-Pyetje: Ç’është feja Islame?
-Përgjigje: Islami është dorëzimi ndaj Allahut, duke besuar se Ai është Një , dhe duke e adhuruar Atë të vetëm, nënshtrimi ndaj Tij me bindje dhe largimi nga idhujtaria dhe idhujtarët.
-Pyetje: Sa rangje ka feja Islame?
-Përgjigje: Feja Islame ka tri rangje: a) Islami (dorëzim dhe nënshtrim ndaj Allahut), b) Imani (besimi me zemër) dhe c) Ihsani (përsosja e adhurimit ndaj Allahut). Secili rang ka shtyllat e veta.
-Pyetje: Sa janë shtyllat e Islamit?
-Përgjigje: Shtyllat e Islamit janë pesë: dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij; falja e namazit; dhënia e zekatit; agjërimi i Ramazanit dhe kryerja e haxhit në shtëpinë e shenjtë të Allahut në Mekke.
-Pyetje: Cili është argumenti se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Allahu dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij, edhe engjëjt e dijetarët e dëshmuan. Ai e mban Krijimin e Tij në drejtësi të plot. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Tij, të Gjithfuqishmit, më të Urtit Gjithgjykues”. (Al-Imran : 18)
-Pyetje: Ç’do të thotë “LA ILAHE IL-LALLAH”?
-Përgjigje: Do të thotë: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut.”
-Pyetje: Cili është qëllimi i shprehjes “nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut” (la ilahe il-lAllah)?
-Përgjigje: Qëllimi i saj është mohimi i gjithçkaje që adhurohet veç Allahut dhe pohimi se adhurimi i takon vetëm Allahut, i Cili nuk ka shok në adhurim, ashtu siç nuk ka shok në sundim.
-Pyetje: Cili është argumenti për këtë shpjegim?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “(Kujto) kur Ibrahimi i tha babait dhe popullit të tij: “Me të vërtetë që unë jam i distancuar dhe s’kam të bëj fare me ato që adhuroni ju përveç Atij që më krijoi mua dhe padyshim që Ai do të më udhëzojë.” Ai e la të përjetshme atë fjalë ndër pasardhësit e vet, me qëllim që ata të ktheheshin në bindjen e Allahut dhe adhurimin e Tij pa i shoqëruar.” (Ez-Zukhruf : 26-28)
Gjithashtu edhe thënia e Tij: “Thuaj (O Muhamed): “O ithtarë të Librit ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush, se do të adhurojmë vetëm Allahut, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë dhe se nuk do të konsiderojmë njëri-tjetrin si zotër në vend të Allahut.” Nëse ata nuk e pranojnë, atëherë ju thoni: Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut.” (Al-Imran : 64)
-Pyetje: Cili është argumenti se Muhamedi (alejhi selam) është i dërguari i Zotit?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Tashmë ju ka ardhur një i dërguar (Muhamedi) nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për vuajtjet tuaja, dëshiron (lakmon) besimin tuaj dhe përmirësimin e gjendjes suaj dhe është i butë (i ndjeshëm) e i mëshirshëm për besimtarët.” (Teube : 128). Si dhe fjala e Allahut: “Muhamedi është i dërguari i Allahut, kurse ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër ndaj jobesimtarëve, por të mëshirshëm me njëri tjetrin… .” (el-Fet’h : 29)
-Pyetje: Ç’do të thotë të dëshmosh se Muhamedi (alejhi selam) është i dërguari i Allahut?
-Përgjigje: T’i bindesh në gjithçka që ka urdhëruar, të besosh në gjithçka që na ka lajmëruar, të largohesh nga gjërat që na ka ndaluar, si dhe të adhurosh Allahun sipas mënyrës që ka ligjëruar.
-Pyetje: Cili është argumenti i namazit e i zekatit dhe komenti i njësimit?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “E megjithatë, ata qenë urdhëruan vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë të shmangur nga idhujtaria, si dhe të falin namazin e të japin zekatin. Kjo është feja e drejtë.” (El-Bejine : 5)
-Pyetje: Cili është argumenti për agjërimin?
-Përgjigje: Fjala e Allahut : “O ju që besuat, agjërimi është bërë detyrë për ju, ashtu siç ishte detyrë edhe për ata që ishin para jush, që të mund të bëheni të devotshëm.” (El-Bekare : 183)
-Pyetje: Cili është argumenti për haxhin?
-Përgjigje: Fjala e Allahut : “…vizita e shtëpisë (Qabes) është detyrë për atë që ka mundësi ta përballoj udhëtimin te ajo. E kush nuk beson (mohon haxhin si shtyllë të Islamit), atëherë Allahu nuk ka nevojë për askënd.” (Al-Imran : 98)
-Pyetje: Cili është rangu i dytë i fesë Islame?
-Përgjigje: Rangu i dytë i fesë Islame është imani (besimi).
-Pyetje: Sa degë ka imani (besimi)?
