Pas vrasjes së Uthmanit (radijAllahu anhu) muslimanët zgjodhën si prijësin e tyre Aliun (radijAllahu anhu), i cili në fillim hezitoi, por kur pa këmbënguljen e sahabëve, e mori përsipër udhëheqjen në mënyrë që t’i jepte fund trazirave dhe t’i largonte rebelët që kishin uzurpuar Medinën.
Duke qenë se rebelët iu dhanë ultimatum sahabëve për zgjedhjen e një halifi brenda dy ditëve dhe kërcënuan me vrasjen e anëtarëve të këshillit konsultativ: Aliun, Talhan, Zubejrin, por dhe të tjerë veç tyre, muhaxhirët dhe ensarët u mblodhën rreth Aliut, i cili e ndjeu si obligim ta merrte përsipër qeverisjen e muslimanëve.
Në datën 19 Dhul-Hixheh, Aliu (radijAllahu anhu) hyri në xhami, ku muhaxhirët, ensarët dhe të tjerët i dhanë besën.
Periudha e qeverisjes së Aliut dhe disa ngjarje që e shoqëruan atë.
Aliu (radijAllahu anhu) ndërmori disa reforma në administratën shtetërore. Ai shkarkoi disa nga nëpunësit, për të cilët ishin shtuar ankesat dhe pakënaqësitë në popull. Po ashtu, largoi çdo vartës që nuk pajtohej me reformat dhe politikat që ai parashtroi se do të ndiqte.
Shumë nga sahabët kërkonin ndëshkimin e menjëhershëm të vrasësve të Uthmanit (radijAllahu anhu), mirëpo Aliu (radijAllahu anhu) ishte i mendimit që të mos ngutej, për sa i takonte kësaj çështjeje delikate, derisa të forcohej pushteti i tij dhe të mblidheshin rreth tij muslimanët e viseve të largëta.
Ai i urdhëroi guvernatorët dhe të gjithë vartësit e tij të tregonin vetëpërmbajtje, lidhur me ndëshkimin e vrasësve të Uthmanit, derisa të stabilizohej situata dhe të vendosej rendi. Një pjesë e guvernatorëve refuzuan t’i përgjigjen urdhërit të tij. Në krye të guvernatorëve që nuk iu përgjigjën ishte Muavije Ibn Ebi Sufjani (radijAllahu anhu).
Ai këmbëngulte për ndëshkimin e menjëhershëm të vrasësve të Uthmanit, madje nëse kjo kërkesë nuk do të zbatohej menjëherë, ai nuk do t’ia njihte pushtetin Aliut (radijAllahu anhu) dhe nuk do t’ia jepte besën. Ky ishte dhe fillimi i mosmarrëveshjeve midis Aliut dhe Muavijes (radijAllahu anhum), e cila më vonë precipitoi në dy konflikte të armatosura mes dy ushtrive muslimane.
Të dy, si Aliu, ashtu edhe Muavija u përpoqën të bënin atë që mendonin se ishte më e drejta. Ehli Suneti ka bindjen se secili prej tyre meriton shpërblimin tek Zoti i Madhëruar. Ai i cili ka gjykuar drejtë do të marrë dy shpërblime, ndërsa ai që ka gabuar në gjykim meriton një shpërblim.
Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kur gjykatësi (apo dijetari) përpiqet të gjykojë drejtë dhe ia arrin, shpërblehet dy herë, por nëse gabon në gjykim shpërblehet vetëm një herë.” [1]
Dijetari i nderuar Muhamed Ibn el-Uthejmini në shpjegimin e librit El Akidetul Uasitijeh është shprehur: “Mosmarrëveshja mes Aliut dhe Muavijes ishte pasojë e ixhtihadit [2] (përpjekjes për të gjetur të vërtetën), mirëpo, nuk ka dyshim se Aliu (radijAllahu anhu) ishte më afër të vërtetës sesa Muavija (radijAllahu anhu), madje mund të themi se Aliu (radijAllahu anhu) ishte tërësisht në të drejtë.
Argument për këtë është fakti se Profeti (alejhi selam) kishte thënë: “Amari do të vritet nga pala zullumqare.” Siç dihet, Amari (radijAllahu anhu) u vra nga ushtarët e Muavijes. Nga ky hadith kuptohet qartazi se në këtë konflikt, pala e Muavijes e kishin gabim, pasi ata u rebeluan ndaj prijësit legjitim, pavarësisht faktit që e bënë këtë në përpjekje për të arritur drejtësinë.”
Muslimanët e të gjitha kohërave pas tyre, duhet të jenë të kujdesshëm dhe të tregohen të rezervuar në lidhje me konfliktin dhe mosmarrvëshjet që kanë ndodhur mes sahabëve, në mënyrë që të mos gabojnë dhe të mos e ngarkojnë veten me gjynah. Është obligim për ne që t’i duam të gjithë sahabët, t’i respektojmë, të lutemi për ta dhe të nxjerrim në pah vlerat dhe mirësitë e tyre.