Ali Ibn Ebu Talib ishte djali i xhaxhait të Profetit (alejhi selam). Aliu ishte kalifi i katërt i drejtë, e po ashtu ishte një ndër dhjetë të përgëzuarit me Xhennet. Ai lindi dhjetë vjet para shpalljes. [1] I ati i tij ishte Ebu Talib Ibn Abdul Mutalib Ibn Hashim Ibn AbdulMenaf. Aliu u martua me vajzën e Profetit, Fatimen (radijAllahu anha) dhe nga kjo martesë e begatë lindën dy borzilokët e Profetit, Hasani dhe Husejni. Për këtë arsye Aliu (radijAllahu anhu) njihej me ofiqin Ebu Sibtejni – babai i dy nipave të Profetit. Aliu (radijAllahu anhu) njihej dhe me nofkën Ebu Turab, pasi kështu e kishte thirrur Profeti (alejhi selam) në një rast.
Pranimi i Islamit nga ana e tij
Aliu ishte fëmija i parë që pranoi Islamin. Qysh në vogëli, ai jetonte nën kujdestarinë e Profetit (alejhi selam), i cili e kishte marrë Aliun në shtëpinë e tij që ta rriste dhe ta edukonte. Këtë gjë, Profeti e bëri për t’ia lehtësuar disi barrën xhaxhait të tij, Ebu Talibit, i cili kishte shumë fëmijë. Në kohën kur Profetit (alejhi selam) i erdhi shpallja nga Zoti i gjithësisë, ai e ftoi Aliun në Islam. Pa hezituar aspak, ky djalosh i vogël iu përgjigj thirrjes hyjnore dhe u bë musliman. [2] Kjo ndodhi kur ai ishte vetëm dhjetë vjeç.
Disa nga cilësitë dhe veçoritë e tij
Vlerat dhe mirësitë e Aliut (radijAllahu anhu) janë të shumta, ndër to veçojmë:
- Aliu ishte i pari ndër fëmijët që pranuan Islamin dhe ai që i ftoi Kurejshët të mblidheshin kur Profetit (alejhi selam) i thirri të pranonin Islamin.
- Aliu (radijAllahu anhu) ishte njeri i urtë dhe i mençur. Fjalët e urta dhe këshillat e tij janë të panumërta. Ai shquhej për mençurinë, oratorinë dhe trimërinë e pashembullt dhe i kushtonte rëndësi të madhe përmbushjes së premtimeve. Ai kujdesej shumë për muslimanët dhe i mbante afër të varfërit.
- Aliu (radijAllahu anhu) nuk ishte nga ata njerëz që lakmonin të mirat e kësaj bote dhe bukuritë e saj. Ai e pëlqente natën, vetëm prej namazit të natës dhe nuk i kushtonte shumë rëndësi ushqimit, veshjes dhe komoditeteve të dynjasë.
- Prej thënieve të njohura të tij janë: “Largohu nga unë o dynja, se nuk më mashtron dot! Shko gënje ndonjë tjetër! [3] Apo: “Ah, sa e gjatë është rruga për në Xhennet dhe sa pak po përgatitemi me vepra të mira!” [4] Gjithashtu ka thënë: “Kjo dynja po na kthen shpinën, ndërsa ahireti po vjen dhe secila ka bijtë e saj. Bëhuni prej bijve të ahiretit dhe mos u bëni bij të dynjasë! Dijeni se sot (në dunja) është koha për të vepruar dhe nuk ka llogari, ndërsa nesër (në ahiret) do të jetë koha e llogarisë dhe nuk do të ketë më mundësi për të bërë vepra të mira.” [5]
Aliu (radijAllahu anhu) nuk kursente asgjë në shërbim të kësaj feje, madje, që në moshë të re, ai ishte gati të flijonte edhe veten, siç ndodhi atëherë kur u shtri në shtratin e Profetit (alejhi selam) natën e hixhretit, megjithëse e dinte se kurejshët kishin planifikuar që atë natë të vinin për të vrarë Profetin (alejhi selam) në shtratin e tij.
Trimëria e Aliut do të dilte në pah gjatë viteve që do të pasonin, e sidomos gjatë ballafaqimit me armikun në fushëbetejë. Aliu ishte një luftëtar shumë i zoti dhe vështirë të gjeje njeri më të fortë e më të guximshëm se ai. Kontributi i tij në mbrojtjen e Islamit dhe muslimanëve ishte i jashtëzakonshëm.
Aliu mori pjesë në të gjitha betejat që zhvilloi i Dërguari i Allahut (alejhi selam), me përjashtim të betejës së Tebukut. [6] Në këtë betejë Aliu nuk mori pjesë, pasi Profeti (alejhi selam) e la mëkëmbës të tij në Medinë.
Në luftën e Bedrit, Aliu (radijAllahu anhu) ishte një ndër protagonistët kryesorë. Para se të fillonte lufta, Utbe Ibn Rabia, vëllai i tij, Shejbe Ibn Rabia dhe djali i tij Uelid Ibn Utbe kërkuan dyluftim me kundërshtarë të denjë për ta, nga djemtë e Mutalibit.
Profeti (alejhi selam) u drejtua nga sahabët dhe tha: “Të dalë Aliu, Hamzai dhe Ubejde Ibn Harithi!” Në këtë dyluftim u vranë të tre idhujtarët, ndërsa nga muslimanët u plagos Ubejde. [7]
Edhe në betejën e Uhudit, ashtu si në të gjitha betejat e tjera, Aliu tregoi një trimëri të pashembullt. Aliu ishte një prej mbrojtësve të Profetit (alejhi selam) me trupat e tyre në luftën e Uhudit.
Në betejën e Hendekut, kur idhujtari kurejshit Amru Ibn Udini arriti të kalonte kanalin mbrojtës (Hendekun), Aliu ishte ai që doli në dyluftim me të dhe e mundi. Po ashtu, ishte i përzgjedhuri që do të mbante flamurin e çlirimit në betejën e Hajberit.
Profeti (alejhi selam), gjatë rrethimit të Hajberit tha: “Nesër, flamurin do t’ia jap dikujt që e do Allahun dhe Profetin, e që njëherazi, Allahu dhe Profeti e duan atë!” [8] Ai që mori flamurin ishte pikërisht Aliu (radijAllahu anhu).
Në Haxhin e Lamtumirës, Profeti (alejhi selam) zgjodhi Aliun që t’u komunikonte njerëzve suren Teube. Po ashtu, Aliu ishte prej atyre që përgatitën xhenazen e Profetit (alejhi selam).
[1] El Isabeh 4/269 dhe Fet’hul barij 7/91 të Ibn Haxherit
[2] Sirah nebeuijeh 1/229 të Ibn Hishamit
[3] Hiljetu el Eulija, vëllimi 1, faqja 84.
[4] Marrë nga libri el Hulefa er-rashidun, fq. 87 të Eminul Kudah
[5] Transmeton Ahmedi në Fedailu es-sahabeh, nr. 881
[6] Sirah nebeuijeh 2/91 të Ibn Hishamit dhe el Isabeh, 4/270 të Ibn Haxherit
[7] Ali Ibn Ebu Talib, Muhamed Sallab, faqja 96.
[8] Muslimi, 3 406.