Gusuli është: “Përshkimi i gjithë trupit me ujë sipas një mënyre të caktuar.” Argument për obligueshmërinë e gusulit është Fjala e Allahut të Lartësuar: “E nëse jenu xhunub pastrohuni.” (El-Maide: 6)
5 arsyet që e bëjnë gusulin të obliguar:
1- Dalja e spermës prej mashkullit a femrës me ixhmain e dijetarëve, zgjuar apo në gjumë. Nëse nuk është në gjumë kushtëzohet gjendja e epshit. Argument është thënia e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam): “Në daljen e medhiut (lëngut përpara spermës) ka abdes e në daljen e spermës ka gusul” (Hadith i saktë) Nëse del në gjendjen zgjuar për shkak të të ftohtit, të një sëmundjeje, thyerjes së shtyllës kurrizore, pa epsh, gusuli nuk bëhet i obligueshëm. Po kështu nëse del pas gusulit pa epsh nuk e përsërit gusulin.
2- Marrëdhëniet seksuale sipas ixhmait (rënies dakord të shumicës) të dijetarëve.
3- Islami i jobesimtarit. Argument për këtë është se Kajs ibn Asim e përqafoi Islamin dhe Profeti (alejhi selam) e urdhëroi të merrte gusul me ujë dhe sidër. (Hadith i saktë) Disa dijetarë të tjerë janë të mendimit se gusuli është i pëlqyer por jo obligim për atë që bëhet musliman, sepse shumë sahabë e pranuan Islamin dhe nuk është transmetuar se kanë marrë gusul. Ndërsa nëse para Islamit ka qenë në gjendjen e papastërtisë së madhe, atëherë në këtë rast gusulin e ka obligim. Allahu e di më së miri.
4- Vdekja. Muslimani që vdes duhet të lahet. Argument është se Profeti (alejhi selam) tha për atë që vdiq në Haxh: “Lajeni me ujë dhe sidër” (Buhariu dhe Muslimi) Me përjashtim të shehidit (dëshmorit) në betejë, i cili nuk lahet.
5- Menstruacionet dhe lehonia. Kur pastrohet gruaja e cila ka qenë me ciklin a lehoninë duhet të marrë gusul me ixhmain e dijetarëve. Argument është fjala e Profetit (alejhi selam): “Kur të largohet gjaku i hajdit tënd lahu dhe falu!” (Hadith i saktë)