– Ajeti 3: “Ndërsa Zoti yt ka urdhëruar (kada) që të mos adhuroni asgjë tjetër përveç Tij, dhe që të jesh respektues ndaj prindërve.” (Isra : 23) Në ajet përmendet fjala “kada” – përcaktim. Përcaktimi i Allahut ndahet në dy lloje:
- Përcaktimi juridik.
- Përcaktimi i ligjeve të krijimit.
Përcaktimi juridik mund të zbatohet ose jo, dhe përfshin vetëm atë që Allahu e do, siç thotë Ai: “Ndërsa Zoti yt ka urdhëruar (kada) që të mos adhuroni asgjë tjetër përveç Tij, dhe që të jesh respektues ndaj prindërve”, ku fjala “kada” është përdorur me kuptimin: “ka ligjëruar, urdhëruar”, por ky përcaktim mund të kryhet ose jo, sepse jo të gjithë njerëzit e adhurojnë Allahun të Vetëm.
Përcaktimi i ligjeve të krijimit zbatohet patjetër, dhe përfshin atë që e do Allahu dhe atë që Ai nuk e do. Shembull për këtë është thënia e Allahut : “Dhe Ne përcaktuam për bijtë e Israilit në Libër (Teurat) se ‘vërtet ju do të bëni dy herë padrejtësi në tokë…’” (Isra : 4) Këtu bëhet fjalë për një përcaktim ose vendim për krijim, sepse Allahu nuk ligjëron e as nuk e do padrejtësinë në tokë.
Një paqartësi dhe përgjigjja për të Thuhet se Allahu ka përcaktuar krijimin e asaj që Ai nuk e do. E si e përcakton Allahu atë çfarë nuk e do?
- Përgjigje: Për sa i përket pëlqimit, gjërat ndahen në dy lloje:
- E pëlqyeshme në vetvete;
- E papëlqyeshme në vetvete, por e pëlqyeshme për shkak të asaj që arrihet nëpërmjet saj.
E para është e kuptueshme, kurse e dyta mund të jetë e urryer në vetvete, por duhet për shkak të dobive dhe urtësive që ka në të. Ajo, në këtë rast është e urryer nga njëra anë, por e dashur nga ana tjetër. Kështu, prishja në tokë që vjen nga çifutët, është e urryer për Allahun, sepse Ai nuk e do shkatërrimin e as ata që e shkaktojnë atë, por nga ana tjetër, për shkak të urtësisë që përmban, është e dashur tek Allahu. Shembuj të tjerë janë: thatësira, sëmundjet, varfëria etj.
Allahu nuk do që t’i lëndojë robërit e Tij, përkundrazi, Ai do lehtësimin për ta, por i përcakton vështirësitë për shkak të urtësive që rrjedhin prej tyre. Kësisoj, ato janë të urryera për Allahun nga njëra anë, dhe të dashura nga ana tjetër [1]. Allahu i Madhëruar thotë: “Prishja ka dalë hapur në tokë e në det, e merituar për çfarë kanë bërë dhe fituar vetë duart e njerëzve. Kështu Ai mund t’i bëjë ata të “shijojnë” një pjesë të asaj që kanë punuar, me qëllim që të kthehen të penduar.” (Rum : 41)
[1] Do të thotë se Allahu i urren këto gjëra, por pëlqen dobitë dhe urtësitë që rrjedhin ose që arrihen nëpërmjet tyre. Kështu, Allahu e pëlqen teuben (pendimin) nga gjynahu, por kjo nuk arrihet pa ekzistencën e gjynahut. Ai e pëlqen lutjen dhe përgjërimin e robit ndaj Tij, prandaj i jep ndonjë vështirësi ose mundim besimtarit, me qëllim që t’i lutet dhe t’i përgjërohet Allahut. Ai ka dashur dhe do që të shfaqë fuqinë e Tij, të shpalosë urtësinë e Tij, të tregojë Madhërinë e Tij, prandaj ka krijuar gjërat e përkundërta, si: shejtani dhe melaiket, dita dhe nata, jeta dhe vdekja, shikimi dhe verbëria, shëndeti dhe sëmundja, e mira dhe e keqja, gëzimi dhe hidhërimi etj.
Ai do që të shprehë begatitë e Tij, të tregojë lavdinë, madhërinë dhe drejtësinë e Tij; të falënderohet dhe të adhurohet, prandaj e solli njeriun në këtë botë, e formoi atë me intelekt, prirje dhe dëshira, krijoi Xhennetin dhe Xhehenemin, vuri dënimin dhe shpërblimin etj. S’ka dyshim se kështu, nga njëra anë, shfaqen më shumë mirësitë, drejtësia, dhe veprimet e lavdishme të Zotit dhe, nga ana tjetër, njeriu bëhet më shumë adhurues e falënderues ndaj Tij. Këto gjëra nuk do të arriheshin nëse nuk do të kishte: edhe adhurues, edhe mosadhurues të Tij; edhe mirënjohës edhe mosmirënjohë ndaj Tij; edhe të drejtë edhe të padrejtë; edhe vend ku njerëzit të provohen, edhe vend ku të begatohen; edhe vend ku të ndëshkohen, edhe vend ku të kënaqen e lumturohen.
Pa ekzistencën e verbërisë nuk do të vlerësohej mirësia e shikimit, madje nuk do të njihej realiteti dhe koncepti i tij; pa ekzistencën e vuajtjes dhe mjerimit nuk mund te vlerësohet begatia dhe lumturia. Përjetimi i vështirësive të kësaj bote bën që besimtarët t’i përjetojnë më shumë bagatitë e Xhennetit dhe t’i vlerësojnë mëshumë ato sesa po të hynin në Xhennet pa u sprovuar më parë në këtë botë. Për këtë arsye, Ademi ka për t’i përjetuar dhe vlerësuar begatitë e Xhennetit kur të hyjë për herë të dytë në Xhennet më shumë sesa e përjetoi dhe e vlerësoi në herën e parë. Allahu dëshiron që të ndodhin dhe të shfaqen verprimet, ndikimet, rrjedhimet dhe pasojat e emrave të Tij të bukur dhe cilësive të Tij të Larta, si: bukuria, madhëria, mëshira, pranimi i pendimit, durimi, butësia, drejtësia, ndëshkimi, fuqia etj. Kjo që përmenda është vetëm një pikë e detit të pafund të urtësive të Allahut të Lartësuar.