Nga Enesi Ibn Maliku (radijAllahu anhu) përcillet se Profeti (alejhi selam) ka thёnё: “Hani syfyr, se me tё vёrtetë syfyri ka bereqet”. [1]
Amru Ibn el Asi tregon se Pejgamberi (alejhi selam) ka thёnё: “Dallimi mes agjёrimit tonё dhe agjёrimit tё ithtarёve tё Librit ёshtё vakti i syfyrit.” [2]
Irbad Ibn Sarijeh rrëfen: “Mё ftoi njëherë Pejgamberi (alejhi selam) pёr tё ngrёnё ushqim syfyri nё Ramazan, duke më thënë: “Eja nё njё mëngjes tё begatshëm!”. [3]
Mikdam Ibn Meadijkerib përcjell se Pejgamberi (alejhi selam) ka thёnё: “Hani vaktin e syfyrit, se ai ёshtё me tё vёrtetё ushqim i begatshëm”. [4] Kuptimi ёshtё që ta mos e lëmë asnjëherë pa ngrënë vaktin e syfyrit.
Në hadithin e mësipërm është përdorur fjala arabe Es-sehur, në gjuhën shqipe syfyri, që nënkupton ushqimin e pregatitur për atë vakt. Gjithashtu po kjo fjalë arabe duke marrë një formë tjetër si Es-suhur, nënkupton veprimin e ngrënies në kohën e syfyrit. Kjo formë rrjedh nga fjala es-sehar që tregon pjesën e fundit të natёs. [5]
Bereqeti (begatia) ёshtё ekzistenca e hajrit të krijuar nga Allahu nё diçka me bollëk dhe vazhdimësi; mirësi pas mirësie. [6]
Për hadithin: “Eja nё njё mëngjes tё begatshëm”, Hattabi (Allahu e mёshiroftё!) thotë: “Është quajtur ‘mëngjes’, sepse ky vakt e forcon agjёruesin, njëlloj sikur tё kishte ngrёnё mëngjes.” [7]
Mësime dhe dispozita
1- Mësojmë se nё syfyr zbret bekimi i Zotit. Allahu bekon atё qё dёshiron, dhe një prej tyre ёshtё syfyri.
2- Dijetarёt kanё qëndrim unanim se ngrёnia e syfyrit ёshtё e pёlqyeshme, jo e detyrueshme. Gjithashtu, syfyri ёshtё një veçori e kёtij umeti nё agjёrim. [8]
3- Disa nga begatitё e syfyrit janё:
- Respektimi i normave të fesë, sepse Pejgamberi (alejhi selam) ka urdhëruar pёr ngrёnien e syfyrit. Bindja ndaj Pejgamberit (alejhi selam) jep dobi për këtë jetë dhe tjetrën. [9]
- Me ngrёnien e syfyrit bëhet dallim me ithtarёt e Librit, sepse ata nuk hanё syfyr. [10] Dallimi me ta është një nga bazat kryesore të fesё sonё, prandaj ёshtё ndaluar pёrngjasimi me ta nё simbolet e tyre nё fe, zakone apo moral.
- Ngrёnia e syfyrit jep forcё pёr tё agjёruar dhe pёr bindje ndaj Zotit gjatё ditёs. Po ashtu, ajo largon sjelljen e keqe, që vjen si rezultat i urisё dhe etjes. [11]
- Kush çohet për syfyr ka mundësi t’i kёrkojё falje Zotit tё Lartёsuar, ose ta pёrmendё Atё, ose t’i lutet Atij, meqёnёse ёshtё kohё kur shpresohet pranimi i lutjeve. Kjo ёshtё e parealizueshme nëse fle gjumё nё këtё kohё. Allahu i ka lavdёruar ata tё cilёt i kёrkojnё falje Atij natё.
- Ai që çohet për syfyr do ta falё namazin e sabahut nё kohё dhe me xhemat. Ndoshta shkon herёt nё xhami dhe merr shpёrblimin e faljes nё rresht tё parё dhe afёr imamit, duke shtuar edhe shpёrblimin e pёrsёritjes sё ezanit dhe faljen e suneteve para farzit. Ndër sunetet më të forta janë dy rekatet sunet të sabahut, siç ёshtё përcjellë nё një hadith: “Sunetet e sabahut janë mё të mirё se dynjaja dhe çfarë ka nё tё”.
