Ebu Umame (radijAllahu anhu) thotë: “Shkova tek i Dërguari (alejhi selam) dhe i thashë: ‘Më urdhëro për një vepër që ta marr nga ti!’ Ai më tha: ‘Mbaj agjërim, se nuk ka si ai!”. Në një variant tjetër thuhet se Ebu Umame (radijAllahu anhu) e pyeti të Dërguarin (alejhi selam): “Cila vepër është më e mirë?” Profeti (alejhi selam) u përgjigj: “Kushtoji rëndësi agjërimit, se nuk ka gjë që barazohet me të.”
Sipas një varianti tjetër, Ebu Umame tha: “Më urdhëro për një vepër, prej së cilës të hyj në Xhennet!” Profeti (alejhi selam) i tha: “Mbaj agjërim, se nuk ka si ai!” Transmetuesi thotë se pas kësaj, në shtëpinë e Ebu Umames nuk shihej tym gjatë ditës, vetëm kur u vinte ndonjë mik. Kur shihnin tym gjatë ditës, e kuptonin se u kishte ardhur ndonjë mik”.
Kurse në një variant tjetër, ai tregon: “I thashë: “O i Dërgari i Allahut, më urdhëro për ndojnë punë!” Profeti (alejhi selam) tha: “Agjëro, se nuk ka si ai.” Transmetuesi tregon se, pas kësaj, Ebu Umamen, gruan dhe shërbëtorin e tij i shihje veçse duke agjëruar. Ai, gjithashtu, thotë se, kur shihej që dilte tym gjatë ditës nga shtëpia e tyre thuhej: “U paska ardhur ndonjë mysafir”.
Ebu Umame vazhdoi këtë rrugë aq sa deshi Allahu. Më pas, ai tregon: “Shkova tek i Dërguari (alejhi selam) dhe i thashë: “O i Dërguari Allahut, na urdhërove që të agjërojmë dhe shpresojmë të na ketë bekuar Allahu në atë agjërim që kemi bërë deri më tani, por më urdhëro të bëj ndonjë punë tjetër.” Profeti (alejhi selam) tha: “Dije se, sa herë që bën një sexhde, Allahu të ngre për shkak të saj një gradë dhe të fshin një gjynah.”. [1]
Dobi dhe rregulla
E para: Interesimi i madh që kishin sahabët për gjërat që u bënin dobi në botën tjetër.
E dyta: Agjërimi është prej veprave më të mira. Ky hadith tregon se ai është puna më e mirë, ndonëse në një hadith tjetër thuhet për namazin se është vepra më e mirë. “Dijeni se vepra juaj më e mirë është namazi”.
Me sa duket, vlera e këtyre veprave ndryshon në varësi të personit. Agjërimi mund të jetë më i mirë për disa njerëz, ngaqë i frenon nga epshet e ndaluara dhe u pastron zemrën për të adhuruar Allahun e Lartësuar. Ndërsa namazi mund të jetë më i mirë për disa të tjerë, ngaqë trupi i tyre nuk e përballon agjërimin ose dobësohen për shkak të tij në kryerjen e adhurimeve tjera. Ibn Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Për atë që dominohet nga epshi ndaj grave, agjërimi është më i mirë sesa për të tjerët”.
E treta: Agjërimi i frenon dëshirat epshore, të cilat bëhen shkak për gjynahe e largim nga bindja ndaj Allahut. Prandaj të rinjtë që nuk kanë mundësi të martohen dhe kanë frikë se bien në haram janë urdhëruar të agjërojnë. Nuk ka vepër më të mirë për ta, sesa agjërimi, në këtë aspekt.
E katërta: Nënshtrim i menjëhershëm i Ebu Umames dhe pjesëtarëve të familjes së tij ndaj urdhrit të Profetit (alejhi selam). Ky është një fakt që tregon se sa të shpejtë ishin sahabët në zbatimin e urdhërave të fesë së dëlirë.
E pesta: Respektimi i mikut. Një mënyrë e respektimit është lënia e agjërimit vullnetar për hatër të tij.
[1] Shënon Nesai (4\165) dhe Ahmedi (5\248). E vlerëson të saktë Ibn Huzejme (1893), Ibn Hibani ( 3425), Hakimi (1\582) dhe El Hafidh në fet’h (4\104). Trasmentimi i parë dhe i dyti janë të Nesait. I treti është i Ibn Hibanit, kurse i katërti është i Ahmedit.