Mësime të dobishme nga historia e Ademit (alejhi selam).
1– Këtë ngjarje madhështore, Allahu e ka përmendur në shumë vende në Kur’anin famëlartë, qartazi, pa asnjë fije dyshimi. Kjo ngjarje, konsiderohet prej historive më të mëdha, për vërtetësinë e së cilës kanë rënë dakord të gjithë pejgamberët; kanë folur për të, të gjithë librat qiellorë dhe e kanë besuar të gjithë ndjekësit e profetëve, që nga kohët e mëparshme e deri në kohët e vona.
Por në kohët e sotme, mbiu një grup keqdashës dhe i shthurur, që mohuan çdo gjë që sollën profetët, mohuan Krijuesin dhe nuk pranuan veçse njohuritë dhe faktet shkencore, tek të cilat kanë arritur mendjet e tyre të mangëta e të cekëta! Bazuar mbi këto ideologji (që beson ky grup), që janë larg të vërtetës, qoftë sipas legjislacionit fetar apo atij logjik, ata mohojnë (ekzistencën e) Ademin dhe Havanë, gjithashtu edhe atë që ka përmendur Allahu dhe i Dërguari i Tij në lidhje me Ademin dhe Havanë.
Këtij grupi i afrohen shumë në humbje ata që pretendojnë se njeriu ka evoluar dhe është zhvilluar në religjion siç ka evoluar në shpikje dhe në prodhime. Kanë për qëllim: Mohimin e historisë së akides (besimit) siç e ka përmendur Kur’ani në historinë e Ademit dhe Iblisit, si dhe mohimin e shpalljes dhe profetësisë! Ata pretenduan se njeriu në zanafillë ka qenë kafshë dhe pikërisht majmun, ose diçka e ngjashme me majmunin dhe evuloi (kohë pas kohe) derisa erdhi në gjendjen që e shohim sot!
Ata u mashtruan pas ideologjive të gabuara të ndërtuara mbi supozime dhe logjikë të prishur dhe për hir të këtyre ideologjive braktisën çdo lloj informacioni të saktë, veçanërisht ato (njohuri) që sollën pejgamberët. Allahu e vërtetoi fjalën e Vet kundër tyre kur tha: “Kur të dërguarit e tyre iu sollën prova të qarta, ata u mburrën me diturinë që zotëronin; por shumë shpejt i goditi ajo, me të cilën talleshin.” (Gafir: 83)
Ky grupacion është i njohur për të gjithë ata që e pohojnë ekzistencën e Zotit dhe e dinë fare mirë se ata janë grupi më i humbur. Por fatkeqësisht, tek disa muslimanë depërtuan disa gjurmë të këtij grupi sekularist, si dhe disa degëzime të ndërtuara mbi teoritë e tyre. Kjo i shtyu disa bashkëkohas që ta komentonin përuljen e engjëjve ndaj Ademit me këto fjalë: “Kjo botë është në shërbim të njerëzve, madje çdo gjë në tokë dhe nën tokë, Allahu e ka vënë në dispozicion të njeriut dhe pikërisht ky është kuptimi i përuljes së engjëjve (ndaj Ademit)”!
Cilido që e beson Allahun dhe botën tjetër, është i sigurt se këto mendime janë të importuara nga këto ideologji të prishura, madje mund të konsiderohen tjetërsim i Librit të Allahut, njësoj me tjetërsimin që i bëjnë (Librit të Allahut) Karamitët dhe Batinijet. (Karamitët dhe Batinijet janë sekte ekstremiste shijite që besojnë se Kur’ani ka kuptim të jashtëm dhe të fshehtë dhe kuptimin e tij të fshehtë nuk e dinë veçse imamët e tyre.)
Nëse kjo ngjarje (përulja e engjëjve para Ademit) do të trajtohet e do të merret në konsideratë sipas këtij lloj tjetërsimi, atëherë edhe ndodhitë e tjera të Kur’anit do të pësonin të njëjtën gjë. Ndërsa Kur’ani, që është sqarim për çdo gjë, udhëzim dhe mëshirë për të gjithë, do të kthehej në libër, ku çdo armik i Islamit mund ta komentojë si të dojë, vetëm e vetëm për ta rrëzuar Kur’anin dhe për ta shndërruar udhëzimin e tij (Kur’anit) në humbje dhe mëshirën që ai përçon në fatkeqësi. Larg të metave është Zoti ynë, vërtetë kjo është një shpifje e madhe.
