Idhujtarët betoheshin, prisnin kurbane dhe premtonin nën emrin e profetëve, dhe njerëzve të mirë që të afroheshin tek ata. Me këto veprime, ata kërkonin diçka nga privilegji dhe mirësia e atyre njerëzve të mirë. Madje, idhujtarët premtonin se do të jepnin për hir të tyre edhe nga risku, që Allahu u kishte dhënë atyre, si drithëra, bukë, gjellë, pije, kafshë, bagëti, ar, argjend, plaçka e pasuri. Drithërat, bukën, pijet, arin, argjendin, plaçkat dhe pasurinë, që kishin, i dërgonin te vendet dhe varret e këtyre njerëzve të mirë ose te statujat e tyre, duke ua dhënë rojave që rrinin pranë atyre varreve a shtëpive.
Kurse për bagëtitë e mëdha dhe të imëta idhujtarët përdornin disa mënyra. Nganjëherë i linin të lira kafshët në emër të eulijave dhe njerëzve të mirë. E bënin këtë për t’u afruar tek të vdekurit ose shtatoret dhe për t’i kënaqur ata! Kështu, i quanin ato kafshë të shenjta dhe as nuk i thernin, as nuk i godisnin dhe as nuk u bënin keq. Kafshët ishin të lira – kullosnin ku të donin dhe shkonin ku të donin. Në raste të tjera, ata i thernin kafshët mbi statujat e atyre njerëzve të mirë, domethënë mbi varret e tyre ose në vendet e caktuara për ta.
Në raste të tjera, i thernin kafshët në çfarëdo vendi tjetër, por kur i thernin, përmendnin emrat e eulijave a njerëzve të mirë në vend të emrit të Allahut të Madhëruar. Idhujtarët festonin për këta “eulija” e “njerëz të mirë” një ose dy herë çdo vit. Ata shkonin te varret a te vendet e caktuara për ta nga çdo anë. Grumbulloheshin atje në ditë të caktuara dhe organizonin festa; kërkonin të bekoheshin, duke prekur gurët, rrotulloheshin qark tyre, zotoheshin për ta, thernin kurban për ta etj.
Festat kishin një kohë të caktuar. Në to vinin të afërmit e të largëtit. Vinin njerëz me pozitë e pa pozitë dhe secili paraqiste premtimin e tij, që të plotësonte kërkesat e tij.
Kështu vepronin idhujtarët me këta “eulija” e “njerëz të mirë”, që të afroheshin tek ata dhe që t’i kënaqnin ata, për t’i bërë ata ndërmjetës midis tyre dhe Allahut. Idhujtarët besonin se nëpërmjet atyre “eulijave” e “njerëzve të mirë”, ata do të afroheshin tek Allahu dhe nëpërmjet tyre Allahu do t’i përkrahte ata! Idhujtarët u luteshin eulijave të vdekur, që t’u plotësonin nevojat dhe t’u largonin vështirësitë. Ata besonin se të vdekurit i dëgjonin fjalët e tyre dhe u përgjigjeshin kërkesave të të gjallëve, ua plotësonin kërkesat dhe ua largonin vështirësitë – vetë idhujt ose me ndërmjetësimin e idhujve tek Allahu.
Me këto veprime idhujtarët i vinin shok Allahut (bënin shirk). Ata morën për zot idhujt në vend të Allahut. Ata i konsideruan idhujt ortakë të Allahut. Zotat e idhujtarëve ishin eulijatë, njerëzit e mirë e të tjerë si ata.
Kur Profeti (alejhi selam) ftoi në Teuhid (Teuhidi është adhurimi vetëm i Allahut) dhe e hodhi poshtë gjithçka, që idhujtarët e merrnin për hyjni (të adhuruar), përveç Allahut, atyre u erdhi rëndë. Ata e bënë të madhe çështjen dhe e kundërshtuan atë. Ata thanë: “Ky është një komplot, me të cilin synohet diçka tjetër e jo ajo që thuhet.” Ata thoshin: “A mendon ai t’i bëjë zotat një Zot? Vërtet, kjo është gjë shumë e çuditshme. Paria, nga mesi i tyre filluan t’i thonë njëri-tjetrit: Vazhdoni dhe duroni për hir të zotave tuaj, sepse nuk ka dyshim se kjo është një gjë e kurdisur! Ne nuk e kemi dëgjuar diçka të tillë te njerëzit e parshëm (para nesh). Kjo nuk është gjë tjetër, përveçse një trillim.” (Sad: 5-7)
Thirrja për në Islam përparoi. Ndërkohë idhujtarët vendosën që ta mbronin idhujtarinë e tyre, të hynin në diskutim me polemikë të hapur me myslimanët që ta ndalonin Thirrjen për tek Allahu dhe ta asgjësonin ndikimin e saj te myslimanët. Atyre iu dha argument i qartë në çdo pikëpamje. Myslimanët u thanë atyre: “Nga e dini ju se Allahu u ka dhënë robve të Vet të afërm aftësi veprimi në Gjithësi dhe se ata kanë mundësi sipas mendimit tuaj që t’ua plotësojnë kërkesat dhe t’ua largojnë vështirësitë? A e dini ju të fshehtën (të panjohurën në Gjithësi)? A e keni gjetur atë që thoni në ndonjë libër të trashëguar nga profetët e mëparshëm ose nga dijetarët?”
