Veprat e Imam Muslimit janë të shumta dhe të mrekullueshme, por fatkeqësisht shumë prej tyre kanë humbur. Ndoshta me kalimin e ditëve mund të zbulohen punimet e tij dhe shumë e shumë punime të trashëgimisë tonë të vyer. Imam Muslimit i janë botuar 6 prej librave të tij.
1. “El kuna uel esma” i cili është botuar në dy vëllime. Ai që e ka saktësuar dhe ka punuar me të ka arritur gradën e doktoraturës me këtë punim. Imam Muslimi ishte prej Nejsaburi. Banorët e Nejsaburit kishin një stil të lartë jetese. Të tillë ishin edhe në shkrimet dhe në punimet e tyre. Punimet e Imam Muslimit janë të një niveli të vetëm dhe ato plotësojnë njëra-tjetrën. Librat e Imam Muslimit janë bash në qendër të njohurive të hadithit. Ai i shkroi ato për të plotësuar trashëgiminë e lënë nga të parët dhe përgjatë një kohe të gjatë të jetës së tij në kërkimin e dijes dhe hadithit.
Në këtë libër Imam Muslimi ka përmbledhur emrat e transmetuesve të hadithit, duke i renditur ata në varësi të kunjeve të tyre, të cilat i renditi sipas alfabetit duke marë për bazë vetëm gërmën e parë të kunjes. Ia nisi me kunjet e sahabëve, pastaj të tabi’inëve, pastaj të transmetuesve të njohur të hadithit. Ky nuk është një libër i kufizuar në kohë por ka një shtrirje të gjerë që nga koha e sahabeve deri në kohën e shujuhëve të Imam Muslimit. Disa jetëshkrues kanë përmendur se ky është një libër në “Xherh dhe ta’dil” (vërejtje dhe vlerësime rreth transmetuesve të hadithit), por pas leximit të këtij libri vërejmë se aty është përmendur vetëm xherh (vërejtje).
Shumë dijetarë të mëvonshëm si Imam El-Dhehebiu, Imam El-Mizzij, etj, që kanë shkruar rreth transmetuesve kanë përfituar shumë prej librit të Imam Muslimit. Imam Muslimi, në gjykimin që jep për transmetuesit konsiderohet prej mesatarëve, pra që as nuk e teprojnë në vërejtje por as nuk lëshojnë pe në vlerësime. Gjykimi i tij është i konsiderueshëm. Në këtë libër ai ka përmendur kunjet e atyre që u dihet emri dhe lë pa përmendur kunjet e atyre që nuk u dihet emri. Shejkhu i tij, Imam Buhariu shkroi një libër që është botuar në fund të librit “El tarih el kebir” dhe që titullohet “El kuna” ku ka përmendur vetëm kunjet e atyre që nuk u dihen emrat. Kështu libri i Muslimit është plotësues i librit të Buhariut.
Shumë shujuhë janë mbështetur në këtë libër. Madje mund të them se të gjithë dijetarët e Shamit të cilët i ka përmendur Imam Muslimi në librin e tij, i ka përmendur Ibn Asakir në librin e tij “Historia e Damaskut”. Ky libër është shfaqur nëpër librari në dy forma, por ato kanë gabime dhe shtrembërime të shumta aq sa nuk mund të mbështetesh në to. Në librin “Menhexh (metodologjia) e Imam Muslim në sahihun e tij” janë përmendur këto gabime.
2. “El tabakat” – Dijetarët e mëvonshëm kanë rënë në kundërshtim rreth emrit të këtij libri. Disa thanë se titullohet “Tabakat er-ruat” – “Shtresat e transmetuesve”, të tjerë e quajnë “Tabakatu tabi’in” – “Shtresat e tabi’inëve”, të tjerë e quajnë “Tabakatu sahabe” – “Shtresat e sahabëve”. Të tjerë i konsiderojnë këto libra të ndryshëm të Imam Muslimit. Por e vërteta është se ai është një libër i vetëm, dhe ai është botuar në dy vëllime. Ky libër është shumë i vyer, i vlefshëm dhe i dobishëm për atë që dëshiron të thellohet në njohurinë e transmetimit të hadithit (ilmu rivajeh). Në këtë libër përmenden veçse sahabët dhe tabi’inët. Ata janë burimi i njohurisë së hadithit. Imam Muslimi i ka renditur ata në një renditje të mrekullueshme. Kush i mëson ato arrin të krijojë një aftësi shumë të saktë dhe preçize në saktësimin e haditheve dhe gjykimin për to. Në njohurinë e “Tabakateve” – shtresave të transmetuesve, janë shkruar punime të vyera nga dijetarët. Prej tyre mund të përmendim “El tabakat” të Ibn Sa’d dhe “El tabakat” të El-Halifeh.
