Përcillet se Ebu Dherri (radijAllahu anhu) ka thënë: “Njëherë, në kohën që agjëronim me të Dërguarin (alejhi selam) muajin e Ramazanit, ai nuk e fali asnjë natë me ne namazin e teravive derisa kishin mbetur vetëm shtatë netët e fundit të muajit. Kur kishin mbetur vetëm kaq netë (pra kur ishin në natën e 23 të muajit), ai u çua dhe fali me ne teravitë, derisa kaloi një e treta e natës. Një natë më pas nuk i fali me ne. Natën e pestën të mbetur na i fali gjersa kaloi gjysma e natës.
Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, sikur të na falje më tepër nafile me xhematë edhe pjesën e mbetur të natës…” Profeti (alejhi selam) tha: “Nëse burri falet me imamin, derisa ai të largohet, i llogaritet sikur është falur gjithë natën.” Ebu Dherri thotë më pas: “Natën e katërt të mbetur nuk na i fali. Kurse natën e tretë të mbetur, Profeti mblodhi familjen dhe njerëzit e tjerë dhe fali me ne teravitë derisa patëm frikë se mos na ikte felahu.” Transmetuesi thotë: “E pyeta: Ç’është felahu?” – “Syfyri” – më tha ai.” Profeti (alejhi selam) – vijon Ebu Dherri – nuk na i fali me xhemat pjesën e mbetur të muajit”. [1]
Dobi dhe rregulla
E para: Namazi i teravive është sunnet. Profeti (alejhi selam) i fali ato njëherë, dhe pastaj i ndërpreu, nga droja se mos bëheshin detyrë për muslimanët.
E dyta: Namazi i teravisë me xhematë në xhami është i ligjshëm edhe për gratë, sepse edhe Profeti (alejhi selam) grumbulloi familjen, gratë e veta dhe njerëzit, dhe u fal me ta.
E treta: Kush ngrihet e falet me imamin, derisa imami të largohet, do t’i shkruhet sikur është falur gjatë gjithë asaj nate. Muslimani nuk duhet ta neglizhojë këtë mirësi të madhe. Ai duhet të përpiqet që ta plotësojë namazin e teravive bashkë me muslimanët në çdo natë të Ramazanit. Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: “Të pëlqen që personi të falet vetëm në Ramazan apo me xhemat?” Ai tha: “Të falet me xhemat, se kështu ngjall sunetin profetik.” Pastaj tha: “Mua më pëlqen që t’i falë teravitë dhe vitrin me imamin”. [2]
E katërta: Namazi i teravive është sunnet që të falet në fillim të natës, siç ka vepruar i Dërguari (alejhi selam) dhe sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) është pyetur: “A duhet të shtyhet falja e namazit të natës – d.m.th teravisë – deri në fund të natës?” – “Jo, – u përgjigj ai, – tradita e muslimanëve më pëlqen më shumë”. [3]
Është pyetur dijetari i nderuar Abdulaziz Ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë!): “Po sikur besimtarët të bien dakord që namazin e vitrit ta falin në fund të natës?” – “Namazi me xhemat bashkë me njerëzit në fillim të natës është më mirë” – tha ai.
E pesta: Nëse njeriu është aktiv dhe ka forcë për të bërë adhurim, e plotëson namazin me muslimanët në fillim të natës, më pas, në fund të natës, falet më vete sa të dëshirojë. Në këtë mënyrë, ai arrin dy të mirat, faljen me imamin derisa ai largohet dhe mirësinë e namazit në fund të natës.
[1] Ebu Daudi (1375) dhe Tirmidhiu i cili thotë se hadithi është i mirë dhe i saktë (806). Shënon dhe Nesai (3\83), Ibn Maxhe (1327) dhe Ahmedi (5\163). Hadithin e ka vlerësuar të saktë Ibn Huzejme (2205) dhe Ibn Hibani (2547).
[2] Tuhfetu El Ahfedhi (3\448) shih: Mugni (1\457).
[3] EL Mugni (1\457).