Imam Dhehebiu ka thënë: “Për herë të parë ai dëgjoi hadith nga Jahja Ibn Jahja El-Temimij, në vitin 218 h kur ishte 12 vjeç. Kështu pra Imam Muslimi filloi të kërkojë dijen gju më gju me dijetarët që në moshë të vogël. Dhe çfarë dijetrarësh se, dijetarë si Imam Jahja Ibn Jahja El-Temimij. Ky imam ishte nga nxënësit që qëndruan pranë Imam Malikut në Medine dhe mori prej tij librin El-Muweta’ të Imam Malikut. Kështu Imam Muslimi e ka marë librin El-Muweta të Imam Malikut nga Imam Jahja Ibn Jahja El-Temimij. Madje ndoshta Imam Muslimi është i vetmi që e ka sjellë El-Muweta’-n të Imam Malikut përmes rrugës së Jahja Ibn Jahja El-Temimij.
Duhet sqaruar këtu se Jahja Ibn Jahja El-Temimij El-Nejsaburij për të cilit Imam Muslimi mori El-Muweta’ nuk duhet ngatërruar me Jahja Ibn Jahja El-Lejthij përmes transmetimit të së cilit u përhap libri El-Muweta’ mes njerëzve siç është e botuar edhe sot. Dhe është pikërisht ky transmetimi të cilin e kanë marë për bazë dhe e kanë shtjelluar dijetarët, mes të cilëve Imam Ibn AbdulBer në dy librat e tij të mrekullueshëm “El-Temhid” dhe “El-Istidhkar”. Ai që dëshiron të mbledhë rivajetin e El-Muweta’ nga Imam Jahja Ibn Jahja El-Temimij atëherë le ta bëjë përmes sahihut të Imam Muslimit.
Megjithatë, Imam Muslimi ka transmetuar prej El-Muweta’ edhe përmes transmetimeve të tjera veç transmetimit të Jahja Ibn Jahja El-Temimij. Madje në sahihun e tij ai ka përmendur transmetime të El-Muweta’ përmes rrugësh transmetimi të ndryshme si transmetimi i Halef Ibn Hisham, Ismail Ibn ebi Uejs, Abdullah Ibn Mesleme El-Kea’nebij (Allahu i mëshiroftë të gjithë!)
Nuk ka dyshim se Imam Muslimi fillimisht mori dijen nga Imamët e hadithit që ndodheshin në vendin e tij. Prej tyre mund të përmendim Is’hak Ibn Rahauejhi, Kutejbetu Ibn Seid. Më pas në vitin 219 h në moshën 13 vjeçare udhëtoi drejt gadishullit arabik kur kreu haxhin. Atje dëgjoi hadithin në Mekke nga Abdullah Ibn Mesleme El-Kea’nebij i cili konsiderohet si shejhu më i vjetër (në moshë) nga i cili ka marë hadithe Muslimi.
Duke qenë se Muslimi e filloi kërkimin e dijes në moshë të vogël shohim se ai shpesh transmeton në sahihun e tij nga imamët e mëdhenj herë drejtpërdrejt dhe herë me ndërmjetës. Në disa hadithe isnadi i tij është i lartë madje, ai merr pozitën e shejhut edhe për vetë shejhun e tij, Imam Buhariun. Ndërsa në disa të tjera ai është nxënës i Buhariut. Pra nëse Muslimi transmeton prej disa imamëve të hadithit drejtpërdrejt, Imam Buhariu transmeton prej tyre me ndërmejtës. Në Mekke ai dëgjoi hadithin edhe prej Imam Seid Ibn Mensur. Në Medine dëgjoi prej nxënësve të imam Malikut si Ismail Ibn ebi Uejs.
Ai nuk e zagjati qëndrimin e tij në Mekke dhe në Medine. Gjatë rrugës së kthimit ai qëndroi në Kufe, ku dëgjoi hadithin prej Imam Ahmed Ibn Junus duke siguruar kështu një isnad të lartë edhe për hadithet e dijetarëve të Kufes. Ai u kthye disa herë në Mekke dhe bëri udhëtime të shumta dhe të begatshme në kërkim të hadithit. Ibn Salahu e përshkruan udhëtimet e tij duke thënë: “Ai i ra botës mbanë duke kaluar dhe marrë dijen nga qendrat më të njohura të diturisë.
