-Pyetje: Kush është Zoti yt?
-Përgjigje: Zoti im është Allahu që me mirësinë e Tij më ka krijuar dhe kujdeset për mua dhe mbarë gjithësinë. Ai është i adhuruari im, nuk kam të adhuruar tjetër përveç Allahut.
-Pyetje: Cili është argumenti për këtë?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve.” (El-Fatiha : 1)
Çdo gjë tjetër përveç Allahut është botë (krijesë). Edhe unë jam një prej krijesave.
-Pyetje: Mbi ç’bazë e ke njohur Zotin tënd?
-Përgjigje: Zotin e kam njohur nëpërmjet argumenteve të Tij dhe gjërave që Ai ka krijuar: nata dhe dita, Dielli dhe Hëna, shtatë qiejt dhe Toka, si dhe çfarë ka në to dhe ndërmjet tyre.
-Pyetje: Cili është argumenti për këtë?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Nga shenjat e Tij janë nata dhe dita, dielli dhe hëna; mos i bëni sexhde, as diellit dhe as hënës, bëjini sexhde vetëm Allahut që i ka krijuar ato.” (Fusilet : 37)
Po ashtu fjala e Allahut: “Në të vërtetë, Zoti juaj (Rab) është Allahu, që krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë e pastaj u lartësua mbi Arsh. Ai me natën mbulon ditën që ndjek me të shpejtë mbulimin e dritës. Dielli, hëna dhe yjet janë nën sundimin e Tij. Vërtet Atij i përket krijimi, rregullimi i punëve të krijesave, urdhërimi dhe ligjvënia. I Madhëruar është Allahu, Zoti i botëve!” (Araf : 54)
-Pyetje: Ç’do të thotë besimi se Zoti është një e i pashoq në veprat e Tij (Rab).
-Përgjigje: Të besosh Zotin si Krijues dhe Sundues të gjithçkaje dhe si rregulluesin e vetëm të punëve të krijesave. Përderisa Allahu është Krijuesi, Sunduesi dhe Rregulluesi i vetëm i punëve të krijesave, atëherë vetëm Ai meriton të adhurohet.
-Pyetje: Cili është argumenti për këtë?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “O njerëz! Adhuroni Zotin tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të bëheni të përkushtuar. I Cili e ka bërë për ju tokën shtresë dhe qiellin e ka ndërtuar me përsosmëri, i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim. Prandaj mos i vini shokë Allahut, duke e ditur!” (Bekare : 22-23). Ibn Kethiri ka thënë: “Vetëm Krijuesi i këtyre gjërave është Ai i cili meriton të adhurohet.”
-Pyetje: Ç’është adhurimi (ibadeti)?
-Përgjigje: Adhurimi (ibadeti) është kulmi i përunjësisë dhe i nënshtrimit, i dashurisë dhe i besnikërisë ndaj të cilit e bën. Me fjalë të tjera, adhurimi është përmbledhës i të gjitha bindjeve, ndjenjave e gjendjeve shpirtërore, fjalëve dhe veprave, të cilat i do dhe i pëlqen Zoti.
-Pyetje: Sa lloje adhurimesh (ibadetesh) ka urdhëruar Allahu ?
-Përgjigje: Allahu ka urdhëruar shumë lloje adhurimesh, fjala vjen: Islami (dorëzimi dhe nënshtrimi ndaj Allahut), imani (besimi i vërtetë i cili përfshin besimin e drejtë në zemër, pohimin e besimit me gjuhë dhe veprimin sipas mësimeve të Islamit), ihsani (përsosja e adhurimit), lutja, frika [1], varja e shpresës për të arritur atë që dëshiron, mbështetja [2], dëshira për arritjen e shpërblimit të Zotit, tmerri prej dënimit të Zotit, përulja (devocioni ndaj Zotit), droja, kthimi me pendim, kërkimi i ndihmës, kërkimi i mbrojtjes, kërkimi i shpëtimit [3], kurbani, zotimi [4], të gjitha këto dhe të tjera adhurime që Allahu ka urdhëruar, duhen bërë vetëm për Allahun e Madhërueshëm.
-Pyetje: Cili është argumenti për këtë?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Xhamitë janë për adhurimin e Allahut, prandaj mos iu lutni askujt krahas Allahut!” (Xhin : 18) “Ndërsa Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni asgjë tjetër përveç Tij, dhe që të jesh respektues ndaj prindërve.” (Isra : 23)
-Pyetje: Ç’qëndrim mbahet ndaj atij personi që ndonjë nga adhurimet e lartpërmendura ia kushton dikujt tjetër përveç Allahut?
-Përgjigje: Ai që i kushton ndonjë adhurim dikujt tjetër veç Allahut, është idhujtar, jo musliman (mushrik, kafir).
-Pyetje: Cili është argumenti për këtë?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Ai që krahas Allahut lut zot tjetër, duke mos pasur kurrfarë prove për këtë, me siguri do të japë llogari vetëm te Zoti i tij. Me të vërtetë, nuk ka shpëtim për femohuesit (kafirat).” (Mu’minun : 117)
-Pyetje: Cili është argumenti se lutja është adhurim?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmëni Mua, se do t’ju përgjigjem. Me të vërtetë, ata që nga mendjemadhësia nuk duan të më adhurojnë Mua, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar.” (Gafir : 60) Dhe fjala e të Dërguarit të Allahut: “Duaja është palca e adhurimit.” Ose sipas një thënie tjetër profetike: “Lutja është vetë adhurimi.”
