Imam Muslimi sjell në Sahih-un e tij hadithin e Ebu Zubejrit, që përcjell nga Xhabir ibn Abdullahi, dhe ky nga Pejgamberi (alejhi selam), i cili ka thënë: “Për çdo sëmundje ka një ilaç; nëse ia qëllohet në gjetjen e ilaçit, ajo shërohet, me lejen e Allahut.”
Në dy Sahih-ët është rrëfimi prej Atait, i cili përcjell prej Ebu Hurejrës, se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Allahu i Lartësuar për çdo sëmundje ka zbritur ilaçin e saj!”
Në Musned-in e Imam Ahmedit është hadithi i Zijad ibn Ilakates, që përcjell prej Osama ibn Sherikut, i cili thotë: “Unë isha te Pejgamberi (alejhi selam), kur tek ai erdhën disa beduinë dhe thanë: “O i Dërguari i Allahut! A të mjekohemi?” Ai tha: “Po, o robër të Zotit, mjekohuni, sepse pa dyshim Allahu Krenar dhe i Madhërishëm, nuk ka bërë sëmundje pa vendosur për të edhe ilaçin, përveç një sëmundjeje të vetme.” – “E cila është ajo?” – “Pleqëria” – tha ai.” Sipas një transmetimi tjetër, thuhet: “Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar nuk ka zbritur sëmundje pa zbritur për të edhe shërimin: e njohu kush e njohu dhe nuk e njohu kush nuk e njohu.”
Në Musned është hadithi i Ibn Mesudit, me sened të plotë deri te Pejgamberi (alejhi selam), se: “Me të vërtetë, Allahu i Lartësuar nuk ka zbritur sëmundje pa zbritur për të edhe shërimin: e njohu kush e njohu dhe nuk e njohu kush nuk e njohu.”
Në Musned dhe Sunen është hadithi nga Ebu Huzame, që tregon: – E pyeta: O i Dërguari i Allahut! Çfarë mendon për rukjet që ne praktikojmë, për ilaçet me të cilat mjekohemi dhe për masat mbrojtëse me të cilat ruhemi: a e kthejnë ato ndopak caktimin e Allahut? Ai tha: “Edhe ato janë pjesë e caktimit të Allahut.”
Këto hadithe vërtetojnë se çdo gjë që ndodh në këtë botë ka një shkak, dhe hedhin poshtë mendimin e atyre që i mohojnë dhe i injorojnë ato.
Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Për çdo sëmundje ka ilaç.” Kjo thënie mund të jetë gjithëpërfshirëse dhe, si e tillë, ajo përfshin të gjitha llojet e sëmundjeve, domethënë edhe ato që janë të pakurueshme, pasi Allahu mund ta ketë fshehur mënyrën e kurimit të tyre nga njerëzit, duke mos u lejuar asnjë rrugë për zbulimin e saj; dhe dihet se krijesat nuk mund të dinë tjetër, përveçse atë që Zoti u ka lejuar e mundësuar që ta dinë.
Pejgamberi (alejhi selam) e lidhi ngushtë shërimin me kushtin që ilaçi të përkojë plotësisht me sëmundjen. Çdo gjë e ka të kundërtën e saj, dhe çdo sëmundje e ka të kundërtën e saj, nëpërmjet së cilës mjekohet dhe shërohet. Pra, duhet patjetër që ilaçi të përkojë me sëmundjen, dhe kjo është diçka më tepër sesa thjesht gjetja e ilaçit dhe zbulimi i tij. Ilaçi, nëse jepet më tepër në masë dhe më i përqendruar, atëherë ai kthehet në sëmundje. Por edhe nëse jepet në doza më të vogla dhe më pak të përqendruara, atëherë nuk e kryen funksionin e duhur dhe është i mangët.
Siç kuptohet, nëse nuk ia qëllohet në gjetjen e ilaçit dhe në përcaktimin e dozës së duhur, nuk ndodh shërimi. Po kështu, nëse ilaçi nuk përdoret në kohën e përshtatshme, nuk bën dobi. Nga ana tjetër, nëse trupi nuk e pranon këtë ilaç, apo nuk gjen forcë ta përballojë atë, apo nëse ai ka ndonjë gjë që e pengon ndikimin e ilaçit, shërimi nuk ndodh, prandaj themi se ilaçi nuk ia ka qëlluar. Por nëse ia qëllon në shenjë (në të gjitha ato që u përmendën), shërimi do të ndodhë patjetër, me lejen e Allahut të Lartësuar. Së fundmi, themi që ky është kuptimi më i pranueshëm dhe më i mirë i hadithit.
Megjithatë, hadithi mund të kuptohet edhe ndryshe, që: Allahu i Lartësuar, për çdo sëmundje, ka sjellë shërim ose, me fjalë të tjera, për çdo sëmundje që pranon shërim, Ai ka caktuar ilaçin. Këtu nuk hyjnë sëmundjet që nuk pranojnë ilaç. Kjo i përngjan fjalës së Allahut të Lartësuar, kur përshkruan fuqinë e stuhisë që shkatërroi popullin e Adit. “Ajo rrënoi çdo gjë, me urdhrin e Zotit të saj.” (Ahkaf : 25) Pra, ajo stuhi shkatërroi çdo gjë që pranonte shkatërrimin dhe që një furtunë mund ta shkatërronte. Shembuj të tillë ka shumë.
