– Baza e tretë. Të gjithë emrat e Allahut janë “teukifije” (d.m.th. merren vetëm nga Kur’ani dhe Suneti i saktë).
Njeriut nuk ka të drejtë që sipas mendjes ose logjikës së tij ta emërtojë Allahun me emra të cilët nuk kanë ardhur në Kur’an dhe Sunnet, siç kanë bërë filozofët, disa prej mutezilive dhe sufitë, por duhet që këta emra të merren vetëm nga Kur’ani dhe Suneti i saktë. Ta emërtojmë Allahun me emra që nuk kanë ardhur as në Kur’an dhe as në Sunnet është padrejtësi kundrejt Tij.
Është detyrë që të jemi të edukuar me Allahun Te’Ala dhe të qëndrojmë në tekstet e Kur’anit dhe të Sunnetit:
“Dhe mos e thuaj atë për të cilën nuk ke dituri, se me të vërtetë të dëgjuarit, të parët dhe zemra, të gjitha këto janë përgjegjëse dhe secila prej tyre do të pyetet.” (El Isra : 36)
“Thuaj: ‘(Por në të vërtetë) gjërat që i ka ndaluar Zoti im janë ‘El Fahisha’ (gjynahet e mëdha, çdo lloj afrimi me gratë jashtë martesës, etj.) që kryhen hapur ose fshehur, gjynahet (e tjera të çdo lloji), shtypja pa të drejtë, vënia shok Allahut në adhurim (adhurimi i të tjerëve përkrah a përveç Atij), gjë për të cilën Ai nuk ka dhënë asnjë të drejtë dhe asnjë provë, si dhe përfolja e Allahut për gjëra që ju nuk keni asnjë dijeni.’” (El A’raf : 33)
“O njerëz! Hani nga ajo që është e ligjshme dhe e mirë në tokë dhe mos ndiqni gjurmët e shejtanit. Padyshim që ai është për ju armik i hapur. Shejtani ju urdhëron vetëm të keqen dhe Fahsha (ç’është gjynah dhe e dënueshme), (si) dhe që ju të thoni kundër Allahut çfarë ju nuk e dini.” (El Bekare : 168-169)
Baza e katërt. Emrat e Allahut nuk janë të kufizuar me ndonjë numër të caktuar.
Për këtë tregon hadithi i transmetuar nga Abdullah Ibn Mes’udi, se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Nëse ndonjërin e kap ndonjë brengë, pikëllim apo vështirësi dhe thotë: ‘O Allah unë jam robi Yt, biri i robit Tënd dhe biri i robëreshës Tënde. Unë jam në dorën Tënde dhe në të drejtën time zbatohet gjykimi Yt. I gjithë caktimi Yt për mua është i drejtë. Të lus Ty me çdo emër që Ti ke, me të cilin e ke quajtur Veten Tënde, ose e ke zbritur në librin Tënd, ia ke mësuar ndonjërës prej krijesave të Tua, ose e ke ruajtur në dijen Tënde të fshehtë, e cila është tek Ti, ta bësh Kur’anin e Madhëruar pranverën (gjallërimin, gjelbërimin) e zemrës sime dhe dritën e gjoksit tim, të tillë që të më largojë brengën, mërzitjen dhe vështirësinë time’, Allahu e zhduk brengën, mërzitjen dhe vështirësinë e tij dhe ia zëvendëson atë me gëzim e lumturi.” (Transmeton Ahmedi, Hakimi dhe shejkh Albani e ka bërë të saktë.)
Ky hadith tregon që emrat e Allahut nuk janë të kufizuar me ndonjë numër të caktuar, sepse emrat që i di Allahu dhe janë në dijen e Tij të fshehtë, nuk i di asnjë nga krijesat e Tij. Prandaj, nuk i lejohet askujt, që të kufizojë emrat e Allahut me ndonjë numër të caktuar. Për sa i përket hadithit: “Me të vertetë Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra, të cilët kush i mëson përmendësh hyn në Xhennet” (Muslimi), në të nuk tregohet se emrat e Allahut janë vetëm nëntëdhjetë e nëntë.
Imam Neveviu ka thënë: “Të gjithë dijetarët janë të mendimit se ky hadith nuk tregon që emrat e Allahut janë të kufizuar në nëntëdhjetë e nëntë, sepse Profeti (alejhi selam) nuk thotë që emrat e Allahut janë vetëm nëntëdhjetë e nëntë dhe nuk ka emra të tjerë përveç tyre, por ka pasur për qëllim të thotë se Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra (ndër emrat e Tij), të cilët kush i mëson përmendësh Ai e fut në Xhennet.”
Kjo nuk do të thotë që Allahu nuk ka emra të tjerë, por këta nëntëdhjetë e nëntë emra, janë të tillë që nëse njeriu i mëson, i kupton dhe punon me ta, hyn në Xhennet. Kjo është njësoj si të thuash se një njeri ka 100 derhemë të cilët do t’i japë sadaka. Kjo nuk do të thotë se ai nuk ka derhemë të tjerë, por do të thotë se këta 100 derhemë i ka llogaritur t’i japë sadaka. Pra, fjala e Profetit (alejhi selam) në hadith: “…kush i mëson ata përmendesh hyn në Xhennet“, është plotësim i fjalisë së parë e jo fillim i një fjalie të re.
Si përfundim, qëllimi i Profetit (alejhi selam) është lajmërimi për hyrjen në Xhennet me anë të mësimit përmendësh të këtyre emrave dhe jo lajmërimi për kufizimin e tyre. Përcaktimi i nëntëdhjetë e nëntë emrave nuk ka ardhur as në Kur’an e as në Sunnetin e saktë, kurse hadithi që transmeton Tirmidhiu nga Uelid ibn Muslim për përcaktimin e nëntëdhjetë e nëntë emrave është i dobët, sepse Uelidi konsiderohet transmetues i dobët.
Shejkhul Islam ibn Tejmijje ka thënë: “Të gjithë dijetarët që kanë dituri rreth shkencës së hadithit, janë të një mendimi se Profeti (alejhi selam) nuk i ka përcaktuar nëntëdhjetë e nëntë emrat, ndërsa hadithi që ka transmetuar Uelidi është i dobët.” Në një fetva ai ka thënë: “Uelid ibn Muslim i ka marrë këta emra prej disa mësuesve të tij nga Shami, siç është sqaruar në disa prej rrugëve të hadithit të tij.”
Ibn Haxher el Askalani ka thënë: “Ajo që e bën hadithin të dobët, sipas mendimit të Buhariut dhe Muslimit, nuk është vetëm fakti që atë e transmeton Uelid ibn Muslim (i cili është transmetues i dobët), por ka edhe difekte të tjera si ‘idtirrab’ (mosmarrëveshje në lidhje me transmentimin e tij) dhe ‘idrraxh’ (shtesa në tekst) e gjithashtu Uelidi është ‘mudel-lis’.”