Uthmani (radijAllahu anhu) ishte njeri i devotshëm, i virtytshëm, i butë, i mëshirshëm dhe shumë bujar. Mirëpo, këto cilësi të tij nuk arritën t’i ndalnin munafikët, havarixhët dhe armiqtë e fesë islame që të thurnin plane për vrasjen e tij. Kreu i tyre ishte një çifut, i cili njihej me emrin Ibn Sebe, armik i përbetuar i muslimanëve.
Ky hipokrit e pranoi Islamin sa për sy e faqe dhe nisi të sillej vërdallë nëpër vendet islame, duke përhapur shpifje se gjoja Uthmani (radijAllahu anhu) ishte i padrejtë në qeverisjen e tij dhe i mundonte muslimanët. Ai përpiqej ta paraqiste situatën si kaotike dhe shprehej se Aliu (radijAllahu anhu) ishte ai që e meritonte udhëheqjen në vend të Uthmanit (radijAllahu anhu).
Ai përhapte fjalë se Uthmani nuk kishte marrë pjesë në luftën e Uhudit, se ai kishte urdhëruar të digjej Kur’ani dhe se ai emëronte të afërmit e tij për guvernatorë. Shpifjet e munafikut Ibn Sebe patën ndikim aq të madh në Kufa, Basra dhe Egjipt, sa prej këtyre vendeve u nis nga një delegacion për në Medinë, për t’u sqaruar me Uthmanin (radijAllahu anhu). Këto delegacione që kryesoheshin nga Abdullah Ibn Sebe u takuan me Uthmanin dhe Aliun (radijAllahu anhum).
Delegacioneve iu bë e qartë se situata ishte ndryshe nga informacionet që ata kishin dhe se akuzat që kishin dëgjuar në lidhje me Uthmanin ishin shpifje që synonin prishjen e unitetit dhe dëmtimin e udhëheqësit të muslimanëve. Ata morën premtimin se nëse do të evidentohej ndonjë gabim apo parregullsi, kjo do të rishikohej dhe korrigjohej menjëherë.
Pasi e përfunduan misionin për të cilin kishin ardhur, delegacionet dolën nga Medina për t’u kthyer në vendet e tyre. Abdullah Ibn Sebe kur e pa se dredhia e tij nuk funksionoi, thuri një tjetër, ku me anë të një letre drejtuar valiut të Egjiptit, të cilën e falsifikoi sikur e kishte shkruar Uthmani (radijAllahu anhu), urdhëronte që të ekzekutonte të gjithë anëtarët e delegacionit që po kthehej nga Medina.
Abdullah Ibn Sebe e dërgoi këtë letër me një korrier, i cili i vinte rreth e rrotull delegacionit egjiptian. Njerëzit që kujdeseshin për sigurinë e delegacionit, pasi vërejtën lëvizjet e dyshimta të këtij njeriu, e ndaluan dhe pas një kontrolli i gjetën letrën e falsifikuar. Duke rënë pre e kësaj dredhie, ata u kthyen përsëri drejt Medinës. Ndërkohë, lajmëruan edhe delegacionet e qyteteve të tjera që të ktheheshin në Medinë. Me të hyrë në qytet, menjëherë rrethuan shtëpinë e Uthmanit.
Megjithëse Uthmani (radijAllahu anhu) u përpoq t’ua shpjegonte faktin që nuk kishte asnjë lidhje me atë letër, ata nuk donin t’ia dinin, por u mjaftuan me thirrjen: “Ti je tradhëtar dhe meriton vdekjen!” Rebelët e mbajtën Uthmanin të ngujuar në shtëpinë e tij për dyzet ditë me radhë. Në fillim e lejuan që të dilte vetëm për kohët e faljes në xhami, por më vonë ia ndaluan këtë gjë, përveç ditës së premte, në të cilën mbante hytben e Xhumasë. Kur vendosën ta pengonin edhe për namazin e Xhumasë nisën ta gjuanin me guralecë gjatë hutbes dhe i thërrisnin vulgarisht: “Zbrit, zbrit o plak!” Një prej ditëve i morën shkopin e Profetit (salAllahu alejhi we selem), në të cilin mbështetej gjatë ligjërimit dhe e thyen.
