Allahu në Kur’an ka thënë: “Me të vërtetë Allahut i takojnë emrat e përkryer e të bukur, prandaj luteni Atë me ta.”(El Isra : 110) Ata janë të tillë sepse përmbajnë kuptime dhe cilësi, të cilat janë të përkryera e të përsosura.
Shprehjet, për sa i përket kuptimit të tyre ndahen në tri grupe:
1. Shprehje apo fjalë, të cilat kanë në mënyrë absolute, gjithmonë kuptim të bukur e të përkryer. Emrat e Allahut janë të gjithë të tillë.
2. Shprehje apo fjalë, të cilat kanë herë kuptim të mirë dhe herë kuptim jo të mirë.
3. Shprehje apo fjalë, të cilat kanë gjithmonë kuptim të mangët, jo të mirë. Nuk ka dyshim, se emrat e Allahut bëjnë pjesë në shprehjet e grupit të parë, sepse çdo emër i Allahut përmban cilësi të përsosura e të përkryera.
Le të sjellim disa shembuj për këtë:
– Një nga emrat e Allahut është El Haj – الحي – i Gjalli, i Përjetshmi.
Ky emër i Allahut, përmban në vetvete cilësinë e jetës së përsosur të Allahut të Madhëruar, e cila nuk ka fillim dhe mbarim, nuk i ka paraprirë Atij mosekzistenca në të kaluarën dhe kurrë nuk do të ndodhë kjo në të ardhmen:
“Dhe mbështetu tek i gjalli i Cili nuk vdes.” “Ai, Allahu, është Një, i Vetëm dhe i Pashok, i Gjallë, i Përjetshëm.” Jeta e Allahut, në mënyrë të pashmangshme tregon për Dijen, Shikimin, Dëgjimin dhe të tjera cilësi të Tij të përsosura.
– Emri i Allahut El Alim – العلیم – i Gjithëdituri, përmban në vetvete ekzistencën e dijes së përkryer të Allahut. Atij nuk i ka paraprirë padituria, asgjë nuk ka qenë jashtë dijes së Tij dhe asgjë nuk do të jetë në të ardhmen. Ai nuk mund të harrojë asgjë:
“Dija e tyre është tek Zoti im, në shkresën e duhur. Zoti im nuk është i pavetëdijshëm dhe Ai nuk harron.” (Ta Ha : 52)
“Dhe tek Ai janë çelësat e së fshehtës që askush nuk i di përveç Tij. Ai di çfarë ka në tokë dhe në det. Nuk ka asnjë gjethe që bie dhe Ai të mos ketë dijeni për të. Nuk ka asnjë grimcë në errësirën e tokës, asgjë të njomë ose të thatë, që të mos jetë shkruar në shkrim të qartë.” (El Enam : 59)
“Nuk ka asnjë gjallesë në tokë që Allahu të mos ia ketë garantuar furnizimin asaj. Ai e di vendbanimin dhe vendstrehimin e saj, e të gjitha këto janë në librin e qartë.” (Hudë : 6)
“Me të vërtetë Allahut nuk i fshihet asgjë në qiej e as në tokë.” “Ai e di gjithçka që është në qiej e në tokë dhe e di atë të cilën e fshihni dhe e shfaqni. Me të vërtetë Allahu është i ditur për atë që fshehin gjokset.” (Et-Tegabun :
4)
– Emri i Allahut Err-Rrahman – الرحمن – i Gjithëmëshirëshmi, është një prej emrave të bukur të Allahut. Ai përmban cilësinë e mëshirës së përkryer, për të cilën Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Me te vërtetë Allahu është më i mëshirshëm për robërit e Tij se sa kjo grua për fëmijën e saj.” Bëhet fjalë për një nënë që e gjeti foshnjën e saj ndërmjet robërve, e mori atë, e vendosi në prehrin e saj dhe i dha gji. Profeti (alejhi selam), pasi vuri re veprimin e saj, tha fjalët e lartpërmendura.
Emri Err-Rrahman tregon se Mëshira e Allahut është gjithpërfshirëse: “Mëshira Ime ka përfshirë çdo gjë.” Për lutjen që melekët bëjnë për besimtarët, Allahu ka thënë: “Zoti ynë, ke përfshirë çdo gjë me mëshirë dhe dije.” Çdo emër i Allahut, duke e marrë parasysh më vete, ka bukuri dhe përsosmëri. Në qoftë se do të përmendet së bashku me një emër tjetër, ky bashkim përbën një bukuri dhe një përsosmëri edhe më të madhërishme se ajo që ka çdo emër më vete.
P.sh emri i Allahut El Aziz – العزیز , tregon për fuqinë dhe krenarinë e plotë dhe të përkryer të Allahut, ndërsa El Hakim – الحكیم , tregon për gjykimin me drejtësi të Allahut dhe për urtësinë e Tij. Përmendja e këtyre dy emrave së bashku, tregon për një përsosmëri edhe më të lartë. N.q.s i Gjithëfuqishmi, Krenari, i Lartësuari, nuk do të ishte i Urtë dhe Gjykues i Drejtë, mund të bënte padrejtësi, sikurse ndodh me njerëzit e pushtetshëm në dunja. E nëse Gjykuesi i Drejtë dhe i Urtë, nuk do të ishte i Lartë, i Fortë e Krenar, ai mund të cilësohej si i dobët e i paaftë, siç cilësohen njerëzit e drejtë dhe të urtë, por jo të fuqishëm (nuk do të pranohej gjykimi i tij).
Të gjithë emrat e Allahut kanë domethënie të qartë, pra të gjithë janë “muhkame”- محكمة , që do të thotë: të qartë e të kuptueshëm. Për sa i përket cilësive që përmbajnë këta emra, ato janë “muhkametun”- محكمة nga njëra anë dhe “muteshabiha”- متشابه (të pakuptueshme) nga ana tjetër. Cilësitë janë “muhkametun” për sa i përket domethënies së tyre, dhe “muteshabiha” për sa i përket përshkrimit të formës dhe mënyrës se si ato janë. Më gjerë rreth kësaj teme do të flasim në kapitullin e cilësive.