Udhëtimi për kërkimin e dijes së hadithit është një praktikë e njohur dhe e vjetër që nga koha e Pejgamberit (alejhi selam). Kur dëgjuan për shpalljen e Zotit ata udhëtonin për tek Pejgamberi (alejhi selam) për të dëgjuar prej tij Kur’anin famëlart dhe për të mësuar njohuritë dhe diturinë islame. Sahabët e Pejgamberit i karakterizon shpeshtimi i udhëtimeve dhe pjesmarja në ekspedita për përhapjen e transmetimin e asaj për të cilën ishin urdhëruar nga njëra anë dhe nga ana tjetër udhëtimet e tyre të shumta në kërkim të haditheve dhe traditës së Pejgamberit (alejhi selam).
Ata i hynin udhëtimeve të gjata për të dëgjuar një hadith të vetëm që ndoshta e kishin dëgjuar prej transmetuesish të besueshëm dhe të sigurt, por që kërkonin të siguroheshin më shumë për saktësinë dhe përpikmërinë e asaj që dinin. Ose për ta marë hadithin nga transmetuesi i tij pa ndërmjetësues, pra me një rrugë transmetimi më të shkurtër. Kështu veproi Xhabir ibn Abdilah El-Ensarij, i cili për një hadith të vetëm udhëtoi një muaj rresht për të takuar Abdullah ibn Unejs-in.
Xhabiri tregon dhe thotë: “Dëgjova se prej një burri transmetohej se kishte dëgjuar një hadith prej Pejgamberit (alejhi selam), dhe pasi bleva një deve u nisa drejt tij në Sham (që sot njihen si: Siria, Jordania dhe Palestina). Udhëtova një muaj rresht dhe kur mbërita tek porta e tij i thashë portierit: thuaj atij se Xhabiri ndodhet tek porta.” Ai tha: Xhabir ibn Abdilah? Unë i thashë: po. Atëherë ai doli dhe më përqafoi. Unë i thashë: “Më ka mbëritur prej teje një hadith të cilin e ke dëgjuar prej Pejgamberit (alejhi selam) dhe pata frikë se do të vdes para se të mund ta dëgjoja”. Ai tha: “E kam dëgjuar Pejgamberin (alejhi selam) të thotë: “Do të ringjallen njerëzit ditën e gjykimit të zhveshur…” [1]
Po kështu shohim se sahabiju i nderuar Ebu Ejjub El-Ensarij udhëton për një hadith të vetëm prej Hixhaz-it në Egjipt. Ai shkoi të takojë Ukbete ibn Amir (radijAllahu anhum), për të dëgjuar prej tij hadithin që flet për mbulimin e të metave të besimtarit. Ai donte thjesht të sigurohej për saktësinë e asaj që e kishte mësuar prej Pejgamberit (alejhi selam). Transmetohet prej Ebu El-Alijete se ka thënë: “Ne i dëgjuam transmetimet e sahabëve në Basra por nuk duruam derisa shkuam në Medine dhe dëgjuam edhe transmetimet e sahabëve të Medines nga goja e tyre”. [2]
Ata ibn Ebu Rabah thotë: “Ebu Ejjub El-Ensarij u nis drejt Ukbete ibn Amir për ta pyetur rreth një hadithi të cilin e kishte dëgjuar prej Pejgamberit (alejhi selam) dhe nuk kishte mbetur prej atyre që e kishin dëgjuar atë veç atyre të dyve. Kur mbëriti në shtëpinë e Meslemete ibn Mahled El-Ensarij, udhëheqësit të Egjiptit, ai doli dhe e përqafoi Ebu Ejjubin, pastaj i tha: “Ç’e mirë të solli këtej o Ebu Ejjub? Një hadith të cilin e kam dëgjuar prej Pejgamberit (alejhi selam) dhe prej atyre që e kanë dëgjuar atë nuk ka mbetur askush veç meje dhe Ukbetes. Dërgo dikë që të më tregojë shtëpinë e Ukbetes.
