Imam Ahmedi, Nesaiu e të tjerë, përcjellin nga El Bera’ Ibn Azibi, i cili rrëfen: “Takova dajën tim, Ebu Burden, që mbante një flamur në dorë, dhe e pyeta: ‘Ku po shkon?’ Ai m’u përgjigj: ‘Më ka dërguar i Dërguari i Allahut (alejhi selam) te një burrë që është martuar me gruan e babait të vet, që ta vras dhe t’i marr pasurinë.’” [1]
Ibn Ebu Khajthemeh përmend në ‘Libri i historisë’ nga Muavujeh Ibn Kurreh, ky nga babai i tij dhe ky nga gjyshi i tij, i cili ka rrëfyer se Pejgamberi (alejhi selam) e kishte dërguar të vriste një burrë që ishte martuar me gruan e babait të vet. Kështu, ai shkoi, e vrau dhe ia ndau pasurinë në pesë pjesë (ashtu si plaçka e luftës). Sipas Jahja Ibn Muinit, ky hadith është i vërtetë.
Ibn Maxhe, në Sunen-in e tij, sjell rrëfimin e Ibn Abassit, se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Vriteni, cilindo që kryen marrëdhënie intime me një grua, me të cilën e ka të ndaluar martesën, për shkak të lidhjes farefisnore.” [2]
El Xheuzexhaniju përmend se Haxhaxhit i treguan krimin e një burri, i cili kish përdhunuar motrën e vet. Haxhaxhi urdhëroi: “Burgoseni dhe pyesni ata shokë të Pejgamberit (alejhi selam) që janë këtu, për dënimin që duhet dhënë.” Kështu, ata pyetën Abdullah Ibn Ebu Mutarrifin, i cili tha: “Kam dëgjuar Pejgamberin (alejhi selam) të thotë: “Këdo që martohet, përdhunon a kryen marrëdhënie intime me një grua, me të cilën e ka të ndaluar martesën për shkak të farefisnisë, goditeni në mes me shpatë (d.m.th. vriteni)!” [3]
Imam Ahmedi është shprehur tekstualisht, sipas variantit që përcillet nga Ismail Ibn Saidi, se “çdo burrë që martohet me gruan e babait ose me një grua me të cilën e ka të ndaluar martesën për shkak të lidhjes farefisnore, vritet, ndërsa pasuria e tij, pas sekuestrimit, futet në arkën e shtetit.” Ky gjykim është i saktë, sepse është në pajtim me vendimin e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam).
Ndërsa Shafiu, Maliku dhe Ebu Hanifja, kanë thënë se ndëshkimi bëhet me të njëjtën masë si edhe në rastin e një laviri. Në fakt, ndryshe nga dy të tjerët, Ebu Hanifja mendon se nëse marrëdhëniet intime janë kryer me akt martese, atëherë përcaktimi i masës ndëshkimore i lihet në dorë gjykatësit (gjykim ta’zir) [4] , pa i përcaktuar domosdoshmërisht ndëshkimin penal të lavirit. Megjithatë, gjykimi i Pejgamberit (alejhi selam) është më i denjë dhe më parësor.
[1] Hadithi është i vërtetë.
[2] Sened-i i hadithit është i dobët, por përforcohet nga hadithi i mëparshëm.
[3] Hadithi është i dobët.
[4] Dënimi që jep gjykatësi për një krim apo një shkelje, për të cilën nuk është caktuar ndonjë masë ndëshkimore në Sheriat, quhet ta’zir. Pra, ta’zir-i është masa ndëshkimore që jep gjykatësi, mbështetur në ishtihad-in (gjykimin) e tij, në mungesë të një dispozite taksative të paraparë në Sheriat.