Prijësi i besimtarëve, Umer Ibn Hattabi (radijAllahu anhu) u vra pabesisht nga dora e Fejruzit ose siç quhej ndryshe Ebu Lu’lueh, skllavi persian i Mugira Ibn Shu’bes. Ky mexhus (idhujtar, adhurues i zjarrit) ishte sjellë nga Iraku që t’u mësonte muslimanëve disa lloje zanatesh që zotëronte, siç ishin: zdrukthtaria, gdhendja, farkëtaria, etj. Ai kishte përgatitur një thikë të helmatisur për të vrarë halifen e muslimanëve.
Një ditë, herët në mëngjes, kur njerëzit ishin bërë gati të falnin namazin e sabahut, ai ishte fshehur në një cep të xhamisë për të kryer aktin e dij djallëzor. Qëndroi në heshtje, derisa muslimanët filluan faljen. Umeri, i cili po u printe njerëzve në namaz, ishte duke lexuar një pjesë nga Kur’ani ndërkohë që krimineli mexhus doli vetëtimthi nga vendi ku ishte fshehur dhe e goditi Umerin me thikë gjashtë herë, njëra prej të cilave ishte poshtë kërthizës, e që u bë shkak i vdekjes së tij. Bashkë me Umerin vrasësi theri edhe trembëdhjetë burra gjatë ikjes së tij mes rreshtave, shtatë prej të cilëve vdiqën.
Në fund, ky kriminel kur e kuptoi se nuk mund të ikte, e nguli thikën në kraharorin e vet dhe u vetëvra. Umeri pyeti Ibn Abassin se kush e kishte goditur. I thanë: “Fejruz el mexhusi”. Umeri tha: “Allahu e vraftë! Unë i kam bërë mirë atij njeriu, përse ma shpërbleu në këtë mënyrë?!” Pastaj tha: Falënderoj Allahun që më ka goditur dikush, i cili nuk është musliman dhe nuk i ka bërë Allahut asnjë sexhde.
Pas kësaj ngjarjeje, Umeri jetoi edhe tri ditë të tjera dhe ndërroi jetë më datë 26 të muajit Dhul-Hixhe, të vitit 23 hixhri. Atë e lau, e qefinosi dhe ia fali namazin djali i tij, Abdullahu. Umeri u varros pranë dy shokëve të tij, Pejgamberit (salAllahu alejhi we selem) dhe Ebu Bekrit. Allahu qoftë i kënaqur prej Umerit, prijësit të besimtarëve dhe na bashkoftë me të në Xhennet!