Atëherë ai dërgoi dikë që t’i tregojë shtëpinë e Ukbetes dhe kur mbërriti tek ai, ai doli me të shpejtë në pritje të tij dhe e përqafoi Ebu Ejjubin, pastaj i tha: – “Ç’e mirë të solli këtej o Ebu Ejjub? – Një hadith të cilin e kam dëgjuar prej Pejgamberit (alejhi selam) dhe prej atyre që e kanë dëgjuar atë nuk ka mbetur askush veç meje dhe teje. Hadithi që flet për mbulimin e të metave të besimtarit.” Ukbetu tha: – “Po. E kam dëgjuar Pejgamberin (alejhi selam) të thotë: “Kush ia mbulon një besimtari një turp të tijin, Allahu ka për t’ia mbuluar të metat Ditën e Gjykimit”. Ebu Ejjubi tha: – “Të vërtetën e ke thënë”, dhe pastaj u kthye tek deveja e tij për të marë rrugën e kthimit për në Medine. Dhuratat e Meslemete ibn Mahled El-Ensarij, udhëheqësit të Egjiptit, nuk e arritën Ebu Ejjubin veçse larg Egjiptit. [3]
Në këtë mënyrë sahabët inkurajonin dhe nxisnin njëri-tjetrin për të kërkuar dhe mësuar hadithet dhe traditën e Pejgamberit (alejhi selam) dhe për të mësuar dijen e saktë. Ata udhëtonin gjatë për hir të këtij qëllimi fisnik dhe madhështor. Kështu imami i madh dhe sahabiju i nderuar, Abdullah ibn Mes’ud (radijAllahu anhu) thotë: “Nëse do të njihja dikë më të ditur në librin e Allahut të lartësuar se unë tek i cili mund të mbërinte deveja, do të shkoja tek ai. [4] Po kështu Seid ibn Musejjib thotë: “Unë udhëtoja me ditë dhe netë të tëra për një hadith të vetëm. [5]
Tabi’inët udhëtonin tek sahabët dhe kurrë nuk i konsideronin këto udhëtime si të kota dhe humbje kohe. Transmetohet se Kuthejr ibn Kajs ka thënë: “Po qëndroja ulur në xhaminë e Damaskut së bashku me Ebu Derdën kur tek ai mbëriti një person dhe i tha: “O Ebu Derda! Po vij tek ti prej Medines, Medines së Pejgamberit (alejhi selam). Kam ardhur të të pyes për një hadith të Pejgamberit (alejhi selam) që kam dëgjuar se ti e transmeton prej Pejgamberit (alejhi selam) – Tha (Ebu Derda): “Nuk ke ardhur për tregëti?“- tha: “Jo!“ – Tha (Ebu Derda): “Nuk ke ardhur për gjë tjetër veç kësaj?” – tha: “Jo!“ – Tha (Ebu Derda): “Unë e kam dëgjuar Pejgamberin (alejhi selam) të thotë: “Ai që nis një rrugë për të kërkuar një dije, Allahu ia lehtëson atij një rrugë për në Xhennet…” [6]
Historitë dhe bëmat e dijetarëve në këtë fushë janë të shumta dhe nuk mund të përmenden këtu. I mjaftojnë këtij umeti si nderim dhe prestigj për të, ato udhëtime të gjata për të mbledhur dhe për të ruajtur të saktë në origjinalitetin e saj traditën e Pejgamberit të fundit. Hadithi i Pejgamberit (alejhi selam) nuk ka ardhur në formën dhe lehtësinë që e gjejmë sot veçse nëpërmjet atyre përpjekjeve të mëdha për transmetimin dhe ruajtjen e tij saktësisht sikurse u shpall nga Zoti i gjithësisë. Sahabët, tabi’inët, nxënësit e tyre dhe dijetarët e mëdhenj udhëtuan gjatë, vuajtën shumë, u ndanë nga familjet dhe të dashurit dhe u larguan për vite të gjata nga vendet dhe pasuritë e tyre për të kërkuar dhe mbledhur hadithin e Pejgamberit (alejhi selam). Ata shpenzuan jetën dhe pasuritë e tyre për hir të transmetimit dhe ruajtjes saktësisht të hadithit të Pejgamberit (alejhi selam).
[1] Shih “Kauaid et-tahdith” fq 72, 73.
[2] Shih “El xhamiu li ahlaki er-raui”
[3] Shih: “Mea’rifetu ulumi el hadith” fq 8.
[4] Shih “El kinajet fi ilmi er-riuajeti” fq 402.
[5] Shih: “Mea’rifetu ulumi el hadith” fq 8.
[6] E transmeton ibn Maxheh.