-Pyetje: Cili është argumenti se frika është adhurim?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Ju mos kini frikë prej atyre, por frikësohuni vetëm prej Meje, nëse jeni besimtarë.” (Ali Imran : 175)
-Pyetje: Cili është argumenti se shpresa është adhurim?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “…kushdo që shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë asnjë në adhurim Zotit të vet.” (Kehf : 110)
-Pyetje: Cili është argumenti se “mbështetja në Zotin” është adhurim?
-Përgjigje: Fjala e Allahut : “Vetëm tek Allahu mbështetuni, nëse jeni besimtarë.” (Maide : 23)
Gjithashtu Allahu i lartësuar thotë: “…dhe kujtdo që mbështetet tek Allahu, Ai do t’i mjaftojë… .” (Talak : 3)
-Pyetje: Cili është argumenti që vërteton se dëshira për arritjen e shpërblimit të Zotit, tmerri (nga dënimi i Zotit) dhe përulja (devocioni) janë adhurime?
-Përgjigje: Fjala e Allahut : “Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe na luteshin, me dëshirë për arritjen e shpërblimit dhe të tmerruar prej dënimit . Ata ishin të përulur dhe të devotshëm ndaj Nesh.” (El-Enbija : 90)
-Pyetje: Cili është argumenti se frika është adhurim?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Prandaj, mos u keni frikë atyre, por më keni frikë vetëm Mua”. (El-Bekare : 150)
-Pyetje: Cili është argumenti se kthimi me pendim te Zoti është adhurim?
-Përgjigje: Fjala e Allahut : “Kthehuni me pendim te Zoti juaj dhe nënshtrojuni Atij…”. (Ez-Zumer : 54)
-Pyetje: Cili është argumenti se kërkimi i ndihmës është adhurim?
-Përgjigje: Fjala e Allahut : “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm nga Ty ndihmë kërkojmë.” (El-Fatiha : 5). Ndërsa në hadith thuhet: “Nëse kërkon ndihmë, kërkoje prej Allahut.”
-Pyetje: Cili është argumenti se kërkimi i mbrojtjes është adhurim?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Thuaj: Kërkoj mbrojtje te Zoti i agimit.” (El-Felek : 1)
Si edhe, fjala e Tij: “Thuaj: Kërkoj mbrojtje te Zoti i njerëzve.” (En-Nas : 1)
-Pyetje: Cili është argumenti se kërkimi i shpëtimit është adhurim?
-Përgjigje: Është fjala e Allahut : “Kur kërkuat ndihmë nga Zoti juaj e Ai ju përgjigj… .” (El-Enfal : 9)
-Pyetje: Cili është argumenti se kurbani është adhurim?
-Përgjigje: Fjala e Allahut : “Thuaj (O Muhamed): “Në të vërtet namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak…”” (En’am : 161-162)
Ndërsa i dërguari i Allahut thotë: “…Allahu e ka mallkuar këdo që ther kurban për dikë tjetër veç Allahut”. (Muslimi)
-Pyetje: Cili është argumenti se zotimi është adhurim?
-Përgjigje: Fjala e Allahut: “Ata i zbatojnë zotimet e tyre dhe i frikësohen Ditës (së Kiametit) tmerri i së cilës është përhapur gjithkund.” (El-Insan : 7)
[1] Këtu nuk është fjala për frikën e natyrshme, si: frika prej egërsirës, mbytjes në ujë etj., pasi kjo nuk është shirk, por për frikën e adhurimit. Kësisoj, frika prej zemërimit dhe dënimit të Allahut është adhurim ndaj Tij, kurse frika prej një tyrbeje apo një vendi të ashtuquajtur të mirë është shirk.
[2] Mbështetja tek Allahu për të plotësuar nevojat dhe për të larguar të këqijat është adhurim ndaj Tij, ndërsa mbështetja tek të vdekurit, tyrbet apo vendet e ashtuquajtura të mira, duke menduar se të sjellin dobi apo të largojnë nga të këqijat, është shirk.
[3] Kërkimi i ndihmës, mbrojtjes apo shpëtimit është lutje, dhe siç dihet lutja është adhurim, kështu që nëse dikush kërkon ndihmë, mbrojtje apo shpëtim prej të vdekurve, ai bën shirk. Kërkimi prej të vdekurve vjen nga besimi se ata kanë aftësi dhe pushtet të fshehtë apo se ata bëjnë veprime të fshehta në gjithësi. Ndërsa nëse kërkon ndihmë, mbrojtje apo shpëtim prej të gjallëve në gjëra që ata mund t’i kryejnë, kjo nuk është shirk.
[4] Zotimi do të thotë: të marrësh përsipër të kryesh një rit fetar, si: namaz, agjërim, therje kurbani etj.. Kështu, nëse dikush zotohet të therë kurban për diçka tjetër veç Allahut, ai bën shirk.