Më pas ia ndërprenë edhe ujin që e furnizonte në shtëpi. Kur e pa këtë gjendje, Uthmani (radijAllahu anhu) kërkoi një takim me drejtuesit e revoltës, të cilëve iu tha: “Po ju pyes në emër të Allahut dhe me të drejtën e Islamit! A e dini se kur Profeti (salAllahu alejhi we selem) erdhi në Medinë, këtu nuk kishte mjaftueshëm ujë të pijshëm, përveç pusit të Rumes, për të cilin Profeti (salAllahu alejhi we selem) tha: “Kush e blen pusin e Rumes dhe e bashkon kovën e tij me kovat e muslimanëve (e lë sadaka ujin e pusit), Allahu do t’ia zëvendësojë me një pus më të mirë në Xhennet?” A nuk isha unë që e bleva atë, ndërsa ju sot më ndaloni që të pi prej tij dhe më lini të pi ujë të kripur?” [1] Ata iu përgjigjën: “Po, ashtu është!”
Uthmani (radijAllahu anhu) vazhdoi: “Po ju pyes në emër të Allahut dhe me të drejtën e Islamit! A e dini se kur hapësira e xhamisë nuk mjaftonte më për njerëzit, Profeti (salAllahu alejhi we selem) tha: “Kush e blen tokën e filanit që t’ia shtojë xhamisë dhe Allahu do t’ia zëvendësojë me më të mirë në Xhennet?” A nuk isha unë, ai që e bleva me pasurinë time, kurse ju sot më ndaloni që të falem në të, qoftë edhe dy rekate?” Ata sërish pohuan: “Po, ashtu është!”
Uthmani (radijAllahu anhu) vazhdoi përsëri: “Po ju pyes në emër të Allahut dhe me të drejtën e Islamit! A e dini se unë jam ai që përgatita ushtrinë e vështirësisë, për të cilën Profeti (salAllahu alejhi we selem) tha: “Kush i përgatit ata, Allahu do t’ia falë atij mëkatet?” Ata pohuan: “Po, ashtu është!” [2]
“Po ju pyes në emër të Allahut dhe me të drejtën e Islamit! A e dini se kur Profeti (salAllahu alejhi we selem) ishte mbi mal së bashku me Ebu Bekrin, Umerin dhe me mua, mali u drodh, atëherë Profeti (salAllahu alejhi we selem) e goditi me këmbë dhe i tha: “Qëndro se ke mbi vete një Profet, një të sinqertë dhe dy shehidë.”? Ata thanë: “Po, ashtu është!” Atëherë, Uthmani (radijAllahu anhu) thirri: “Allahu është më i madhi! Betohem në Zotin e Qabes, se ju dëshmuat për mua që jam shehid (e përseriti tri herë këtë thirrje)!” [3]
Shumica e sahabëve ishin të shpërndarë anembanë viseve të reja që hynin në Islam, për t’u mësuar njerëzve fenë. Ajo pakicë që ndodhej në Medinë ishte mbledhur rreth Uthmanit (radijAllahu anhu), të gatshëm për ta mbrojtur, [4] mirëpo ai i ndaloi rreptësisht të preknin armët, pasi nuk donte të shkaktonte gjakderdhje mes muslimanëve. Uthmani nuk pranoi kurrësesi që të vritej ndokush për të mbrojtur jetën e tij. Ai e dinte se do të binte shehid, ashtu siç ishte lajmëruar më herët nga Profeti (salAllahu alejhi we selem) dhe i urdhëroi sahabët që të shkonin në shtëpitë e tyre. [5]
Një natë para se të vritej kishte bërë nijet që të nesërmen të agjëronte. Aty, nga fundi i natës pa në ëndërr Profetin (salAllahu alejhi we selem), i cili i tha: “Të kanë rrethuar o Uthman?! Të kanë ndërprerë edhe ujin, o Uthman?! Nëse ti dëshiron, mund të fitosh kundër tyre, në të kundërt, nëse dëshiron mund të vish e ta çelësh iftarin këtu tek ne.” Dhe i zgjati një enë me ujë. Më pas, kur u zgjua, bashkëshortja e tij i solli ujë që të pinte, por ai tha: “Unë sot agjëroj dhe iftarin nuk do ta çel këtu…” dhe i tregoi ëndrrën që kishte parë. [6]
