Abdullah Ibn Amer Ibn Ass (radijAllahu anhu) thotë: “Erdhi një burrë tek Pejgamberi (alejhi selam) dhe i kërkoi leje për të shkuar në xhihad (luftë në rrugë të Allahut). Pejgamberi (alejhi selam) i tha: “A janë gjallë prindërit e tu?” – Po, – u përgjigj ai. Atëherë, te ata bëj xhihad [1], – i tha i Dërguari i Allahut (alejhi selam).” Shënon: Buhariu, Muslimi, Ebu Daudi, Tirmidhiu dhe Nesaiu.
Sipas një rivajeti tjetër te Muslimi vjen: “Erdhi një burrë tek i Dërguari i Allahut (alejhi selam) dhe i tha: “Të jap besën për hixhret (emigrim për hirë të Allahut) dhe për xhihad, me qëllim që përmes tyre të kërkoj shpërblimin nga Allahu. Pejgamberi (alejhi selam) i tha: “A ke ndonjërin nga prindërit gjallë?”. – Po, madje të dy gjallë i kam, – iu përgjigj ai. – A kërkon shpërblimin nga Allahu? – e pyeti Pejgamberi (alejhi selam). Po, – u përgjigj ai. – Atëherë, kthehu tek ata dhe bëju shoqëri të mirë [2]”, – i tha Pejgamberi (alejhi selam).
[1] Dmth; jep mundin maksimal në dëgjimin e tyre dhe në mirëbërje e mirsjellje ndaj tyre se kjo për ty ze vendin e luftimit të armikut. Kjo arrihet duke i bërë xhihad nefsit për të fituar pëlqimin e tyre. Pra, njeriu duhet të bëjë përpjekje (xhihad) për mposhtjen e dëshirave të liga të nefsit të cilat e shmangin nga përkushtimi, dëgjimi dhe mirëbërja ndaj prindërve.
[2] Dmth; përpiqu t’i shoqërosh sa më mirë, duke i dëgjuar, duke u shërbyer dhe duke u bërë mirë. Ky hadith dëshmon për vlerën dhe shpërblimin e madhërishëm që ka mirëbërja ndaj prindërve dhe se ajo është më e theksuar se sa xhihadi në rrugë të Allahut. Gjithashtu ai tregon se përkushtimi, shërbimi ndaj prindërve dhe shoqërimi i tyre mund të jetë më i mirë se xhihadi në rrugë të Allahut. Po ashtu, ky provon atë që kanë përmendur dijetarët se nuk lejohet vajtja në xhihad veçse me lejen e tyre, përderisa ata janë muslimanë dhe xhihadi është farz kifaje (detyrë kolektive). E nëse xhihadi bëhet farz ajn (detyrë individuale), atëherë nuk është detyrë t’u merret leje.