Emri i tij i plotë është Uthman Ibn Afan Ibn Ebil Asi Ibn Umeje Ibn Abdi Menaf Ibn Kusaje Ibn Kilab el Kurashij el Emeuij. Njihej me ofiqin “Dhun-nurejni”- Mbartësi i dy dritave. E mori këtë ofiq, pasi ishte martuar me dy nga vajzat e Profetit (salAllahu alejhi we selem), në fillim me Rukijen, e cila vdiq pas luftës së Bedrit, pastaj u martua me Ummu Kulthumin, e cila vdiq gjatë jetës së Profetit (salAllahu alejhi we selem).
Nga Ibn Umeri (radijAllahu anhu) transmetohet se ka thënë: “Në kohën e Profetit (salAllahu alejhi we selem) nuk krahasonim askënd me Ebu Bekrin, Umerin, e më pas me Uthmanin. Pas atyre të treve, nuk bënim dallim mes shokëve të tjerë të Profetit.” (Buhariu me nr. 3697)
Uthmani ishte khalifi i tretë. Ai u zgjodh prijës i besimtarëve pas vrasjes së Umerit (radijAllahu anhu). Uthmani (radijAllahu anhu) kishte natyrë të butë dhe ishte shumë bujar. Nuk gjeje në mesin e sahabëve njeri më të turpshëm sesa ai, madje edhe Profeti (salAllahu alejhi we selem) turpërohej prej tij.
Pranimi i Islamit
Uthmani (radijAllahu anhu) ishte ndër dhjetë besimtarët e parë që pranuan Islamin dhe njëri ndër dhjetë të përgëzuarit me Xhennet. Ai u bë musliman në moshën tridhjetë e katër vjeçare. Islami i tij ishte fryt i thirrjes së Ebu Bekrit, i cili vazhdimisht i ftonte në Islam njerëzit më të besuar dhe këtë gjë e bënte fshehurazi, pa rënë në sy tek idhujtarët mekas.
Besimtarët e parë që pranuan Islamin nga kjo thirrje e fshehtë ishin: Zubejr Ibn Auami, Uthman Ibn Afani, Talha Ibn Ubejdullahi, Sad Ibn ebi Uekasi, AbduRrahman Ibn Aufi, etj. Të gjithë, së bashku me Ebu Bekrin, shkuan tek Profeti (salAllahu alejhi we selem) dhe dëgjuan prej tij pjesë nga Kur’ani. Ata u mahnitën nga ajo çfarë dëgjuan. Pasi u njohën me fenë dhe besimin Islam, ata nuk hezituan ta pranonin dhe u bënë ndër të parët që iu përgjigjën mesazhit hyjnor.