Allahu i Lartësuar thotë në Kuran: “Prandaj më kujtoni Mua, që Unë t’ju kujtoj juve. Më falënderoni e mos i mohoni mirësitë e Mia” (Bekare: 152). “O besimtarë, përmendeni shpesh Allahun.” (Ahzab: 41) “Ata që i bëjnë shumë dhikër Allahut (e përmendin) dhe ato që i bëjnë shumë dhikër Atij, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh”. (Ahzab: 35) “Përmende Zotin tënd me vete, i përulur dhe me frikë – jo me zë të lartë, – në mëngjes dhe mbrëmje, dhe mos u bëj nga ata që janë të shkujdesur” (Araf: 205)
Ndërsa Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Shembulli i atij që e përmend Zotin e tij dhe atij që nuk e përmend Zotin e tij, është si shembulli i të gjallit me të vdekurin”. [1]
“A t’ju tregoj punën më të mirë që ju mund të bëni, që ju quhet më e pastër e më e begatë te Zoti juaj, që ju ngre më lart në gradat tuaja në Xhennet, që është më e mirë për ju sesa të shpenzoni arin dhe argjendin në rrugë të Allahut dhe më e mirë sesa të përlesheni në luftë me armikun e kështu t’i vrisni dhe t’ju vrasin?” Ata thanë: “Po si jo”. Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Të përmendësh Allahun e Lartësuar”. [2]
“Allahu i Lartësuar thotë: ‘Unë do të sillem me robin Tim ashtu si mendon ai se do të veproj me të. Unë jam me të (me mëshirën, ndihmën dhe suksesin që i jap) kur ai më përmend. Nëse ai më përmend në vetvete, Unë e përmend në Vetvete. Nëse ai më përmend në një grup, Unë e përmend në një grup më të mirë (te melekët e afruar tek Ai). Nëse ai afrohet tek Unë një pëllëmbë, Unë afrohem drejt tij një kut (sa një parakrah). Nëse ai afrohet tek Unë një kut, Unë afrohem drejt tij një pash. Nëse ai vjen tek Unë duke ecur, Unë do të shkoj drejt tij me nxitim. [3]
Abdullah Ibn Busri tregon se një burrë tha njëherë: “O i Dërguari i Allahut, punët (nafile) të islamit më janë bërë shumë (dhe nuk kam mundësi t’i kryej). Ndaj, më trego diçka me shpërblim të madh që të merrem me të.” Pejgamberi (alejhi selam) i tha: “Mbaje gjuhën vazhdimisht të njomë me dhikrin e Allahut”. [4] Pejgamberi (alejhi selam), po ashtu, ka thënë: “Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, do të fitojë një sevap. E një sevap shpërblehet me dhjetëfishin e tij. Nuk po ju them se “elif, lam, mim” bashkë llogariten si një shkronjë, por “elif” llogaritet një shkronjë, “lam” një shkronjë dhe “mim” një shkronjë më vete.” [5]
Ukbe Ibn Amir tregon se, njëherë, kur i Dërguari i Allahut (alejhi selam) doli, ne ishim në Suffe (strehë nën hije, në xhaminë e Pejgamberit, ku strehoheshin të varfërit që nuk kishin ku të banonin). Ai tha: “Cili prej jush dëshiron të shkojë herët çdo ditë në But’han ose në Akik (emra luginash në afërsi të Medines) e të sjellë prej andej dy deve me gunga të mëdha, jo në mënyrë të paligjshme (si me vjedhje, plaçkitje etj.) dhe as duke cënuar lidhjet farefisnore?” Ne i thamë: “Të gjithë e pëlqejmë këtë gjë, o i Dërguari i Allahut”. Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Të shkoni në xhami e të mësoni ose lexoni dy ajete prej Librit të Allahut të Lartësuar, është më e mirë për ju se dy deve. Po ashtu, tri ajete janë më mirë se tri deve, katër ajete janë më mirë se katër deve; e kështu, çdo ajet më tepër që mësoni apo lexoni është më mirë se çdo deve më tepër.” [6]
Gjithashtu Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kushdo që ulet diku dhe nuk përmend Allahun aty, Allahu do të bëjë që, për shkak të kësaj shkujdesjeje, të dëshpërohet; dhe kushdo që shtrihet diku dhe nuk e përmend Allahun aty, Allahu do të bëjë që të dëshpërohet”. [7] “Nëse disa njerëz ulen në një tubim dhe nuk e përmendin Allahun aty e as bëjnë salavatë për Pejgamberin (alejhi selam), Allahu do të bëjë që të dëshpërohen. E kështu, nëse Allahu dëshiron, i dënon, e nëse dëshiron, i fal”. [8] “Ata njerëz që ngrihen nga një kuvend pa përmendur Allahun aty, ngrihen njësoj si nga një vend ku ka kërmë gomari dhe, do të pendohen në Ditën e Gjykimit”. [9]
[1] Buhariu dhe Muslimi, por ky i fundit e sjell me këto fjalë: “Shtëpia në të cilën përmendet Allahu dhe shtëpia në të cilën nuk përmendet Allahu është si shembulli i të gjallit me të vdekurin.”
[2] Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe; Sahih Tirmidhi.
[3] Buhariu dhe Muslimi.
[4] Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe; Sahih Tirmidhi.
[5] Tirmidhiu.
[6] Muslimi.
[7] Ebu Daudi; Sahihul Xhami.
[8] Tirmidhiu; Sahih Tirmidhi.
[9] Ebu Daudi dhe Ahmedi; Sahihul Xhami.