-Përgjigje: Degët e besimit janë shumë: shtatëdhjetë e më tepër. Më e larta është fjala “la ilahe il-lAllah”, kurse më e fundit është largimi i pengesave prej rrugës. Edhe turpi është degë e besimit.
-Pyetje: Sa janë shtyllat e imanit?
-Përgjigje: Shtyllat e imanit janë gjashtë: Besimi në Allah, në melekët (engjëjt) e Tij, në Librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në kader (paracaktimin e gjithçkaje) i mirë apo i keq (qoftë ky për ty).
-Pyetje: Cili është argumenti për këtë?
-Përgjigje: Fjala e Allahut : “Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, melekët, në Librin dhe të dërguarit…” (Bekare : 177)
-Pyetje: Cili është argumenti që Allahu e ka paracaktuar gjithçka, pra se çdo gjë ndodh me kaderin e Allahut?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.” (Kamer : 49)
-Pyetje: Cili është rangu i tretë i fesë Islame?
-Përgjigje: Rangu i tretë i fesë Islame është ihsani (përsosja e adhurimit), i cila ka vetëm një shtyllë.
-Pyetje: Ç’është ihsani?
-Përgjigje: Ihsani është të adhurosh Allahun sikur ti e shikon Atë. E nëse nuk arrin ta adhurosh sikur e shikon Atë, atëherë adhuroje me ndjenjën se Ai të shikon ty.
-Pyetje: Cili është argumenti për këtë?
-Përgjigje: Fjala e Allahut : “Vërtet, Allahu është me ata që e kanë frikë dhe që janë muhsinunë (punëmirë).” (Nahl : 128). Po kështu fjala e Tij: “Dhe mbështetu tek i Plotfuqishmi, Mëshirëploti, i Cili e sheh qëndrimin tënd në këmbë (gjatë namazit) dhe lëvizjet e tua midis atyre që përulen në sexhde. Vërtet, Ai i dëgjon të gjitha dhe i di të gjitha” (Shuara : 217-220).
Gjithashtu edhe fjala tjetër e Allahut: “Në çfarëdo pune që të jesh, çfarëdo gjëje që të lexosh nga Kurani dhe çfarëdo pune që të bëni (o njerëz), Ne jemi dëshmitarë, kur ju e kryeni atë. Zotit tënd nuk i fshihet as një grimë peshe, në Tokë a në qiell; as më e vogël se ajo dhe as më e madhe, nuk mbetet pa u shënuar në Librin e Qartë”. (Junus : 61)
-Pyetje: Cili është argumenti nga Suneti i Muhamedit (alejhi selam) se feja Islame ka tri rangje?
-Përgjigje: Hadithi i njohur i Xhibrilit, i transmetuar nga Umer ibn Hatabi, i cili thotë: “Një ditë ishim duke ndenjur me të Dërguarin e Allahut kur u duk një njeri me rroba shumë të bardha dhe me flokë shumë të zeza. Nuk linte përshtypjen se është ndonjë udhëtar dhe asnjë prej nesh nuk e njihte. Ai u ul pranë të Dërguarit (alejhi selam) duke i mbështetur gjunjët e vet në gjunjët e Pejgamberit, duart e veta i vendosi në kofshën e tij dhe i tha: “O Muhamed! Më trego ç’është Islami?” I Dërguari (alejhi selam) i tha: “Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin, të kryesh Haxhin në Qabe, në qoftë se ke mundësi për këtë.” Ai iu përgjigj: “Të vërtetën the.” Ne u çuditëm, e pyeste dhe i thoshte të vërtetën the. Pastaj e pyeti: “Më trego ç’është imani (besimi)?” Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Të besosh Zotin, melekët e Tij, Librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Gjykimit dhe të besosh në kader (paracaktimin e gjithçkaje) i mirë apo i keq (qoftë ky për ty).” Pastaj e pyeti: “Më trego ç’është ihsani (përsosja e adhurimit)?” Pejgamberi (alejhi selam) iu përgjigj: “Ihsani është të adhurosh Allahun sikur ti e shikon Atë. E nëse nuk arrin ta adhurosh sikur e shikon Atë, atëherë adhuroje me ndjenjën se Ai të shikon ty.” Ai e pyeti përsëri Pejgamberin (alejhi selam): “Më trego për çastin e fundit (Kiametin)?” Pejgamberi (alejhi selam) iu përgjigj: “Për këtë i pyeturi nuk di më shumë se ai që pyet.” Atëherë ai e pyeti përsëri: “Më trego mbi shenjat e tij?” Pejgamberi (alejhi selam) iu përgjigj: “Kur robëresha të lindë zonjën e vet, kur të shihen barinjtë këmbëzbathur, të zhveshur, të varfër, barinj delesh të cilët garojnë në ndërtesa të larta.” Pastaj ai u largua, ndërsa ne qëndruam pak , i Dërguari i Allahut (alejhi selam) më tha: “O Umer! A e njeh atë që më pyeti?” Unë thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Pejgamberi u përgjigj: “Ky qe Xhibrili erdhi t’ju mësojë fenë tuaj.” (Muslimi)