– Ajeti 1: “Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat : 57)
Lidhëza “që”, në këtë ajet, tregon qëllim, domethënë sqarimin e arsyes së krijimit. E thënë ndryshe: “që të më adhurojnë”, do të thotë se qëllimi i krijimit të xhindëve dhe njerëzve është që ata të adhurojnë Allahun. Përfundimisht, shprehja “që të më adhurojnë”, sqaron urtësinë e krijimit të xhindëve dhe njerëzve. Qëllimi nuk e detyron realizimin e tij, sepse po të ishte kështu, atëherë, me patjetër, të gjitha krijesat do të ishin adhurues të Allahut dhe të nënshtruar ndaj Tij, por nuk është kështu.
Qëllimi i një veprimi mund të sqarohet, por veprimi mund të realizohet ose jo. Ne mund të themi p.sh. “e kam mprehur lapsin, që të shkruaj”, por, megjithatë, ne mund të shkruajmë me të ose jo. Kësisoj, kjo nuk është një marrëdhënie shkak-pasojë. Në marrëdhëniet shkak-pasojë pasoja varet drejtpërdrejtë nga shkaku, pra patjetër që do të ndodhë, si, për shembull, u thye xhami për shkak të nxehtësisë së madhe.
– “…i kam krijuar…” – që i kam sjellë në ekzistencë. Kjo ekzistencë paraprihet nga paracaktimi (kaderi). Zanafilla e krijimit është paracaktimi.
– “…xhindët…” – Xhindët përbëjnë një botë të fshehtë për ne. Fjala “xhind” (el xhinn) në gjuhën arabe është e përbërë nga shkronjat xhim dhe nun, të cilat tregojnë për fshehtësi dhe perde. Të tilla janë fjalët: el xhennetu (Xhenneti), el xhinnetu (xhinde) dhe el xhunnetu (mburoja).
– “…njerëzit…” – Njerëzit (el ins) janë emërtuar kështu ngaqë nuk mund të jetojnë pa shoqëri. Ata shoqërojnë dhe bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.
– “…vetëm që të më adhurojnë” – Kjo është komentuar: “vetëm që të më njësojnë”, dhe ky komentim është i drejtë. Ёshtë komentuar edhe “të më përulen Mua me bindje duke zbatuar urdhrat dhe duke u larguar nga harami (ndalesat)”; megjithatë pjesë e bindjes ndaj Allahut është edhe teuhidi (njehsimi), i cili përbën arsyen e krijimit të xhindëve dhe njerëzve.
E kështu, për këtë gjë Allahu u dha njerëzve mendjen, u dërgoi Profetët dhe u zbriti librat hyjnorë. Sikur qëllimi i krijimit të xhindëve dhe njerëzve të ishte i njëjtë me qëllimin e krijimit të kafshëve, atëherë nuk do të kishte urtësi në dërgimin e Profetëve dhe shpalljen e librave, sepse ata në fund të fundit do të ishin si një pemë, e cila mbin, zhvillohet dhe zhduket. I Madhëruari thotë: “Me të vërtetë, Ai që të ka zbritur ty (o Muhamed) Kur’anin dhe ta ka bërë detyrë përcjelljen e mesazhit dhe të kapurit pas tij, patjetër do të të kthejë në botën tjetër.” (Kasas : 85)
E ky kthim “që të shpërblehesh për veprat e tua: nëse ato janë të mira, do të shpërblehesh me të mira, e nëse janë të këqija, do të shpërblehesh me të këqija.” Urtësia e krijimit të tyre nuk është për t’i bërë dobi Allahut: “Unë nuk dua prej tyre ndonjë furnizim dhe as nuk dua që ata të më ushqejnë.” (Dharijat : 57) Kur Allahu thotë: “Kush do t’i japë Allahut një hua të mirë, që Ai t’ia kthejë shumëfish?” (Bekare : 245), nuk flet për një huadhënie reale, sepse Ai nuk ka nevojë për të, por me huadhënien është krahasuar marrëdhënia e ndërsjellë e njeriut me Zotin, të cilën Ai patjetër që do ta shpërblejë. Është një angazhim nga Allahu që t’ia japë shpërblimin njeriut për veprat e tij ashtu siç e përmbush detyrimin borxhliu ndaj huadhënësit.