Nuk ishte traditë e Pejgamberit (alejhi selam) dhe as e shokëve të tij që të mjekoheshin me ilaçe “të përbëra”, të ashtuquajtura akrabadhejn (pharmacopoeia). Shumica e barnave të atëhershme ishin të thjeshta. Ndonjëherë, ata merrnin ndonjë substancë plotësuese, për të përforcuar efektin e barit kryesor ose për ta bërë atë sa më të pranueshëm. E tillë ka qenë, dhe është ende, tradita mjekësore e shumicës së popujve arabë, turq dhe beduinë. Ndërsa barnat “e përziera” janë përdorur nga romakët dhe grekët. Edhe ilaçet indiane kanë qenë më së shumti të thjeshta.
Të gjithë mjekët janë të një mendimi, se: nëse është i mundur mjekimi nëpërmjet një diete ushqimore, nuk kalohet te barnat. Gjithashtu, nëse është i mundur kurimi me barna të thjeshta, nuk duhen përdorur ato të përbërat. Ata thonë: për çdo sëmundje që mund të shmanget me masa mbrojtëse dhe disiplinim të ushqimit nuk duhet kërkuar shërimi me ilaçe. Ata thonë gjithashtu që: mjeku i mirë nuk duhet të gjejë si zgjidhje të parë ilaçin, sepse nëse ilaçi nuk gjen në trup se çfarë të asgjësojë prej sëmundjes, apo gjen një sëmundje që nuk i përshtatet, apo gjen sëmundjen e përshtatshme por është në dozë më të madhe se ajo apo në cilësi më të fortë, në këto raste ai e dëmton shëndetin.
Mjekët më të mirë përdorin kryesisht barnat që kanë vetëm një përbërës. Mjekimi duhet të jetë i ngjashëm ose i lidhur me llojin e ushqimit që njeriu ha zakonisht. Njerëzit që hanë ushqim të thjeshtë dhe natyror sëmuren rrallë, ndërsa ata që hanë zakonisht ushqime të përziera, me shumë përbërës, kur sëmuren, në shumicën e rasteve u duhen ilaçe të përbëra. Sëmundjet e njerëzve që jetojnë në shkretëtira janë zakonisht të thjeshta, prandaj dhe barnat e thjeshta janë më të përshtatshme për ta. Këto janë fakte të njohura për shkencën e mjekësisë.
Mjekësia profetike përmban në vetvete një element hyjnor. Ky element e bën krahasimin e mjekësisë profetike me mjekësinë e doktorëve profesionistë të ngjashëm me krahasimin e mjekësisë profesioniste me mjekësinë amatore. Mjekët më të mirë pajtohen me këtë fakt, pasi shkenca ku ata lëvrojnë është fryt i përqasjeve, eksperimentimeve, frymëzimeve, vizioneve dhe hipotezave. Disa nga ata pranojnë se njohuritë e tyre janë përftuar nga vëzhgimi i botës së kafshëve. Për shembull, ata vërejnë se macet, kur hanë ndonjë krijesë helmuese, shkojnë dhe lëpijnë pastaj vajin e kandilit, për të neutralizuar efektin e helmit. Ata kanë parë gjithashtu, se, kur gjarpri ka probleme me sytë, shkon dhe i fërkon sytë te gjethet e maraqit. [1] Po ashtu, thonë ata, disa shpendë pinë ujë deti, kur vuajnë nga shtërzimi i barkut. Përveç këtyre, ka edhe plot shembuj të tjerë të ngjashëm, që doktorët i përmendin nga vëzhgimet që i kanë bërë natyrës.
Kjo lloj njohurie nuk mund krahasohet me Shpalljen që Allahu i Lartësuar ia zbriti Profetit të Tij, ku i shpjegoi se çfarë i bënte dobi dhe çfarë e dëmtonte. Mjekësia e tyre në krahasim me Shpalljen është njëlloj sikurse dituria e tyre përballë dijes që sollën profetët. Madje, në Shpalljen e Profetit (alejhi selam) gjejmë ilaçe që shërojnë sëmundje të cilat është e pamundur t’i shërojnë edhe mjekët më të mëdhenj, sepse njohuritë dhe përvoja e tyre nuk mund ta arrijnë dijen e Shpalljes, e po kështu edhe vëzhgimet e tyre krahasuese nuk bëjnë punë.
Pejgamberi (alejhi selam) na mësoi se si kurohet zemra nga çdo gjë që e sulmon atë. Recetat profetike forcojnë zemrën dhe rrisin mbështetjen e plotë tek Allahu dhe varësinë prej Tij. Ai (alejhi selam) na mësoi të drejtuarit vetëm tek Allahu, të përgjëruarit dhe lutjen me përunjësi vetëm përpara Tij, nënshtrimin dhe bindjen e plotë ndaj Tij, na mësoi që shërimin ta gjejmë nëpërmjet sadakasë, lutjes së sinqertë, pendimit të plotë, kërkimit të faljes, bamirësisë ndaj krijesave, ndihmës së njerëzve në nevojë, përpjekjes për largimin e vështirësive dhe fatkeqësive nga të goditurit me to. Të tilla “ilaçe” dhe mënyra kurimi i kanë provuar shumë e shumë njerëz, të cilët kanë parë më pas fryte që kanë qenë të paarritshme prej dijes dhe përvojës njerëzore.
Zemrat që janë të lidhura fort me Zotin e botëve (Krijuesin e sëmundjes dhe të ilaçit, Atij që rregullon çështjet e gjithësisë dhe që i shndërron ato sipas dijes dhe urtësisë së Tij absolute), kanë nevojë për disa ilaçe të veçanta, që kurrsesi nuk janë si ato që kërkojnë zemrat të cilat janë larg Zotit dhe që i kanë kthyer shpinën adhurimit të Tij. Për më tepër, nëse zemra dhe shpirti forcohen, ato ndihmojnë shumë në largimin e sëmundjes dhe mposhtjen e saj. Si mund ta mohosh që kura më efikase për sëmundjet që prekin zemrën dhe shpirtin është ajo kur njeriu gëzohet me praninë dhe afrimin e tij tek Allahu, te Krijuesi i tij, kur gjen prehje pranë Tij, shijon dashurinë e fortë për Të dhe kur ngazëllehet me përkujtimin e Tij?
Këto fakte mund të mos pranohen veçse nga njerëz injorantë, nga ata që janë larg Allahut dhe larg njohjes së realitetit të njeriut. Për shembull, ne do të përmendim më pas, me lejen e Allahut, shkakun pse leximi i Fatihasë e largoi [2] plotësisht ndikimin e helmit të akrepit, aq sa i helmuari u ngrit në këmbë sikur të mos i kish ndodhur gjë. Për këto dy lloje të mjekësisë së Profetit (alejhi selam), ne do të flasim sipas mundësisë dhe njohurive tona të pakta. Por e lusim Atë që ka në dorë të gjitha mirësitë, që të na dhurojë sukses! Ai vërtet është Krenari, Dhuruesi i çdo mirësie!
[1] Maraqi (lat. foenicilum vulgare) – Bimë barishtore shumëvjeçare e ngjashme me koprën, me kërcell të degëzuar, me gjethe të holla si fije e me erë të mirë dhe me lulesë të verdhë, që rritet zakonisht nëpër ledhe në vende të thata e përdoret si erëz në gjellë ose si bimë mjekësore (shën. i përkth.).
[2] Flitet për një ngjarje në kohën e Profetit.