Ai vizitoi Basran dhe mori hadithin prej shejhut më të madh të Basras dhe dijetarit më të madh rreth transmetuesve të Basras, Imam Alij Ibn Nasr El-Xhahdevij. Vizitoi El-Belh-un në një udhëtim të veçantë ku shoqërohej nga kolegu dhe miku i tij Ahmed Ibn Selemeh. Ky udhëtim ishte në mënyrë të veçantë për të takuar Kutejbete Ibn Seid. Prej dijetarëve të Hurasanit nga të cilët ai mori hadithin mund të përmendim Jahja Ibn Jahja, Is’hak Ibn Rahavejhi, etj. Në El-Rajj dëgjoi prej Muhamed Ibn Mehran, Ebu Gasan, dhe këtë vend e vizitoi shumë herë. Atje mori hadithin prej shejhut më të madh të saj Imam Ebu Zur’ate El-Razi. Kur ky imam mbëriti në Bagdad për të vizituar Imam Ahmedin, ky i fundit i mbyllte dyer dhe dritare duke dashur të thotë me këtë se e do vetëm për vete Imam Ebi Zur’ate El-Razi-n.
Kështu Imam Muslimi mori hadithin prej dijetarëve të El-Rajj-it. Ebu Zur’ate ishte një ndihmë e madhe për Imam Muslimin. Imam Muslimi ia paraqiti sahihun e tij Imam Ebi Zur’ate dhe, për çdo vërejtje rreth saktësisë së ndonjë hadithi ai e hiqte nga sahihu. Ai vizitoi gjithashtu Bagdadin dhe mori hadithin prej Imam Ahmedit, imamit të ehli sunnetit. E pyeti atë për shumë çështje të koklavitura dhe të rëndësishme. Madje për këtë shkroi një libër të titulluar “Pyetjet e Imam Ahmedit”. Në Egjipt dëgjoi prej Amr Ibn Sevad, Harmeletu Ibn Jahja dhe shumë të tjerë.
Bagdadin e vizitoi disa herë, dhe prej tij transmetuan shumë prej dijetarëve të vendit. Hera e fundit që vizitoi Bagdadin ishte në vitin 259 h. Përmes këtyre udhëtimeve të begatshme në të cilat e shëtiti botën në lindje dhe perëndim, ai mori dituri të madhe nga dijetarë të shumtë. Kjo ndikoi shumë në karakterin e tij në aspektin e diturisë dhe edukatës së tij. El-Hafidhu El-Mizzij përmend në librin e tij “Tehdhibu el kemal” se Imam Muslimi ka marrë hadith prej 219 dijetarë (shujuh) vetëm në sahihun e tij.
Ai që vështron me kujdes në jetëshkrimin e këtyre dijetarëve do të konstatojë se 80 prej tyre ose më shumë, i ka përmendur Imam Dhehebiju në librin e tij “Tedhkiratu el huffadh” ku përmenden Imamët e dynjasë në njohurinë e hadithit. Pra Imam Muslimi pati marë hadithin nga 80 e më shumë prej imamëve më të mëdhenj dhe hafizët e dynjasë në njohurinë e hadithit. Sejcili prej tyre ishte një universitet më vete në njohuritë që ofronte. Ai që sheh në jetëshkrimet e tyre vëren se shumica e tyre ishin thukatë të besueshëm dhe shumë prej tyre ishin të njohur si adhurues të famshëm.
E pra, pa dyshim kjo gjeneratë me mësues dhe dijetarë lanë gjurmë të thella në Imam Muslimin në drejtim të dijes moralit dhe adhurimit të tij. Nëse shumë imamë janë lëvduar dhe vlerësuar pas vdekjes së tyre, Imam Muslimin e kanë lëvduar të mëdhenjtë që kur ishte gjallë, madje që kur ishte në moshë të re. Kështu Is’haku ka thënë për të kur ende ishte i vogël: “Nëse jeton, ky djalosh do të jetë një habi e vërtetë!”.
Dije se, Imam Muslimi është njëri nga imamët dhe figurat më të njohura të njohurisë të hadithit. Ai njihet si një nga dijetarët më të spikatur në aftësinë e mësimit përmendësh dhe saktësinë e njohurive të tij; për udhëtimet e tij të shumta anembanë vendeve islame për kërkimin e hadithit. Ky është një fakt i pa kundërshtueshëm mes dijetarëve të hadithit dhe njohurive të tjera. Në çdo kohë dhe vend libri i tij do të jetë referenca e sigurt për dijetarët e tj veç tyre.