Ajetet 28 – 29
28. Si e mohoni Allahun, kur (e dini se) ju ishit të vdekur, e Ai ju dha jetën?! Pastaj, Ai ju bën të vdisni, e pastaj ju ringjall përsëri; e më pas (përfundimisht), tek Ai do të ktheheni.
29. Gjithçka që është në tokë, Ai (Allahu) e krijoi për ju, pastaj (me pushtetin e Tij) iu drejtua qiellit. Ai i përsosi ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëditur për gjithçka.
Shpjegimi i ajeteve
– “Si e mohoni Allahun, kur (e dini se) ju ishit të vdekur, e Ai jua dha jetën” – Kjo është një pyetje retorike, që tregon një ndjenjë habie dhe qortimi njëkohësisht. Si është e mundur pra, që ju të mohoni Allahun, i Cili ju krijoi pasi nuk ekzistonit?! Ai ju dhuroi, gjithashtu, edhe një larmi të pafundme mirësish.
– “Pastaj, Ai ju bën të vdisni, e pastaj ju ringjall përsëri; e më pas (përfundimisht), tek Ai do të ktheheni.” – Më pas, në momentin kur afati juaj do të jetë plotësuar, Ai do ju sjellë vdekjen, për t’ju dhënë shpërblimin e veprave që kryet në këtë jetë, që në momentin kur hyni në varr. Pastaj, Ai do t’ju ringjallë në Ditën e Ringjalljes dhe të Grumbullimit të Madh, për t’u rikthyer sërish tek Ai dhe për ta marrë të plotë shpërblimin e veprave tuaja. E pra, ju jeni (në të gjitha gjendjet) nën administrimin, përkujdesjen dhe mirësitë e Tij. Ju jeni të detyruar t’i nënshtroheni urdhrave dhe ligjit të Tij hyjnor, se pastaj do t’i nënshtroheni llogarisë dhe shpërblimit, sipas zbatimit të ligjit dhe urdhrave të Tij. Si është e mundur që, pas gjithë këtij informacioni, ju ta mohoni Atë? A nuk tregon kjo një injorancë të thellë dhe mendjelehtësi të pamatë? Kështu që, më e mira për ju është besimi te Zoti e devotshmëria ndaj Tij. Ju duhet të jeni të frikësuar prej ndëshkimit dhe të shpresoni fort shpërblimin e Tij.
– “Gjithçka që është në tokë, Ai (Allahu) e krijoi për ju” – Komenti: Ai i krijoi këto të mira si bamirësi dhe mëshirë për ju, që të përfitoni prej tyre, të kënaqeni me to, dhe të nxirrni mësime e urtësi. Ky ajet madhështor është argument që vërteton se gjërat, në origjinë, janë të pastra dhe të lejuara. Gjërat konsiderohen në origjinë si të pastra, sepse Allahu i Madhëruar i ka sjellë ato si dëshmi për të treguar mirësitë e Tij. Përjashtim bëjnë vetëm gjërat e pista dhe të dëmshme, të cilat po nëpërmjet këtij ajeti kuptohet që janë të tilla. Kjo kuptohet nga i njëjti ajet, sepse ai tregon që shkaku i krijimit të këtyre gjërave, me të cilat Ai na tregon mirësinë dhe mëshirën e Tij, është që ne të përfitojmë dhe të kënaqemi. Ndërsa gjërat që nuk i ka krijuar për këtë qëllim, Ai i ka konsideruar të pista dhe na ka ndaluar nga ato.
Me fjalë të tjera: Allahu i Lartësuar nuk mund të sjellë si prova të mirësisë dhe mëshirës së Tij, gjërat e pista dhe të dëmshme. Edhe ndalesat që Allahu i Madhëruar na ka bërë, kanë si qëllim mirësinë dhe mëshirën ndaj nesh. Pra, si në gjërat e lejuara, që janë shumë, ashtu edhe në gjërat që na i ka ndaluar, Allahu i Madhëruar tregon ndaj nesh mirësinë dhe mëshirën e Tij, duke na udhëzuar për të mira dhe duke na ndaluar nga të këqijat.
– “…pastaj iu drejtua qiellit” – Fjala ‘isteuã’ në Kur’an vjen me tri kuptime, sipas rastit:
- Nëse vjen e vetme, e pashoqëruar me parafjalët e vendit ‘ala’ (mbi, sipër) apo ‘ila’ (tek, deri tek), ajo ka kuptimin ‘u plotësua, u përsos’, sikurse thotë Allahu i Lartësuar për Musain (alejhi selam), në suren Kasas, ajeti 14: “E pasi ai (Musai) arriti moshën madhore dhe u plotësua (isteuã)(u bë i pjekur, u bë i plotë), Ne i dhamë atij dituri dhe urtësi.”.
- Nëse ajo vjen e shoqëruar me parafjalën e vendit ‘ala’ (mbi, sipër), atëherë ajo ka kuptimin “u lartësua, u ngrit sipër”, sikurse thotë Allahu i Lavdëruar: “Thumme isteua ala el arsh” (Pastaj u ngrit mbi arsh). Ose siç thuhet në suren Zuhruf, ajeti 13: “Ai që i krijoi të gjitha llojet dhe ju mundësoi të udhëtoni hipur në anije ose në kafshë, të uleni mbi to (Li testeuu ala đhuhûrihî) dhe, atëherë, pasi të jeni vendosur mbi to, ta përkujtoni të mirën që jua dha Zoti juaj e të thoni: “Falënderuar qoftë Ai që i nënshtroi këto për ne, sepse ne nuk do të kishim mundësi ta bënim këtë.”.” Fjala “li testeû” vjen nga “isteua ala” (të ngriheni dhe të qëndroni mbi to).
- Nëse vjen e shoqëruar me parafjalën e vendit ‘ila’, që do të thotë “te, deri te”, ajo ka kuptimin: “synon, ka për qëllim, drejtohet, ka për objektiv”. Pra, “isteuã ila” do të thotë “synoi, u drejtua te”, sikurse vjen edhe në këtë ajet: “…pastaj iu drejtua qiellit”. Pra, kur Allahu i Lartësuar mbaroi krijimin e tokës, Ai synoi dhe iu drejtua krijimit të qiellit.
– “Ai i përsosi ata shtatë qiej” – Pra, i krijoi, i rregulloi dhe përsosi çdo gjë në to.
– “Ai është i Gjithëditur për gjithçka” – Sikurse thotë Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër, në suren Hadid, ajeti 4: “…Ai di gjithçka që futet në Tokë dhe gjithçka që del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngrihet në të. Ai është me ju kudo që të jeni. Allahu vështron gjithçka që bëni ju.” Ose në suren Ta Ha: “Edhe nëse ti e ngre zërin (në lutjet e tua), Ai e di të fshehtën dhe atë që është më e fshehtë (se e fshehta).” Ai thotë gjithashtu: “Ai e di atë që e mbani të fshehur dhe atë që e publikoni”.
Janë të shumta ajetet në Kur’an, ku Allahu i Lartësuar, së bashku me faktin që është Krijues, përmend edhe dijen e Tij absolute, sikurse ka ndodhur në këtë ajet, në suren Mulk, ajeti 14: “A nuk e di Ai që ka krijuar, kur Ai di në imtësi çdo sekret.” Këtë bashkim të dy cilësive, Allahu i Madhëruar e sjell si argument për madhështinë e cilësive të Krijuesit. Krijimi i krijesave prej Tij tregon se Ai ka dituri, urtësi dhe pushtet absolut, për të arritur gjithçka që dëshiron.