Çdokush që mediton në krijimin e të kundërtave në këtë botë, në mënyrën se si ato kundërshtojnë, largojnë dhe përpiqen të mbizotërojnë njëra-tjetrën, do të bindet plotësisht për pushtetin absolut të Allahut, për urtësinë dhe krijimin e Tij të përkryer, i Cili është i vetëm në zotërimin, sundimin dhe mbretërimin mbi gjithçka, ndërsa çdo gjë tjetër veç Tij ka një të kundërt që e pengon dhe e kundërshton. Ai është i Pasuri në vetvete, që nuk ka nevojë për asgjë, ndërsa çdo gjë tjetër veç Tij është e nevojshme, e varfër për nga natyra.
Në hadithe të sakta jemi urdhëruar që të mjekohemi dhe, pa dyshim, kjo nuk bie ndesh aspak me urdhrin për mbështetje (tevekkul) në Zotin, ashtu sikurse nuk bie ndesh me të edhe largimi i urisë, etjes, të nxehtit dhe të ftohtit, me të kundërtit e tyre. Madje, teuhidi i vërtetë nuk mund të plotësohet pa realizuar faktorët që Zoti i ka vendosur si shkaktarë të pasojave. Kështu e ka përcaktuar Ai funksionimin e kësaj bote, e po kështu ka përcaktuar edhe ligjet me dispozitat e Sheriatit.
Nëse mohojmë lidhjen shkak-pasojë, kemi mohuar e cënuar edhe teuekkul-in. Ne nuk mund të cënojmë ligjin e vendosur nga Allahu i Lartësuar me urtësinë e Tij, dhe këtë ta paraqesim si mbështetje të plotë tek Ai. Lënia e shkaqeve është pamundësi dhe kurrë nuk mund të jetë teuekkul, i cili në vetvete është mbështetje e plotë e zemrës tek Allahu i Lartësuar për arritjen e gjithçkaje të dobishme në fenë dhe dynjanë e robit dhe largimin e shpëtimin nga gjithçka e dëmshme për fenë dhe dynjanë e tij. Për teuekkul-in e saktë është e domosdoshme kryerja e shkaqeve, urdhrave e udhëzimeve të Zotit, ose përndryshe do të hidhen poshtë urtësitë dhe ligjet e vendosura nga i Gjithëdituri. Pra, robi nuk duhet të trajtojë paaftësinë e tij si teuekkul, por as teuekkul-in nuk duhet ta trajtojë si paaftësi.
Në këtë hadith, gjithashtu, ka argument edhe kundër atyre që e refuzojnë të mjekuarit. Këta thonë që: nëse shërimi është përcaktuar në kaderin e Allahut të Lartësuar, atëherë mjekimi është i panevojshëm. Por edhe nëse është pëcaktuar që të mos shërohet, ai përsëri është i pavlefshëm. Ata thonë se sëmundja godet me kaderin e Zotit, dhe kaderi i Tij nuk mund të ndalohet apo të kthehet pas. Këtë qëndrim e shprehte pyetja që beduinët i shtruan Profetit (alejhi selam), por sahabët e mëdhenj ishin shumë më të ditur rreth Allahut, urtësisë dhe cilësive të Tij që të mund të sillnin pyetje të tilla.
Sidoqoftë, Pejgamberi (alejhi selam) u dha atyre një përgjigje shëruese dhe të mjaftueshme. Ai u tregoi se ilaçet, rukjet dhe masat parandaluese janë gjithashtu pjesë e kaderit të Allahut. Asgjë nuk del nga kaderi i Tij. Kaderi mund të kthehet mbrapsht po me kader; pra, edhe ky kthim është po kaderi i Tij. Nuk ka asnjë mundësi për të dalë nga kaderi i Allahut. Për shembull, uria dhe etja të godasin prej kaderit të Zotit, por, po kaderi i Tij është fakti që, nëse përdor të kundërtat, ato të largohen. Edhe armiku godet me kaderin e Allahut, por nëpërmjet xhihadit, po me kaderin e Allahut, ai largohet. Çdo gjë është prej kaderit të Allahut.
Sipas arsyetimit tuaj, – u themi atyre njerëzve – duhet të themi se është e panevojshme kryerja e shkaqeve nëpërmjet të cilave ju arrini të mirat dhe largoni të këqijat, sepse nëse dobia dhe dëmi janë të përcaktuara nga kaderi, ato do të ndodhin patjetër, dhe nëse nuk janë përcaktuar, nuk kanë për të ndodhur! Pa, dyshim, ky arsyetim është vërtet shumë i ulët dhe i mbrapshtë, sepse sjell shkatërrimin e fesë dhe të dynjasë, madje shkatërrimin e të gjithë botës. Të tilla arsyetime i përdor vetëm ai që e mohon të vërtetën padrejtësisht dhe me vetëdije shpreh armiqësi ndaj saj. Këta, nëpërmjet kaderit, mundohen të justifikojnë mospranimin e argumentimit të pathyeshëm të kundërshtarit.
