Ai është Umer Ibn Hattab Ibn Nufeil Ibn Abdul Uza Ibn Rabah nga fisi Benu Adij Ibn Kab, një prej fiseve Kurejshe. Prejardhja e tij kryqëzohet me atë të Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tek gjyshi i shtatë Ka’b Ibn Luej.
Ofiqi i tij ka qenë El Faruk (Dalluesi, Ndarësi), të cilin ia vendosi Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kur ai pranoi Islamin. Umeri (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) ka lindur trembëdhjetë vjet pas Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!).
Ai kishte trembëdhjetë fëmijë, një prej tyre ishte edhe Hafsa, e cila ka qenë bashkëshortja e Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Më i dëgjuari prej fëmijëve të tij ishte sahabi i nderuar Abdullah Ibn Umeri, i cili ka transmetuar shumë hadithe. Gjysmën e parë të jetës, Umeri e kaloi në idhujtari. Ai dinte të shkruante e të lexonte dhe të tillët, në atë kohë në Mekke kanë qenë fare pak në krahasim me numrin e popullsisë.
Në fëmijërinë e tij, Umeri ka bërë një jetë të vështirë. I ati e kishte ngarkuar të ruante devetë nëpër kullota dhe Umeri ishte privuar nga jeta e rehatshme e qytetit. Më vonë, kur u rrit, ai u bë tregtar dhe shtegtoi me karvane, një angazhim ky që ia zgjeroi horizontin e njohurive dhe e shndërroi në një prej pasanikëve të Mekkës. Njëkohësisht, zuri vend dhe pozitë të nderuar në shoqërinë Mekase të asaj kohe.
Umeri e jetoi gjysmën e jetës sipas traditës idhujtare të asaj kohe, dhe duke e njohur mirë realitetin e asaj mënyre jetese, është shprehur: “Frikësohem për brezin e ri se nuk do t’ia njohin vlerëne e vërtetë kësaj feje pasi ata nuk kanë jetuar kohën e injorancës (para islamit). [1]
Që në moshë të re, Umerit i dëgjohej fjala. Ai pajtonte dhe shuante grindjet mes fiseve Kurejshe, kur ata grindeshin me njëri-tjetrin dhe në të njëjtën kohë ishte ambasador i Kurejshëve kur ata konfliktoheshin me fiset e tjera të Gadishullit Arabik. Umeri (radijAllahu anhu) ishte i fortë, i pashëm, njeri autoritar dhe shumë i vendosur.
Para se të pranonte Islamin, ai sillej shumë ashpër me muslimanët. Seid Ibn Zejdi, djali i xhaxhait të Umerit, thotë: “Kur unë pranova Islamin dhe u bëra musliman, Umeri më ka rrahur dhe më ka lidhur që të më pengonte nga i Dërguari i Allahut.” [2] Pra, kështu vepronte Umeri, me qëllim që të largonte muslimanët nga feja e tyre, por ashpërsia e tij e jashtme fshihte pas saj mëshirë dhe butësi.
Shenja e parë e besimit të Umerit u vërejt ditën kur ai pa disa gra muslimane, të cilat bashkë me fëmijët e tyre po bëheshin gati të braktisnin vendin e tyre, për të shkuar në Abisini, për shkak të mundimeve që përjetonin prej idhujtarëve. Ato kishin lënë shtëpitë e tyre dhe gjithçka që kishin, për të ruajtur fenë dhe besimin. Kjo skenë ia theu zemrën Umerit dhe filloi ta vriste ndërgjegjja, aq sa nuk ngurroi të shprehte keqardhje.
Ummu Abdullah bint Hanteme ka thënë: “Kur po bëheshim gati të shpërnguleshim nga Meka, Umeri kaloi aty pranë. U trembëm, pasi më parë, prej tij kishim përjetuar kërcënime, mundime e tortura. Ai dukej i heshtur, pastaj u drejtua nga unë dhe tha: “A po largoheni, o nëna e Abdullahut?” Iu përgjigja: “Po, do të shkojmë, se toka e Allahut është e gjerë! Ju na munduat dhe na torturuat, ndaj ne do të largohemi, derisa Allahu të na japë rrugëzgjidhje.” Umeri i tha: “Allahu qoftë me ju!”
Ummu Abdullah vazhdoi: “Tek ai pamë një dhembshuri dhe butësi, të cilën nuk e kishim pikasur kurrë më parë.” Për këtë ndodhi i tregova bashkëshortit tim Amir Ibn Rabias: “Më duket se Umeri po bëhet musliman.” Ai m’u përgjigj: “Kur të bëhet musliman gomari i Hatabit, atëherë mund të bëhet edhe Umeri!” [3]
Mirëpo, ai e kishte gabim, pasi nuk kaloi shumë kohë nga ajo ngjarje dhe me të vërtetë Umeri e pranoi Islamin, sigurisht edhe për shkak të lutjes që Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bënte për udhëzimin e tij. Ai lutej duke thënë: “O Allahu im! Ndihmoje Islamin me njërin nga këta të dy, cili të jetë i dashur për Ty: me Ebu Xhehl Ibn Hishamin ose me Umer Ibn Hatabin!” Dhe me të vërtetë, i dashuri për Allahun e Lartësuar ishte Umeri.” [4]
[1] Kur njeriu lind në mesin e të mirave, mbase nuk është në gjendje t’i vlerësojë ato ashtu siç duhet, ndërsa nëse njeriu ka jetuar një periudhë kohe në vështirësi, e pastaj Zoti ia lehtëson punët dhe e begaton, e ka më të lehtë që të jetë falënderues.
[2] Transmeton Buhariu me nr 3862
[3] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh 1/371, Hejthemiu në Mexhmeu ez-zeuaid nr 9840, Albani në Sahih es-sijrah en-nebeuijeh fq 189.
[4] Transmeton Tirmidhiu, nr. 3 681 dhe e ka saktësuar Albani në Sahihu Suneni Tirmidhij, nr. 2 907