Hadithet e Pejgamberit (alejhi selam) në kohën e Ebu Davudit ishin të tubuara në formë përmbledhjeje që trajtonin tema të ndryshme. Krahas haditheve që bënin fjalë mbi dispozitat e Sheriatit Islam, theksoheshin hadithe mbi besimin, tregime të ndryshme, këshilla, etj. Ebu Davudi grumbullimin e haditheve e bëri sipas një modeli të ri, i cili ishte i panjohur deri në atë kohë, pra, bëri tubimin e haditheve, të cilët bënin fjalë mbi dispozitat. Ebu Davudi pasi që e përfundoi librin e tij, ia paraqiti dijetarit të famshëm të shkencës së hadithit, Ahmed Ibn Hanbeli, i cili e pëlqeu pa masë dhe e lavdëroi shumë atë libër. Në këtë libër Ebu Davudi nuk ishte interesuar të bëjë vetëm tubimin e haditheve të vërteta, siç kishin vepruar Buhariu dhe Muslimi, por, kishte tubuar hadithe të kategorive të tjera si hasen, hasen lidhatihi, ligajrihi dhe hadithe të dobëta që dijetarët islamë nuk ishin dakorduar për refuzimin e tyre.
Transmetohet se Ebu Davudi ka thënë: كتبت عن رسول الله صلى الله عليه وسلم خمسمائة ألف حديث انتقيت منها أربعة آلاف و ثمانمائة ضمنتها هذا و ما كان ’و ما ذكرت فى كتابى حديثا أجمع الناس على تركه ‘الكتاب و جمعت فيه الصحيح و ما يشبهه و يقاربه و بعضها أصح ‘ و ما لم أذكر فيه شيئا فهو صحيح ’من حديث فيه وهن شديد فقد بينته و منه ما لا يصح سنده من بعض.
“Nga Pejgamberi (alejhi selam) i kam shkruar 500,000 hadithe, prej të cilëve në brendinë e këtij libri i kam zgjedhur 4800 hadithe. Kam tubuar në të hadithe të vërteta (sahiha), të ngjashëm me to dhe që iu afrohen atyre. Nuk kam theksuar në këtë libër timin ndonjë hadith për të cilin dijetarët islamë kanë thënë se duhet hequr dorë nga ai. Nëse hadithi ka ndonjë dobësi e kam sqaruar atë, gjithashtu kam theksuar senedin e atij hadithi që nuk vlen, e nëse nuk kam thënë asgjë, atëherë hadithi është i vlefshëm, pra, sahih, disa hadithe janë më të vërtetë se të tjerët”.
Sipas konstatimit të Ebu Davudit, përveç Kur’anit, njeriut për fenë e tij nga të gjithë hadithet që i ka shënuar në Sunen, i mjaftojnë katër si përmbledhje e të gjithë atyre:
- إنما العمال بالنيات – “Veprat çmohen sipas qëllimit”,
- من حسن الإسلام المرء تركه ما لا يعنيه – “Si (cilësi e bukur) e Islamit të njeriut është largimi nga ajo që nuk i intereson”,
- الحلال بين و الحرام بين – “Gjëja e lejuar (hallalli) është e qartë, por edhe ndalesa (harami) është e qartë”,
- لا يؤمن أحدكم حتى يحب لأخيه ما يحب لنفسه – “Nuk ka besim të plotë asnjëri prej jush, derisa të mos dëshirojë për vëllanë e vet atë që dëshiron për vetveten”.
Ajo që mund të konstatohet nga fjalët e Ebu Davudi është se ai përveç haditheve të vërteta në librin e tij ka tubuar hadithe të kategorive të tjera. Në kaptinë përmend hadithet më të vërteta që posedon, mirëpo kur nuk gjen hadith të vërtetë e merr për argument dhe bazohet në hadith të dobët, ngase sipas tij është më i fortë se mendimi i njerëzve. Ebu Davudi më së tepërmi ishte i përqëndruar të bëjë tubimin e haditheve që flasin mbi dispozitat, prandaj libri i tij mund të quhet një përmbledhje e haditheve të Fikhut. Ebu Davudi u angazhua që në kaptinë të paraqes hadithin më të vërtetë që posedon. Hadithin munker dhe daif nuk e merr për bazë, nëse në kaptinë ka hadith të vërtetë, por nëse nuk gjente, atëherë bazohej në to duke i treguar në fund dobësitë e tyre.
Vështruar në mënyrë të përgjithshme numri më i madh i haditheve të paraqitur në Sunnen janë sahih, por ka edhe të kategorive të tjera, sa i përket numrit të haditheve të dobëta në krahasim me hadithet e vërteta është shumë i vogël. Megjithatë, Suneni i Ebu Davudit është një libër shumë i vlefshëm dhe pa kurrfarë rezerve mund të konsiderohet libër bazë i çështjeve të shkencës së Fikhut. Për shkak të përmbajtjes së saktësisë së haditheve, dijetarët islamë Sunenin e Ebu Davudit e kanë radhitur menjëherë pas sahihut të Buhariut dhe të Muslimit, pra në renditje është libri i tretë. Njëherit është një nga gjashtë librat kryesore të shkencës së hadithit. Për rëndësinë dhe vlerën që ka Suneni i Ebu Davudit nuk kanë munguar edhe lavdëratat e dijetarëve islamë. Zekerija Es-Saxhi ka thënë: Libri i Allahut të Madhërishëm, Kur’ani është fundament kryesor i Islamit, kurse Suneni i Ebu Davudit është djep i Islamit”. Ibn Arabiu ka thënë: “Ai i cili nuk ka shumë njohuri për fenë do të ishte e mjaftueshme të lexojë Kur’anin dhe Sunenin e Edu Davudit”. Imam Neveviu ka thënë: “Ai i cili merret me shkencën e Fikhut i mjafton atij Suneni i Ebu Davudit”.
Siç është theksuar edhe më herët Ebu Davudi dinte një numër të madh të haditheve, të cilët i kishte mësuar përmendësh dhe i posedonte të shënuara. Siç ka thënë vetë ai nga 500,000 hadithe në Sunenin e tij i ka zgjedhur 4800 të shpërndarë në 35 libra, prej tyre tri libra nuk i ka ndarë në kaptina. Kurse numri i kaptinave të Sunenit të Ebu Davudit arrinë 1871 kaptinë. Kësaj vepre vëllimore i është kushtuar kujdes i vazhdueshëm sa që shumë dijetarë janë marrë me komentimin e tij. Prej dijetarëve që u morën me komentimin e këtij libri është: Ebu Sulejman El-Hittabiu dhe e quajti “Mealimus-Sunen”. Komentimi më i gjerë i Sunenit të Ebu Davudit u bë në kohën më të re dhe quhet “Avnul Ma’bud”, komentoi Shejkh Shereful Hakki, i njohur si Ebi Tajjib El-Adhim Abadi dhe është botuar në Indi në katër vëllime.