Disa hadithe që dëshmojnë vlerën dhe pozitën e nderuar të Umer ibn Hattabit:
- Nga Aishja (radijAllahu anha) transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) lutej kështu: “O Allah! Lartësoje Islamin me Umer Ibn Hatabin!” [1]
- Nga Ibn Umeri transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu e ka vendosur të vërtetën në gjuhën dhe zemrën e Umerit.” [2]
- Nga Ebu Seidi transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Banorët e xhenetit që ndodhen në grada të larta do të shihen nga të tjerët poshtë tyre, ashtu siç shihen yjet në qiell. Padyshim, Ebu Bekri dhe Umeri do të jenë prej tyre, madje prej më të mirëve ndër ta”. [3]
- Nga Xhabiri (radijAllahu anhu) transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Pashë veten time që hyra në Xhenet dhe aty pranë ishte Rumejsa, gruaja e Ebu Talhas. Në një çast dëgjova hapat e dikujt dhe pyeta: “Kush është ky?” Më thanë: “Ai është Bilali”. Pashë një pallat ku pranë tij qëndronte një robëreshë. E pyeta: “I kujt është ky pallat?” Më thanë: “I Umerit.” Dëshiroja të hyja brenda e ta shikoja, por kujtova xhelozinë tënde, o Umer.” Umeri tha: “Kurban për ty qofshin nëna dhe babai im, o i Dërguari i Allahut! Si mund të jem xheloz për ty?!” [4]
- Nga Abdullah Ibn Umeri transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ndërsa flija, pashë në ëndërr sikur m’u dha një enë me qumësht, prej së cilës piva aq shumë sa vura re se po më kullonte nëpër gishtërinj. Pastaj ia dhashë enën Umer Ibn Hattabit.” “Si e komenton këtë ëndërr, o i Dërguari i Allahut?” – e pyetën sahabët. Ai u përgjigj: “Ajo është dituria.” [5]
- Nga Ukbeh Ibn Amiri transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Sikur të kishte pas meje ndonjë profet, ai do të ishte Umeri.” [6]
- Nga Ebu Hurejra transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Në popujt e mëparshëm ka pasur njerëz të inspiruar, [7] e nëse në umetin tim do të ketë ndonjë të tillë, padyshim ai është Umeri!” [8]
- Abdullah Ibn Hishami ka thënë: “Ishim një ditë me Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe ai po e mbante nga krahu Umerin (radijAllahu anhu). Umeri tha: “O i Dërguari i Allahut! Ti je më i dashur tek unë se çdo gjë tjetër.” [9]
- Nga Ibn Ebi Mulejkeh transmetohet se e ka dëgjuar Ibn Abassin të ketë thënë: “Pasi Umeri u sulmua pabesisht nga Ebu Lu’lue el Mexhusi, e morën ashtu të plagosur dhe e vendosën në shtrat. Njerëzit u mblodhën rreth tij dhe nisën të luteshin për të. Në një moment më tërhoqi vëmendjen një njeri që kishte kapur supin tim. Kthehem dhe shoh se ai ishte Ali Ibn Ebi Talibi, i cili, pasi u lut për Umerin tha: “Nuk ke lënë pas vetes njeri tjetër që të ketë kryer vepra më të mira se ti, o Umer. Ah, sa do të doja të dilja para Allahut me punë të mira si ato të tuat! Unë gjithmonë kam qenë i bindur se Allahu do të të bashkonte me dy shokët e tu (Profetin dhe Ebu Bekrin) sepse më kujtohet se sa shumë e dëgjoja Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) të thoshte: “Shkova unë Ebu Bekri dhe Umeri, hyra unë Ebu Bekri dhe Umeri, dola unë Ebu Bekri dhe Umeri …” [10]
- Nga Abdullah ibn Umeri transmetohet se Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e pa Umerin me një veshje të re dhe u lut për të kështu: “Allahu të mundësoftë të veshësh përherë rroba të reja, jetofsh me dinjitet dhe qofsh prej dëshmorëve!” [11]
- Enesi transmeton se një burrë e pyeti Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!): “Kur do të bëhet Kijameti?” Ai ia ktheu: “Çfarë ke përgatitur për atë Ditë?” Burri iu përgjigj: “Unë nuk jam përgatitur sa duhet për atë Ditë, por e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij.” Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “Ti do të jesh me ata që i do.” Enesi tha: “Nuk i jemi gëzuar aq shumë diçkaje tjetër pas mirësisë së Islamit, sesa iu gëzuam kësaj fjale: “Ti do të jesh me ata që i do”. Unë e dua Profetin (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Ebu Bekrin dhe Umerin, dhe shpresoj që të jem me ta, prej dashurisë që kam për ta, megjithëse veprat tona nuk mund të krahasohen me veprat e tyre. [12]
- Transmetohet se një djalosh nga fisi Beni Hashim i tha Aliut (radijAllahu anhu): “Të kam dëgjuar gjatë ligjërimit tënd të lutesh kështu: “O Allah! Na bëj të mirë, ashtu siç i bëre të mirë halifët e drejtë!” Djaloshi e pyeti: “Për cilët e ke fjalën?” Aliu tha: Ebu Bekrin dhe Umerin, dy imamët e udhëzimit, dy dijetarët e fesë. Ata duhet të merren si model për t’u pasuar, pas Profetit (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Kush ndjek gjurmët e tyre do të udhëzohet në rrugën e drejtë. Kush i pason ata e ka arritur të vërtetën dhe kush qëndron në anën e tyre është i palës së Allahut. Vërtet, pala e Allahut është ngadhënjyese.” [13]
[1] Transmeton Ibn Maxheh nr 105, e saktësoi Albani
[2] Transmeton Tirmidhiu, nr. 3 682 dhe e ka saktësuar Albani
[3] Transmeton Ibn Maxheh, nr. 96, e saktësoi Albani
[4] Transmeton Buhariu, nr. 3 679 dhe Muslimi, nr. 2 394
[5] Transmeton Buhariu, nr. 3 681 dhe Muslimi, nr. 2 391
[6] Transmeton Tirmidhiu, nr. 3 686 dhe Shejh Albani e ka cilësuar kështu: “Ky hadith së paku është i gradës hasen ose sahih.”
[7] I inspiruar, këtu ka kuptimin që flasin engjëjt nëpërmjet gjuhës së tij. Kështu citohet në një hadith merfu, të cilin e transmeton Ebu Seid el Hudrij. Ndërsa Aishja transmeton se El Mulhem (i inspiruar) konsiderohet ai person, tek i cili “lëshohet e vërteta në gjuhën e tij”.
Imam Muslimi transmeton nga Ibn Uehle për përkufizimin e fjalës i inspiruar, është t’ia qëllosh të vërtetës pa qenë profet. (Shpjegimi i termit mulhem në librin Lisanul arab 2/134, Sherhu Sahihi Muslim 5/166, Fet-hul Bari 7/50 dhe Medarixhus-salikin” 1/39.)
[8] Transmeton Buhariu, nr. 3 689 dhe Muslimi, nr. 2 398
[9] Transmeton Buhariu.
[10] Transmeton Buhariu, nr. 3 685 dhe Muslimi, nr. 2 389
[11] Transmeton Ibën Maxheh, me nr. 3 558. E ka saktësuar Albani në Es Sahiha 1/ 620.
[12] Transmeton Buhariu, nr. 3 688 dhe Muslimi, nr. 2 639
[13] Transmeton el-Lalekai, nr. 2 501