Allahu i Lartësuar thotё: “Ne e zbritëm atë në një natë të begatë. Ne ua tërhoqëm vërejtjen. Në të ndahet çdo çështje e urtë.” (Ed-Dukhan)
Allahu i Lartësuar thotë: “Ne e zbritëm atë natën e Kadrit. E nga e di ti se ç’është nata e Kadrit. Nata e Kadrit është më e mirë se një mijë muaj. Në të zbresin melekët dhe Shpirti, me lejen e Zotit të tyre për çdo gjë. Ajo është paqe, derisa të lindë agimi.” (El-Kadr)
Nga Ebu Hurejra përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Kush çohet për natën e Kadrit me besim e me shpresë në shpërblim, atij do t’i falen të gjitha gjynahet e kaluara.” [1]
Në një transmetim tjetër të Buhariut thuhet: “Kush e kryen adhurime natën e Kadrit me besim e me shpresë në shpërblim, atij do t’i falen të gjitha gjynahet e kaluara.”
Nga Ebu Hurejra përcillet se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Ajo është nata e 27 ose e 29. Melekët atë natë janë në tokë me një numër më të madh se numri i guralecëve. [2]
Dobitë dhe dispozitat
E para: Vlera e madhe që ka nata e Kadrit, që do ta shpjegojmë më poshtё:
- Ajo ka vlerë të madhe tek Allahu i Lartësuar.
- Ajo është më e mirë se një mijë muaj, që janë të barabartë me tetëdhjetë e tre vite e katër muaj.
- Numri i madh i melekëve që zbresin në të, aq sa ia kalojnë numrit të guralecëve të tokës.
- Kur’ani madhështor është zbritur në këtë natë, pra, natën e Kadrit.
- Shpëtimi prej ndërshkimit atë natë është i madh, i cili mundësohet me anë tё adhurimit e veprave të mira që kryejnë robërit e Allahut. Ajo është shpëtim, që vjen prej mëshirës dhe faljes që hedh Allahu mbi robërit e Tij. Ajo natë është shpëtim prej zjarrit të Xhehenemit.
- Ajo është natë e begatë, për shkak të vlerave dhe veçorive të shumta të saj.
- Kush kryen adhurime këtë natë duke besuar në premtimin e Allahut dhe duke shpresuar në shpërblimin e saj, do t’i falen gjynahet që ka bërë para saj.
- Natën e Kadrit shkruhet çdo gjë që do të ndodhë përgjatë gjithë vitit.
- Kush e gjallëron këtë natë me adhurim fiton një pozitë të lartë tek Allahu, si edhe meriton mëshirën dhe faljen e Tij.
E dyta: Muslimani duhet të përpiqet ta arrijë natën e Kadrit. Këtë duhet ta bëjë duke u kujdesur për kryerjen e namazit të natës përgjatë dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, si edhe me lutje e përmendje të Allahut. Ndaj një nate që ka këto vlera neglizhon vetëm se një person i privuar. Lusim Allahun të mos na privojë prej vlerës dhe mirësisë së saj.
E treta: Mirësia e natës së Kadrit qëndron te mirësia e veprave gjatë saj, sepse për atë që përpiqet me adhurime këtë natë, vlera e tyre kap atë të vlerës së një mijë muajve me adhurime, dhe kjo pa dyshim që është një mirësi madhështore prej Allahut të Lartësuar.
E katërta: Një prej mirësive të Allahut mbi këtë ummet është edhe dhurimi i kësaj nate për çdo vit, e për këtë falënderimi i takon Allahut.
E pesta: Nata e Kadrit është pa diskutim nata më e mirë. Nuk është e saktë të thuhet që nata e xhumasë është më e mirë se ajo, por nëse ndodh që nata e Kadrit përkon me natën e xhumasë, atëherë kemi mirësi mbi mirësi.
E gjashta: Nata e Israsë dhe Miraxhit sa i përket të Dërguarit të Allahut është më e mirë se nata e Kadrit, sepse atë natë ai u ngrit në qiell, ku i foli vetë Zoti i Lartësuar. Ky është nderimi dhe pozita më e lartë. Ndërsa për besimtarët muslimanë, përfitimet në natën e Kadrit janë më të mëdha e më të shumta se të natës së Israsë e Miraxhit. [3]
E shtata: Disa dijetarë kanë thënë se kjo natë madhështore është një prej veçorive të këtij ummeti. Kjo është përmendur edhe në disa hadithe të dobëta. Gjithashtu, gjenden hadithe të tjera që tregojnë se ajo ka qenë edhe për popuj të tjerë para nesh ose për profetët e tyre, por edhe këto hadithe janë të dobëta. [4]
E teta: Në një transmetim te Sahihu i Muslimit thuhet: “Kush ngrihet natën e Kadrit dhe rastis në të, me besim e me shpresë, atij i falen gjynahet.” Të mbështetur në këtë transmetim, disa kanë thënë se natën e Kadrit mund ta arrijë vetëm një person i cili e gjen se ajo natë në të cilën ai po bën përpjekje është pikërisht nata e Kadrit.