I Lartësuari thotë: “Idhujtarët do të thonë: ‘Sikur të donte Allahu, nuk do të adhuronim tjetër veç Tij as ne, as baballarët tanë, dhe ne nuk do të kishim bërë të ndaluar asgjë’. Kështu mohonin edhe ata para tyre, derisa shijuan dënimin tonë. Thuaju: “A keni ndonjë provë të na paraqitni? Ju mbështeteni vetëm në hamendje dhe jeni vetëm gënjeshtarë.” Thuaju: “Allahu ka argumentin më bindës dhe, po të donte Ai, të gjithëve do t’ju përudhte në rrugë të drejtë!” (En’am : 148-149)
Ai thotë gjithashtu: “Ata që i shoqërojnë Allahut zota të tjerë, thonë: ‘Sikur të donte Allahu, as ne, as të parët tanë nuk do të adhuronim gjë tjetër, përveç Tij, dhe nuk do të kishim ndaluar asgjë, pa dëshirën e Tij’. Kështu kanë vepruar edhe popujt para këtyre. Për të dërguarit s’ka tjetër detyrë, veç të shpallin qartë. Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): ‘Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!’ Disa prej tyre Allahu i shpuri në rrugë të drejtë e disa e merituan të mbeten në humbje. Andaj, udhëtoni nëpër botë të shihni se si ishte fundi i mohuesve!” (Nahl : 35-36)
Ata i thonë këto fjalë për të justifikuar mohimin e tyre të argumenteve që Allahu u sjell njerëzve nëpërmjet profetëve. Këta njerëz gjithashtu thonë: Ekziston edhe një problem tjetër, që nuk e keni sqaruar. Allahu i Lartësuar e ka përcaktuar që të ndodhë diçka nëpërmjet një shkaku të caktuar. Nëse ti kryen sebepin apo shkakun, vjen pasoja, e nëse jo, ajo nuk vjen, dhe unë nuk do të mund ta kryej atë.
Këtyre u themi: A e pranoni këtë arsyetim prej shërbëtorit, fëmijës apo partnerit tuaj? Pra, nëse ju e urdhëroni apo ndaloni atë nga diçka dhe ai ju kundërshton, a do ta pranoni prej tij arsyetimin që: “Zoti nuk e përcaktoi për mua që unë ta veproj këtë sebep, prandaj nuk munda ta kryej atë që ti më urdhërove apo më ndalove (pra pasojën)”? Nëse arsyetoni në këtë mënyrë, atëherë ju nuk duhet ta qortoni atë nëse ai ju merr pasurinë, cenon nderin tuaj dhe shkel të drejtat tuaja. Nëse nuk e pranoni, atëherë si mund ta përdorni një arsyetim të tillë kur bëhet fjalë për shkeljen e dispozitave të Zotit dhe porosive të Tij?
Sipas një gojëdhëne prej Benu Israilëve, Ibrahimi, Profeti i dashur i Allahut, tha njëherë: – O Zoti im! Prej kujt vjen sëmundja? Ai tha: “Prej Meje!” – Po shërimi, prej kujt vjen? Ai tha: “Prej Meje.” – Po atëherë, ç’punë bën mjeku?! Allahu tha: “Ai është një njeri në dorën e të cilit Unë dërgoj ilaçin.”
Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë se, “për çdo sëmundje ka ilaç”. Kjo është vërtet mjaft inkurajuese dhe qetësuese si për zemrën e të sëmurit, ashtu edhe për doktorin. Kjo thënie është një nxitëse e fortë për të kërkuar dhe hulumtuar rreth ilaçit që duhet. I sëmuri, kur e di se për sëmundjen e tij ekziston një ilaç që e shëron, në zemrën e tij lind një shpresë e madhe, i largohet dëshpërimi dhe i hapet porta e shpresës.
Rrjedhimisht, kur i sëmuri bëhet optimist, atij i shtohen fuqitë e brendshme, energjia, shpirti dhe mendja. Këto fuqi, më pas, forcojnë atë pjesë të trupit që është prekur nga sëmundja, e kështu bëhet më lehtë që lëngimi të mposhtet dhe të largohet. Në të njëjtën mënyrë ndikohet edhe mjeku. Kur ai ka siguri se për një sëmundje të caktuar ekziston një ilaç, ai përpiqet me të gjitha forcat që ta zbulojë dhe gjejë atë.
Sëmundjet trupore u përngjajnë sëmundjeve shpirtërore. Allahu i Lartësuar, ashtu siç ka zbritur për çdo sëmundje shpirtërore një mënyrë shërimi, po ashtu ka zbritur ilaçin edhe për sëmundjet fizike. Nëse njeriu e njeh ilaçin dhe e përdor atë në mënyrën e duhur, atëherë zemra e tij do të shërohet, me lejen e Allahut të Lartësuar.