- Kush çohet për syfyr i bëhet e mundur të japë sadaka njё pjesё tё ushqimit tё tij atij qё ia lyp, ose tё hajё ushqim bashkë me nevojtarin, duke marrё shpёrblimin e tij dhe shpërblimin e ushqyerjes sё lypsit a nevojtarit. [12]
- Nё syfyr falёnderohet Zoti i Lartmadhërishёm pёr mirёsitё qё na ka dhënё. Një prej këtyre mirësive është lehtësimi dhe lejimi i agjëruesit të hajë ushqim që prej perëndimit të diellit e deri në agim, gjë që më parë pati qenë e ndaluar. [13]
4- Muslimani nuk duhet ta neglizhojё kёtё traditë të bukur, meqenёse Pejgamberi (alejhi selam) ka thёnё: “Mos e lini atё”, dhe me nijetin e mirë në vëmendje tё shpresojё shpёrblimin për këtё, nё mёnyrё qё syfyri tё mos i bёhet thjesht një zakon. [14]
5- Mësojmë mbi pёlqyeshmёrinë e ftesёs së të tjerëve pёr syfyr si dhe të pranimit të saj, sepse Pejgamberi (alejhi selam) ftoi Irbad Ibn Sarijeh pёr tё ngrёnё syfyr bashkë me tё. E pёlqyeshme është edhe mbledhja pёr tё ngrёnё sё bashku, sepse ёshtё një variant tjetёr hadithi: “Ejani të hamë bashkë ushqim të bekuar.” [15]
6- Hattabi (Allahu e mёshiroftё!) thotë: “Këtu shihet se kjo fe ёshtё me lehtёsime dhe pa vёshtirёsi. Ndryshe ishin rregullat fetarë të ithtarëve të librit të cilët, nëse i zinte gjumi pas iftarit, nuk u lejohej të konsumonin përsëri ushqim dhe pije deri në agim. Allahu bëri lehtësim për ne me fjalën: “..dhe hani e pini derisa të dalloni qartë perin e bardhë (bardhësinë) të agimit nga peri i zi (errësira)”. (El-Bekare : 187) E falёnderojmё Allahun shumё pёr mirёsitё qё na ka dhёnё, tё cilat nuk mund tё numёrohen.
[1] Buhariu (1823) dhe Muslimi (1095). Këtë hadith e kanë transmetuar disa shokё të Pejgamberit (alejhi selam): Ebu Hurejra, Ebu Seidi, Ibn Mesudi, Xhabiri, Aishja, Amru Ibn Elasi, Irbadi, Ebu Lejla, Talku dhe Eljeijshu Ibn Talk, poashtu e transmeton dhe Omeri, Utbe Ibn Abd, Ebu Derda dhe Selmani (radijAllahu anhum exhmain). Shiko: Shpjegimin e Ibn Mulekkan mbi Umden (5/189) dhe Mexhmuuz-zevaid (3/154).
[2] Muslimi (196).
[3] Ahmedi (4/126), Ebu Davudi (2344) dhe Nesaiu (4/154). Ibn Huzejme (1938), Ibn Hibani (3465) dhe Albani nё Sahijh Ebu Davud e quajnë të saktë.
[4] Nesaiu (4/164) dhe Ahmedi (4/142). Albani e quan të saktë nё Sahijh Ennesai.
[5] Shiko:Fet’hul Bari të Ibn Haxherit (4/140) dhe Tevdijhul Ehkam (3/155).
[6] Shiko: Elmufredat lirr-rragib (44), Tefsirin e Kurtubiut (4/139) dhe Bedaiul kavaid (2/182-183).
[7] Shiko: Mealimus-unen bihamish Ebi Davud (2/758) dhe Avnul Meabud (6/337).
[8] Shiko: Shpjegimin e Ibn Mulekkin mbi Umden (5/188) dhe Dhehijretu ukba (20/366).
[9] Shiko: Fethul Bari (4/140) dhe Tevdijhul ehkam (3/ 155).
[10] Dy burimet e mёsipёrme dhe shpjegimi i Neveviut mbi Muslimin (7/207).
[11] Shiko: Fet’hul Bari (4/140).
[12] Shiko burimin e mёsipёrm (4/140).
[13] Shiko: Avnul Meabud (6/336).
[14] Shiko: Tevdijhul ehkam (3/156) . Urdhëri këtu nuk bën fjalë për obligueshmёri, sepse ka hadithe të tjera tё cilat tregojnё se Pejgamberi (alejhi selam) e ka agjëruar pandërprerë, duke mos e prishur farë agjërimin gjatë natës, bashkë me shokët e tij. Sikur tё kishte qёnё syfyri i obligueshёm, ata nuk do të kishin agjëruar pandërprerë (duke lidhur ditёn me ditёn tjetёr pa çelur natën). Për më gjerë shiko dhe “Dhehijretul ukba (20/366)”.
[15] Shënon Nesaiu nga Irbadi r.a. (4/145). Albani e vlerëson të saktë nё Sahijh Ennesai.