të mirë, sepse nuk bënte padrejtësi dhe nuk grindej. Në marrëdhënie me njerëzit, Profeti Muhamed (alejhi selam) është njohur dhe shquar për besnikëri, çiltëri dhe ndershmëri. E tillë ka qenë sjellja e tij në çdo hap e në çdo fushë të jetës. Prandaj e mbiquajtën El Emin (Besniku).
Udhëtimi për në Sham
Hatixhja, bija e Huvejlidit (radijAllahu anha) ka qenë më e mira e grave të fisit Kurejsh, si për nga fisnikëria, ashtu edhe për nga pasuria. Ajo u jepte pasuri tregtarëve, që të tregtonin për të përkundrejt një pjese fitimi. Kur dëgjoi për Profetin (alejhi selam), i propozoi që të shkonte në Sham, të tregtonte për të dhe t’i jepte atij më shumë nga ç’u kishte dhënë të tjerëve.
Profeti (alejhi selam) u nis për në Sham bashkë me shërbëtorin e Hatixhes, Mejserin. Në Sham shiti e bleu dhe pati një fitim të madh. Kështu, pasuria e Hatixhes pati një begati, që nuk e kishte pasur kurrë më parë. Pasi bënë tregti në Sham, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) u kthye në Mekke dhe çoi në vend amanetin.
Martesa me Hatixhen
Hatixhja pa te Muhamedi (alejhi selam) besnikëri dhe mirësi, që e mahnitën. Shërbëtori, Mejseri, i foli për virtytet fisnike dhe sjelljet e këndshme që kishte parë te Profeti (alejhi selam). Thuhet edhe për ndodhi të jashtëzakonshme; për shembull, kur ishte vapë e madhe, atij i bënin hije dy melekë (engjëj).
Hatixhja e kuptoi që do të ishte lumturi të martohej me të. Prandaj ajo dërgoi për tek ai një shoqe të saj që t’i propozonte Profetit (alejhi selam) për martesë dhe ai e pranoi. Për këtë bisedoi edhe me xhaxhallarët e vet. Ata i dërguan fjalën xhaxhait të Hatixhes, Amir Ibn Esedit.
Kështu, Hatixhen e martoi xhaxhai i saj me Profetin (alejhi selam) në prani të njerëzve nga fisi Benu Hashim dhe të kryetarëve të fisit Kurejsh, me një prikë [2] prej 20 deve ose 6 deve të reja. Fjalën e martesës e mbajti xhaxhai i Profetit (alejhi selam), Ebu Talibi. Ai e falënderoi dhe e lavdëroi Allahun. Pastaj përmendi prejardhjen e nderuar dhe të mirat e Profetit (alejhi selam). Pastaj shpalli lidhjen e martesës dhe tregoi sasinë e prikës.
Martesa e Muhamedit (alejhi selam) me Hatixhen u bë dy muaj e disa ditë pas kthimit të Profetit (alejhi selam) nga Shami. Atëherë, Muhamedi (alejhi selam) ishte 25 vjeç, ndërsa Hatixhja (sipas versionit më të njohur) ishte 40 vjeçe. (Thuhet edhe se ka qenë 28 vjeçe; dikush ka thënë edhe ndryshe).
Ajo qe martuar më parë me Atik Ibn Aidh El Mahzumiun, por ai vdiq. Pastaj u martua me Ebu Haletu Tejmijin, por edhe ai vdiq. Me të pati një djalë. Më pas, kryetarët e mëdhenj të fisit Kurejsh deshën të martoheshin me të, por ajo nuk pranoi, derisa u martua me të Dërguarin e Allahut (alejhi selam). Martesa me të qe një lumturi, që e kishin lakmi të gjithë njerëzit.
Hatixhja është bashkëshortja e parë e Profetit (alejhi selam). Derisa vdiq ajo, ai nuk ka marrë tjetër për bashkëshorte. Profeti (alejhi selam) i pati të gjithë fëmijët me Hatixhen, përveç Ibrahimit, të cilin e pati me Marien, që qe nga Koptët e Egjiptit.
Fëmijët që pati me Hatixhen
Fëmijët që pati Profeti (alejhi selam) me Hatixhen janë: Kasimi, Zejnebja, Rukija, Ummu Kulthumi, Fatimja dhe Abdullahu. (Ka edhe thënie të tjera përsa i përket numrit dhe radhës së tyre.) Djemtë kanë vdekur të vegjël, ndërsa vajzat kanë jetuar të gjitha, derisa arritën kohën e profetësisë të Profetit (alejhi selam). Ato u bënë myslimane dhe u shpërngulën nga Mekka në Medine. Tri vajza vdiqën para se të vdiste Profeti (alejhi selam). Fatimja (radijAllahu anha) jetoi edhe gjashtë muaj pas vdekjes së Profetit (alejhi selam).
[1] Rijal – monedha bazë e Mbretërisë së Arabisë Saudite. (3,5 Rijal =1$)
[2] Prikë (mehër) – dhurata e kurorës së martesës.