“Dikush ka thënë që nata e Israsë është më e mirë se nata e Kadrit. Kurse një tjetër ka thënë që nata e Kadrit është më e mirë. Cili prej tyre ka të drejtë?” Shejkhul Islam Ibn Tejmijje (Allahu e mëshiroftë!) është përgjigjur: “Falënderimi i takon Allahut! Për mendimin se nata e Israsë është më e mirë se nata e Kadrit, nëse qëllimi është se nata kur udhëtoi dhe u ngjit Profeti (alejhi selam) dhe çdo natë e tillë në çdo vit, është më e mirë për umetin e Muhamedit sesa nata e Kadrit; me kuptimin se adhurimi dhe lutja në të është më e mirë se adhurimi në natën e Kadrit, themi se është i pavlerë. Kjo nuk është dëgjuar nga asnjë musliman.
Të gjithë e njohin pasaktësinë e këtij pretendimi, i cili bie në kundërshtim me fenë Islame. Kjo vlen nëse dihet se kur ka qenë nata e Israsë. Atëherë si mund të thuhet kur s’ekziston asnjë dëshmi që tregon muajin kur ka ndodhur ajo, as për dhjetëditëshin kur ka ndodhur, as për vetë ditën? E vërteta është që çdo fakt që na vjen për këtë temë është me zinxhir të shkëputur dhe kontradiktor, kështu që asnjëri prej tyre nuk është argument bindës. Nuk ka provë që ua bën të pëlqyeshme muslimanëve që, natën për të cilën mendohet se është e Israsë, ta veçojnë me namaz nate apo me ndonjë ibadet tjetër.”
E kundërta ndodh me natën e Kadrit. Në ‘Sahih’-ët citohet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kërkojeni natën e Kadrit në dhjetënetëshin e fundit të Ramazanit”. [1] Po në ‘Sahih’-ët shënohet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kush fal namaz, bën dhikër e të tjera ibadete, natën e Kadrit, me besim se ajo është e vërtetë dhe duke synuar e llogaritur shpërblimin e Allahut, atij i falen gjynahet që ka bërë”. [2] Allahu i Madhëruar na ka njoftuar gjithashtu se ajo është më e mirë se një mijë muaj dhe se në atë natë u zbrit Kur’ani. Por nëse me pyetjen nënkuptohet nata e Israsë, me mrekullitë që i ndodhën Profetit (alejhi selam), pa e lidhur këtë me ndonjë adhurim që duhet të kryhet në këtë natë, atëherë themi se ajo është nata më e mirë.
Nuk është e thënë që, nëse Allahu i ka dhënë Profetit të Tij një mirësi në një vend apo kohë, të jetë e domosdoshme që ky vend apo kjo kohë të jetë më e mirë nga vende apo kohëra të tjera. E gjitha kjo thuhet nëse ka argument që vërteton se begatia e Allahut ndaj Profetit të Tij natën e Israsë ishte më e madhe se begatia ndaj tij me zbritjen e Kur’anit natën e Kadrit, si dhe më e madhe se çdo begati tjetër. Të flasësh për çështje të tilla, duhet të njohësh mirë thelbin e gjërave, të njohësh përmasat e begative, të cilat mund të arrihen të mësohen veçse me anë të Shpalljes.
Askujt s’i lejohet të flasë për këtë gjë pa patur dituri. Nuk dihet që ndonjë musliman ta ketë quajtur natën e Israsë si natë të mirë, aq më tepër më të mirë se nata e Kadrit. As sahabët, as tabi’inët, as pasuesit e tyre nuk e kanë veçuar natën e Israsë me ndonjë vepër apo rit. Madje ata nuk e përkujtonin atë, dhe për këtë arsye nuk dihet saktësisht se cila natë ka qenë. Edhe pse Israja ishte një nga mrekullitë më të mëdha që iu dha Profetit (alejhi selam), nuk është ligjëruar veçimi i kësaj nate me ndonjë adhurim të veçantë.
Për më tepër, te shpella e Hirasë, – në të cilën nisi Shpallja hyjnore dhe ku Profeti (alejhi selam) qëndronte para profetësisë, – as ai, as ndonjë nga shokët e tij nuk shkoi pas profetësisë, për aq kohë sa qëndruan në Mekke. Po ashtu, dita kur filloi Shpallja nuk u shënua me ndonjë rit të përcaktuar. Pra, nuk u veçua as vendi, as koha kur filloi Shpallja. Kësisoj, kush veçon vende a kohë, duke u nisur nga mendja e vet, me adhurime të caktuara, për këtë arsye e të ngjashme me të, ai është njëlloj si pasuesit e Librit (të krishterët), të cilët i kanë kthyer momentet e ndryshme të jetës së Mesihut në festa dhe rituale, si për shembull ditën e lindjes së Krishtit, ditën e pagëzimit etj”.
Njëherë, kur Omeri pa një grup njerëzish që shpejtonin për tu falur në një vend, i pyeti: “Ç’po ndodh kështu?” Ata thanë: “Në këtë vend është falur i Dëguari i Allahut”. Ai ua ktheu: “A mos kërkoni, vallë, t’i ktheni gjurmët e Profetit si faltore?! Ata që ishin përpara jush u shkatërruan me këto veprime. Atë që e kap namazi në atë vend, le të falet, e nëse jo, le të vazhdojë rrugën, e të mos presë ta zërë namazi aty.” [3]
Disa njerëz kanë thënë që, për Profetin, nata e Israsë ishte më e mirë se nata e Kadrit, kurse për umetin nata e Kadrit është më e mirë se nata e Israsë.
[1] Buhariu dhe Muslimi, prej Aishes.
[2] Buhariu dhe Muslimi, prej Ebu Hurejras.
[3] Ibn Ebi Shejbeh, me sened të saktë.