Mëngjesin e asaj dite, agresorët u futën në shtëpinë e Uthmanit, ndërkohë që ai po lexonte Kur’an. Një burrë egjiptian që quhej Xhebleh nga fisi Benu Sedus iu afrua dhe e gjuajti me shpatë. Uthmani u mbrojt me dorën e djathtë, të cilën ia këputi goditja e shpatës dhe gjaku rrodhi mbi ajetin Kur’anor: “Allahu të mjafton ty kundër tyre.” (El-Bekare: 137) [7] Uthmani tha: “Betohem për Allahun! Me atë dorë i kam shkruar suret e xhuzit të shtatë të Kur’anit, ashtu siç m’i tregonte Pejgamberi.”[8]
Siç dihet, Uthmani ka qenë njëri ndër shkruesit e shpalljes. Gruaja e tij shpejtoi që ta mbronte nga një goditje tjetër, por edhe ajo u plagos në dorën e saj. Ajo u hodh mbi të shoqin që ta mbronte me trup dhe njëri prej agresorëve e ofendoi. Ajo tregon: “Ishte mëse e qartë që ata njerëz as nuk donin t’ia dinin çfarë është haram, apo hallall.” Pas kësaj erdhi goditja vdekjeprurëse, e cila e vrau Uthmanin (radijAllahu anhu), poseduesin e dy dritave, të tretin e të përgëzuarve me Xhennet. Kjo ndodhi ditën e Xhuma, më 18 Dhul-Hixhe të vitit 35 hixhri.
Allahu e mëshiroftë prijësin e besimtarëve, Uthman Ibn Afanin, i cili u vra padrejtësisht! Allahu qoftë i kënaqur me Uthmanin dhe na bashkoftë me të në Xhennetet e begata!
[1] Transmeton Ahmedi 1/75, Tirmidhiu, nr. 3 703 dhe Nesaiu 6/235.
[2] Transmeton Ahmedi 1/70, Nesaiu 6/46, Ibn Ebi Asimi, nr. 1303.
[3] Transmeton Tirmidhiu, nr. 3703 dhe e konsideroi hasen.Të njëjtin gjykim ka edhe Albani.
[4] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 763 nga Ibn Auni dhe nga Nafiu, i cili shton: “Ibn Umeri e ka veshur dy herë këmishën e hekurt (është përgatitur për luftë) ditën e vrasjes së Uthmanit.”
[5] Transmeton el-Lalekai në Sherhu usulil itikad (7/1430), nr. 2 568.
Nga Ebu Habibeh transmetohet se ka thënë: “Më dërgoi Zubejri tek Uthmani kur ai ishte i rrethuar. Ishte një ditë e nxehtë vere dhe e gjeta të ulur në karrige, e pranë tij qëndronin Husejn Ibn Ali, Ebu Hurejra, Abdullah Ibn Umeri, Abdullah Ibn Zubejri, etj. Unё i thashё: “Më ka dërguar Zubejr Ibn Awami, i cili të dërgon selamet e tij dhe tё thotë qё ёshtё nën urdhrat e tua dhe pavarёsisht nga ngjarjet, tek ai nuk ka ndryshuar asgjë (nuk e ka thyer besën e dhënë). Nëse dëshiron, mund tё vijё tek ty në shtëpi dhe tё jetё përkrah teje. Fisi Beni Amr Ibn Aufi i kanё dhёnё fjalёn se janë të gatshëm të mblidhen dhe të veprojnë si të urdhërosh.
Uthmani kur e dëgjoi mesazhin tha: “Allahu Ekber! Falënderimi i takon Allahut që e ka ruajtur vëllanë tim nga kjo trazirë. Ktheja selamin prej meje dhe i thuaj: “Nëse do jesh këtu, do jesh njëri nga tё vrarët, ndaj qëndrimi yt atje ku je është më i dashur për mua. Shpresoj që Allahu të të bëjë shkak për mbrojtjen e nderit tim, pas vdekjes.” Më pas, Uthmani na tha: “Unë me këmbëngulje kërkoj nga çdokush qё më bindet, të mos luftojë për mua!”
[6] Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 810 transmeton ngjashëm me këtë tekst dhe nё el-Lalekai në Sherhu usulil itikad, nr. 2 577, Hakimi 3/103, i cili e konsideroi Isnad i saktë dhe kёtё e ka miratuar edhe Dhehebiu.
[7] Transmeton Ahmedi ne Fedailu es-sahabeh, nr. 766.
[8] Nga sureja Kaf, deri në fund.