Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) përcjell se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “O të rinj! Kush ka mundësi prej jush të martohet, le të martohet, pasi kjo ndihmon për uljen e shikimit dhe për ruajtjen e nderit. Por kush nuk e ka këtë mundësi, atëherë le të agjërojë, sepse agjërimi e shuan epshin.” [1]
Gjithashtu, Xhabir Ibn Adilahi (radijAllahu anhu) përcjell se, një burrë në moshë të re shkoi tek i Dërguari (alejhi selam) dhe i kërkoi që ta lejonte të tridhej. Profeti (alejhi selam) i tha: “Agjëro dhe lute Allahun që të të japë nga mirësitë e Tij”. [2]
Abdulla Ibn Amri (radijAllahu anhu) tregon: “Një burrë shkoi tek i Dërguari (alejhi selam) dhe i tha: “O i Dërguari Allahut, më lejo që të tridhem!” I Dërguari (alejhi selam) i tha: “Për umetin tim, ‘tredhja’ është agjërimi dhe namazi i natës”. [3]
Dobi dhe rregulla
E para: Dëshira e madhe që kishin sahabët (radijAllahu anhu) për t’iu bindur Allahut të Lartësuar, frika e kundërshtimit të Tij, pyetja për çështjet e fesë dhe ambicia e tyre për botën tjetër.
E dyta: Ndalimi i tredhjes për ndërprerjen e epshit. Kjo vepër është haram.
E treta: Ai që do të martohet, por nuk ka mundësi, i lejohet të përdorë barna që frenojnë epshin, bazuar në urdhrin e Profetit për kurimin nëpërmjet agjërimit. [4]
E katërta: Vlera e martesës për ata që kanë mundësi. Martesa është ibadet dhe mirësi nga Allahu i Lartësuar.
E pesta: Ai që nuk ka mundësi për martesë, duhet të bëjë lutje, t’i kërkojë Allahut t’i japë prej mirësive të Tij dhe, njëkohësisht, duhet të agjërojë derisa t’ia mundësojë Allahu.
E gjashta: Tradita e Pejgamberit (alejhi selam) ishte të kënaqej me gjërat e këndshme dhe të lejuara, qofshin ushqime, pije apo edhe martesa. Kush i braktis këto gjëra me pretekstin e devocionit dhe ibadetit është në kundërshtim me Sunetin e Pejgamberit (alejhi selam).
[1] Shënon Buhariu (1806) dhe Muslimi (1400).
[2] Shënon Ahmedi (3\382) dhe Ibn Mubarek në Zuhd (1107). Transmetusit e tij janë të saktë, me përjashtim të transmetusi nga Xhabiri (r.a.) i cili është i panjohur, por dëshmojnë për të dy hadithet e tjera.
[3] Shënon Ahmedi ( 2\173), Begaviu në Sherhu suneh (2238). Hejthemiu ia referon Tabaranit, dhe thotë se transmetusit e tij janë “thikatë”, por disa prej tyre janë të diskutueshëm (4\253). Ahmed Shakir e vlerëson të saktë (6612). Edhe Albani thotë se është i saktë duke marrë parasyshë rrugët e tij në “Silsileti sahihati” (1830), por pa shprehjen e fundit “namazi i natës”, pasi ajo është shtesë e dobët.
[4] Shih sherhu suneh të Begaviut (9\6).