Mirëpo teksti i drejpërdrejtë i hadithit nuk tregon për diçka të tillë. Ky hadith tregon se natën e Kadrit e arrin secili musliman që kryen ibadet atë natë, me qëllimin që të arrijë natën e Kadrit, edhe pse ajo vetë mund të ketë qenë nata e Kadrit, apo edhe pse personi nuk e di që ajo ka qenë në të vërtetë nata e Kadrit. [5]
Sido që të jetë, muslimani duhet të përpiqet në secilën natë të dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, duke qenë se ka mundësi që secila të jetë nata e Kadrit, se kështu mund ta qëllojë atë.
[1] Buhariu 35, Muslimi 760.
[2] Ahmed 2/519, saktësoi Ibn Khuzejme 2194, Albani e ka konsideruar hadith të mirë (Hasen) shih Sahiha 2205.
[3] Mexhmu el Fetawa, Ibn Tejmijeh 25/286.
[4] Prej haditheve që tregojnë se nata e Kadrit ka qenë edhe per popujt e tjerë para nesh, është ai i Ebu Dherit, ku thuhet: “Unë pyeta të Dërguarin e Allahut: Ajo ka për të qenë me profetët derisa të jenë ata dhe kur të mos jenë më do të ngrihet, apo do të jetë deri në ditën e Kijametit? Ai tha: ‘Deri në ditën e kijametit.” Këtë e transmeton Ahmedi 5/171, En Nesai 3427, e ka saktësuar Hakimi sipas kushteve të Muslimit dhe e ka miratuar Dhehebiu 1/307.
Mirëpo, hadithin e ka konsideruar si të dobët Albani në shkrimet e tij ndaj Sahih Ibn Khuzejme 2170, duke argumentuar se në zinxhirin e transmetimit të këtij hadithi gjendet Murthed Ez Zimanij, i cili është i panjohur dhe Ukajli ka thënë se ky person, në hadithet që transmeton, nuk ka njeri që ta fuqizojë (ose nuk gjendet dikush tjetër që të transmetojë po atë hadith që transmeton ai).
Ndërsa për natën e Kadrit si veçori e këtij ummeti, Imam Malik transmeton me sened të shkëputur se të Dërguarit të Allahut ju tregua mosha e popujve të mëparshëm, kështu që mosha e njerëzve të popullit të tij iu duk e shkurtër dhe se me këtë nuk mund të arrinin të punonin vepra të mira aq shumë sa punuan popujt e kaluar të cilёt jetonin shumë më gjatë. Për këtë arsye, Allahu i dha atij natën e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj. Këtë e transmeton Maliku në Muwata me termim ‘më ka arritur’ 1/321.
Hafidh Ibn Adul Bar ka thënë: ‘Nuk di që ky hadith të transmetohet me sened të plotë, qoftë edhe me ndonjë rrugë të vetme, dhe nuk di të gjendet diku tjetër përveç Muwata-s me sened (zinxhir transmetimi të plotë) apo mursel (me zinxhir transmetimi të shkëputur). ‘Et Temhid’ 24/373.
Një hadith që përcillet prej Enesit thotë: ‘Allahu i Lartësuar i dhuroi ummetit tim natën e Kadrit dhe nuk ja ka dhënë atë atyre që ishin para jush.’ (Transmeton Dejlemi, 647). Në fakt, ky hadith është i trilluar, sikurse sqarohet në Daif al Xhami’u (1669).
Neveviu, duke radhitur veçorite e natës së Kadrit, ka thënë: ‘Kjo natë është e veçantë për këtë ummet, që Allahu e nderoftë, dhe nuk ka qenë për ata që ishin para tij, dhe ky është mendimi i saktë dhe i njohur të cilin e kanë zgjedhur të gjithë shokët tanë dhe shumica e dijetërëve.” El Mexhmu 6/457.
[5] Tarh et Tethrib 4/164.