Për ta rrëzuar këtë pretendim të prishur, besimtarit i mjafton të lexojë atë që përmend Allahu në historinë e Ademit dhe përuljes së engjëjve, ku kupton qartazi se pretendimi i lartpërmendur bie ndesh plotësisht me atë që ka për qëllim Allahu dhe Profeti i Tij. Edhe pse ndjekësit e këtyre ideologjive, i zbukurojnë dhe i ngjyrosin fjalët e tyre duke ua dedikuar edhe atyre që mendohen të jenë njerëz të mirë. Por besimtari nuk e braktis imanin (besimin); nuk e lë Librin e Zotit të tij për shkak të disa promovimeve mashtruese që vijnë nga njerëz të mashtruar me vetet e tyre.
2– Nga kjo ngjarje mësojmë vlerën e dijes, pasi engjëjve kur iu bë e qartë pozita e Ademit me anë të dijes, pranuan përsosmërinë në krijimin e tij dhe se ai meritonte të gjitha nderimet dhe respektet.
3– Atij që Allahu i jep mirësinë e dijes, duhet ta pohojë këtë mirësi që Allahu ia ka dhuruar dhe të shprehë mirënjohje ashtu siç bënë engjëjt dhe profetët: “Qofsh i lavdëruar! – thanë ata – Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” (El Bekare: 32) Të ketë shumë kujdes nga e folura rreth gjërave që nuk i di, sepse dija është prej mirësive më të mëdha dhe mirënjohja ndaj kësaj mirësie bëhet duke e falënderuar dhe lavdëruar Allahun për të, duke e përvetësuar (për vete) dhe duke ua përcjell njerëzve të paditur. Të mos i tejkalojë kufijtë duke folur për gjëra që s’i di, por të heshtë.
4– Allahu i Lartësuar e bëri këtë ngjarje mësim për ne, për të na treguar se, zilia, mendjemadhësia dhe lakmia, janë veset më të rrezikshme për njeriun. Mendjemadhësia e Iblisit dhe zilia e tij ndaj Ademit, e çuan atë deri aty ku e pamë se në ç’gjendje përfundoi. Ndërsa lakmia e Ademit dhe bashkshortes së tij, i shtyu të provonin pemën. Nëse nuk do t’i përfshinte mëshira e Allahut, do kishin përfunduar në shkatërrim, mirëpo mëshira e Allahut e plotëson mangësinë, e përmirëson atë që thyhet, e shpëton të mbyturin dhe e lartëson atë që ka rënë poshtë.
5– Njeriu, kur bie në mëkat, duhet të nxitojë drejt pendimit dhe pranimit të mëkatit që ka bërë dhe të shprehet sinqerisht nga zemra, ashtu siç u shprehën prindërit (Ademi dhe Havaja) me zemër të sinqertë dhe pendim të vërtetë. Rastin e pendimit të tyre, Allahu nuk na e tregoi për gjë tjetër, veçse për t’i marrë si shembull, në mënyrë që të arrijmë lumturinë e të shpëtojmë nga shkatërrimi.
Ai (Allahu), nuk na i rrëfeu fjalët e shejtanit dhe kërcënimin e tij (ndaj nesh), veçse për të na treguar vendosmërinë e këtij armiku për të na devijuar në çdo mënyrë. Na lajmëroi që të jemi të përgatitur për t’i bërë ballë këtij armiku, i cili e ka shfaqur haptazi armiqësinë e tij të tejskajshme dhe të hershme. Allahu kërkon prej nesh që të përballemi me të (shejtanin) me çfarë të mundemi, t’i largohemi rrugës dhe hapave të tij, apo çdo devijimi që na shpie drejt rrjetës së tij.
Ai kërkon nga ne që të mbrohemi, nëpërmjet dua’ve (lutjeve) të sakta, dhikrit (përkujtimit) të zemrës apo dua’ve (lutjeve) mbrojtëse. Të pajisemi me armë të cilat e shkatërrojnë atë (shejtanin), si p.sh: iman (besim) të sinqertë, mbështetje të fortë tek Allahu, vazhdimësi në vepra të mira, përballimi i vesveseve (cytjeve) dhe mendimeve të këqija të shejtanit, të cilat cënojnë çdo zemër dhe kërkojnë ta distancojnë prej dijeve të dobishme dhe fakteve të vërteta e të pakontestueshme.
6– Në këtë ndodhi ka argumente për metodologjinë që ndjek Ehli Suneti dhe Xhemati, të cilët pohojnë për Allahun, atë që Vetë Ai ka pohuar për Veten e Tij, emrat dhe atributet e Tij të larta, sepse s’ka dallim mes atributeve të qenies së Tij dhe atributeve të veprimeve të Tij.
7– Në këtë ngjarje vërtetohet ekzistenca e dy duarve të Allahut, siç përmendet qartazi në ajet: “Atë që e kam krijuar me dy duart e mia.” Ai (Allahu) ka dy duar reale dhe ashtu sikurse Qenia e Tij nuk u ngjason krijesave, ashtu edhe sifatet (cilësitë) e Tij nuk ngjasojnë me sifatet (cilësitë) e krijesave.