Prej Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu) përcillet se ka thënë: “Më ka porositur i dashuri im (alejhi selam) me tre gjëra: agjërimin e tre ditëve të çdo muaji, faljen e dy rekateve namaz duha dhe ta fal namazin e vitrit para se të fle.” (Buhariu dhe Muslimi) Këshilla e drejtuar Ebu Hurejrës në hadithin e mësipërm është e vlefshme për të gjithë, sepse kur Profeti (alejhi selam) i drejtohet dikujt apo e këshillon kjo i kthehet të gjithë umetit, përderisa nuk ka një argument që tregon se kjo gjë është specifike për një person të vetëm.
Të treja punët në këtë hadith janë sunet, madje vitri është sunet i fortë.
Këshilla e parë profetike:
Agjërimi i tre ditëve të çdo muaji, sepse agjërimi kalit durimin, i mëson mbajtjen e amanetit dhe mbikqyrjen e Allahut të Lartësuar në fshehtësi dhe haptazi. Ashtu sikurse agjërimi i tre ditëve në muaj ka shpërblimin e agjërimit të një muaji të plotë.
Këshilla e dytë profetike:
Praktikimi i dy rekateve namaz duha (namazi i paradites) i cili është namazi i të penduarve, i barabartë me 360 sadaka. Më e pakta e tij është dy rekate, por mund të falen dhe më shumë sipas mundësisë. Koha e tij fillon afërsisht 15 min pas lindjes së diellit e vazhdon deri pak para ezanit të namazit të drekës.
Këshilla e tretë profetike:
Të treguarit kujdes për faljen e namazit të vitrit me të cilin mbyllet namazi i natës. Më e pakta e tij është një rekat, përsosmëria më e paktë është tre rekate, por mund të falet dhe më tepër.
Më e mira është vonimi i këtij namazi deri në fund të natës për atë që ka besim në vetvete se mund ta kryejë në këtë kohë, por edhe pse ky namaz është mirë të vonohet deri në kohën e fundit të natës Profeti (alejhi selam) e këshilloi Ebu Hurejrën për kryerjen e tij para gjumi, gjë e cila tregon se ai i cili nuk ka mundësi të çohet natën është mirë të mos flejë pa e falur këtë namaz.