Le të përmendim shkurtimisht ndryshimet mes këtyre dy të fundit dhe librit të Imam Muslimit:
- Imam Muslimi ka përmendur vetëm sahabet dhe tabi’inët të cilët kanë transmetuar hadithe. Ndërsa të tjerët nuk i ka përmendur. Pra është një libër që i shërben vetëm nxënësve të hadithit.
- I vendosi sahabët në një nivel të vetëm pa dallim mes tyre. Ndërsa Ibn Sa’d i ka shpërndarë sahabët në 5 tabakate (nivele, shtresa), në varësi të kohëgjatësisë së pranimit të islamit, ndarje e cila u shërben shumë historianëve. Imam Muslimi ia filloi me sahabët e Medines pastaj me ata të Mekkës, pastaj me ata të Kufes, pastaj me ata të Basras, pastaj me ata të Shamit, pastaj me ata të Egjiptit. Në atë kohë rrugët e hadithit ishin përmes këtyre vendeve. Imam Muslimi ndoqi burimet e diturisë së hadithit. Më pas përmendi tabi’inët dhe i ndau në tre nivele me të njëjtën renditje. Pra përmendi tabakan e parë prej tabi’inëve të Medines, tabakan e dytë prej tabi’inëve të Medines, tabakan e tretë prej tabi’inëve të Medines. Pastaj përmendi tabakan e parë prej tabi’inëve të Mekkës, tabakan e dytë prej tabi’inëve të Mekkës, tabakan e tretë prej tabi’inëve të Mekkës. Pastaj përmendi tabakan e parë prej tabi’inëve të Kufes, tabakan e dytë prej tabi’inëve të Kufes, tabakan e tretë prej tabi’inëve të Kufes, e kështu me rradhë. Ai përmendi gjithashtu ata që vdiqën para vdekjes së Pejgamberit (alejhi selam), pastaj përmendi sahabijatet (gratë).
3. “El munferidat uel uihdat” i cili është botuar në dy botime, njëra prej të cilave në Indi. Në këtë libër ai ka përmendur ata prej të cilëve nuk ka transmetuar veçse filani (prej transmetuesve). Kjo është një njohuri që nuk mund ta arrijë veçse ai që ka lexuar dhe fiksuar plotësisht transmetuesit dhe transmetuesit prej tyre. Thotë përshembull: Prej këtij transmetuesi nuk ka transmetuar veçse filan transmetues, prej këtij transmetuesi nuk ka transmetuar veçse filan transmetues, prej këtij transmetuesi nuk ka transmetuar veçse filan transmetues, e kështu me rradhë. Kjo lloj njohurie të ofron shërbime dhe dobi të shumta. Në këtë libër Imam Muslimi ka përmendur ata transmetues të cilët nuk i ka përmendur në Tabakatet e tij. Pra ky është një libër plotësues i librit Tabakat. Kështu janë librat e tij, plotësuese të njëra-tjetrës.
4. “El temjiz” – Ky libër është një libër rreth defekteve të haditheve (El ilel). Ky libër është plotësues i Sahihut të Muslimit. Imam Muslimi në sahihun e tij sjell prej disa haditheve vetëm senedin e tyre pa sjellë tekstin për shkak të ndonjë defekti në të. Ndërsa në librin “El temjiz” e sjell tekstin dhe tregon defektin në të. Por për të ardhur keq ky libër nuk është i plotë.
5. “Transmetuesit e Urvetu Ibn Zubejr” i ndau ata në shtresa. Urvetu është nga sahabët që kanë transmetuar shumë hadithe të ashtu quajtur “el mukthirin”.
6. El xhamiu el sahih. Ky libër ka gjetur vend të rëndësishëm në vëmendjen e dijetarëve të cilët e kanë trajtuar këtë libër ose duke e shtjelluar, ose duke e sjellë të shkurtuar, dhe të tjera mënyra trajtimi.