Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Zjarrmia vjen prej një afshi që lëshon Xhehenemi.” Ky hadith mund të kuptohet në dy mënyra:
- Sipas kuptimit të drejtpërdrejtë, prej Xhehenemit del një pjesë e vogël e afshit të tij, në mënyrë që njerëzit të jenë të vetëdijshëm dhe të nxjerrin mësime prej kësaj dukurie. Kësisoj, Allahu i Lartësuar ka krijuar shkakun dhe arsyen që ethet të shfaqen në këtë dynja. Në të njëjtën mënyrë, Ai ka lejuar që në këtë dynja të shfaqen pjesë apo shembuj të vegjël të mirësive të Xhennetit, sikurse janë ndjenja e lumturisë, gëzimit, kënaqësisë e mirësi të tjera të kësaj dynjaje. Të tilla “pjesëza” të ndëshkimit apo kënaqësisë, janë dëshmi për njerëzit për ekzistencën e tyre në ahiret, nga të cilat ata përfitojnë mjaft dobi dhe mësime.
- Sipas kuptimit figurativ, hadithi bën një shëmbëllim të vuajtjes dhe nxehtësisë së madhe të përjetuar gjatë etheve me nxehtësinë dhe vuajtjen në zjarrin e Xhehenemit. Në këtë mënyrë, zemrat tona mund të imagjinojnë torturën e Zjarrit dhe nxehtësinë që çlirohet prej tij. Kjo është bërë për të treguar vuajtjen e madhe që kalon i sëmuri nga njëra anë, por, nga ana tjetër, edhe për t’u tërhequr vërejtjen krijesave, që ato të marrin masat për t’u ruajtur nga Zjarri dhe vuajtja në Xhehenem, e cila është shumë më e rëndë sesa vuajtja gjatë etheve. Kur ju përjetoni me dhembje dhe vuajtje të madhe temperaturën e lartë të trupit tuaj gjatë sëmundjes, atëherë mendohuni dhe reflektoni si duhet për t’u ruajtur ndaj nxehtësisë së padurueshme të Xhehenemit.
Pejgamberi (alejhi selam). tha: “…ftoheni atë me ujë”. Për sa i përket fjalës “ujë”, janë dhënë dy mendime:
- Këtu bëhet fjalë për çdo lloj uji. Pra, freskojeni, ftoheni zjarrminë me çdo lloj uji.
Por edhe këta janë ndarë në dy mendime, për sa i përket kuptimit të hadithit. Disa thonë se kuptimi është: freskojeni atë duke shpërndarë ujë si sadaka. Këta e shpjegojnë në këtë mënyrë, sepse iu duket problematik përdorimi i ujit për të sëmurin me ethe. Megjithatë, kjo vjen nga padituria e tyre. Ndërsa të tjerët thonë se këtu bëhet fjalë për përdorimin e ujit. Pra, kuptimi është: freskojeni atë duke përdorur ujë (duke e pirë dhe duke u larë me të). Ky është mendimi më i saktë.
- Këtu bëhet fjalë për ujin e Zemzemit. Pra, kuptimi është: ftoheni zjarrminë me ujë Zemzemi. Këta e argumentojnë saktësinë e mendimit të tyre me hadithin në Sahih-un e Buhariut prej Ebu Xhemrate Nasr ibn Imran El Dubeit, i cili rrëfen: – Unë shoqërohesha shumë me Ibn Abassin në Mekke. Kur u sëmura njëherë me ethe, ai më tha: – Freskohu me ujë Zemzemi. Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Zjarrmia është prej afshit të Xhehenemit, prandaj freskojeni atë me ujë!” – Ose tha: “…me ujë Zemzemi!.” [1] Transmetuesi ka dyshuar për këtë hadith. Por edhe nëse do të tregonte me siguri të plotë se bëhej fjalë për ujin e Zemzemit, kjo do të ishte e vlefshme për banorët e Mekkës, të cilët e kanë të thjeshtë të gjejnë ujë Zemzemi. Të tjerëve u mjafton të përdorin çdo lloj uji që gjendet pranë tyre.
Ebu Nuajmi e të tjerë sjellin hadithin prej Enesit, i cili ia atribuon Profetit (alejhi selam), ku thuhet: “Nëse dikush prej jush ka zjarrmi, le të lahet me ujë të ftohtë tri net rresht në kohën e syfyrit.” [2]
Edhe në Sunen-in e Ibn Maxhes është hadithi i Ebu Hurejrës, që përcjell se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Zjarrmia është afsh që vjen prej Xhehenemit. Largojeni atë prej jush me ujë të ftohtë!” [3]
Në Musned e gjetkë është hadithi i Hasanit, që e përcjell prej Sumrates, i cili ia atribuon Profetit (alejhi selam), ku thuhet: “Zjarrmia është një pjesë prej Zjarrit (të Xhehenemit). Freskohuni prej saj me ujë të ftohtë!” Pejgamberi (alejhi selam), kur sëmurej me temperaturë, kërkonte një enë me ujë, të cilën e hidhte mbi kokën e tij dhe lahej. [4]
Në Sunen është hadithi i Ebu Hurejrës, që ka thënë: – Në prani të Profetit (alejhi selam) u përmend zjarrmia e trupit, dhe një burrë e shau atë. Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Mos e shaj atë, sepse ajo i largon gjynahet ashtu sikurse zjarri largon zgjyrën e hekurit.” [5]
[1] Buhariu, 6, 238.
[2] Hakimi në Mustedrak, 4, 200, dhe e ka gjykuar si të saktë. Këtë gjykim e ka miratuar edhe Dhehebiu. El Hafidh ibn Haxheri thotë në Fet’hul Bari që: “Sened-i i tij është i fortë.”
[3] Ibn Maxhe, me numër 3475. Transmetuesit janë të besueshëm.
[4] Këtë hadith nuk e kemi gjetur në Musned, por e ka sjellë Hejthemi në Mexhmeuz-Zeuaid, 5, 94, i cili ia ka atribuar atë Taberaniut dhe Bezzarit, pastaj ka thënë: “Në sened-in e këtij hadithi bën pjesë edhe Ismail ibn Muslimi, të cilin dijetarët e sened-it e kanë konsideruar si të braktisur, të cilit nuk i merren transmetimet.
[5] Ibn Maxhe, me numër 3469, por në sened-in e tij merr pjesë Musa ibn Abidete, i cili konsiderohet si i dobët. Por imam Muslimi sjell në Sahih-un e tij hadithin me numër 4575 prej Xhabir ibn Abdullahit, se Profeti shkoi për vizitë tek Ummu Saibi (ose Ummu Musejjibi) dhe tha: “Çfarë ke, o Ummu Saib (ose Ummu Musejjib), që po dridhesh?” Ajo tha: “Ethe, që Allahu mos i bekoftë!” Profeti (alejhi selam) tha: “Mos i shaj ethet, sepse ato i largojnë gjynahet e birit të Ademit ashtu sikurse zjarri i largon papastërtitë e hekurit.”