Për këtë Allahu ka thënë në kur’an: “A mos janë fshehtësitë tek ata dhe ata i shkruajnë?” (Tur: 41) (Kalem: 47) Dhe: “Nëse thoni të vërtetën, më sillni ndonjë libër përpara këtij ose ndonjë gjurmë të mbetur prej diturisë.” (Ahkaf: 4) Dhe: “Thuaj: “A mos keni ndonjë dije, që ta nxirrni atë para nesh? Ju, vërtet mbështeteni vetëm në hamendje; ju vërtet, vetëm gënjeni.” (En’am: 148)
Ishte e natyrshme që idhujtarët të pranonin se nuk e dinin të fshehtën e Allahut, se nuk e kishin gjetur atë të shkruar në ndonjë nga librat e profetëve dhe as nuk e kishin marrë një gjë të tillë nga dijetarët. Prandaj, thanë: “Jo, ne ndjekim atë, që gjetëm te prindërit tanë.” (Llukman: 21) Dhe: “Ne i gjetëm të parët tanë në këtë fe dhe ne gjurmët e tyre do të ndjekim.” (Zukhruf: 22) Në këtë përgjigje del qartë si paaftësia, ashtu dhe padija e idhujtarëve. Prandaj atyre u thuhet: “Allahu e di dhe ju nuk e dini.”
Prandaj dëgjoni prej Allahut të Madhëruar se çfarë thotë e çfarë tregon për të vërtetën e atyre që ju i adhuroni: “S’ka dyshim se ata që po i adhuroni ju, përveç Allahut, janë rob si ju.” (A’raf: 194). Kuptimi: Ata nuk kanë mundësi të bëjnë asgjë nga gjërat që i përkasin vetëm Allahut, ashtu siç nuk keni mundësi edhe ju, pra, ju dhe ata jeni njëlloj – të paaftë dhe të pafuqishëm. Për këtë arsye Allahu i ka sfiduar idhujtarët: “Thërrisni, pra ata e le t’ju përgjigjen juve, nëse thoni të vërtetën!” (A’raf: 194) “E ata (idhujt), që ju u luteni në vend të Tij, nuk kanë as fuqinë më të vogël.” (Fatir: 13) “Nëse ju u luteni atyre (idhujve), ata nuk e dëgjojnë lutjen tuaj; por, edhe sikur ta dëgjonin, nuk do të mund t’ju përgjigjeshin e Ditën e Kijametit ata do ta mohojnë adhurimin tuaj. E askush nuk mund të ta tregojë ty të Vërtetën si Ai, që e njeh mirë gjithçka…” (Fatir: 13, 14)
“Ata (idhujt) që i adhurojnë (idhujtarët) në vend të Allahut, nuk krijojnë asgjë; ata vetë janë të krijuar; janë të vdekur e jo të gjallë dhe nuk e dinë se kur do të Ringjallen.” (Nahl: 20, 21) “A i përshkruajnë shok (Allahut) ata, që nuk mund të krijojnë asgjë e ata (idhujt) vetë janë të krijuar? Ata (idhujt) nuk mund t’u sjellin atyre asnjë ndihmë e as veten e tyre nuk mund ta ndihmojnë.” (Fatir: 191, 192) “Mirëpo, ata (idhujtarët) në vend të Tij, morën për zota të tjerë, të cilët nuk krijojnë dot asgjë, sepse ata vetë janë të krijuar. Ata për vete nuk kanë në dorë as dëm, as dobi; ata nuk kanë në dorë as vdekje, as jetë e as Ringjallje.” (Furkan: 3)
Allahu e ka sqaruar pamundësinë dhe paaftësinë e atyre “zotave”. Allahu e ka sqaruar që t’u lutesh atyre dhe të mbështetesh (të shpresosh) tek ata, është një gjë krejt e kotë, sepse ata nuk sjellin asnjë dobi. Për këtë Allahu ka përmendur në Kur’an disa shembuj. Një ndër ta është: “E ata, që u luten të tjerëve përveç Atij (Allahut), nuk do të merrnin përgjigje më shumë se ai që shtrin duart e tij (drejt ujit), që uji të arrijë në gojën e tij, por ai (uji) nuk do të arrijë. E lutja e jobesimtarëve (që nuk i drejtohet Zotit) nuk është tjetër, vetëm se një rrugë e gabuar.” (Ibrahim: 14)
Allahu i ka ftuar idhujtarët që të mendohen pak, meqënëse ata e pranonin që Allahu është Krijuesi i gjithçkaje dhe se “zotat” e tyre nuk kishin krijuar asgjë dhe nuk kishin mundësi që të krijonin asgjë, madje ata vetë ishin të krijuar nga Allahu. Prandaj, Allahu u tha atyre: Si i barazoni me Allahun, që është Krijuesi dhe i Plotfuqishmi këto krijesa që janë krejt të pafuqishme?! Si i adhuroni në të njëjtën kohë edhe Allahun edhe ato?! Si i luteni edhe Allahut edhe atyre?! “Atëherë, a është Ai (Allahu) që krijon si ai që nuk krijon? A nuk po kujtoheni?” (Nahl: 17)
Kur Allahu ua drejtoi idhujtarëve këtë pyetje, ata mbetën gojëhapur dhe u iku “argumenti” i tyre. Prandaj heshtën dhe u penduan. Por, u kapën përsëri pas një çështjeje të pavërtetë. Thanë: “Prindërit tanë kanë qenë njerëzit më të mençur dhe ata njiheshin për këtë. Zgjuarsinë e tyre e ka pranuar i afërmi dhe i largëti. Dhe ata të gjithë kanë qenë të kësaj feje. Atëherë, si është e mundur që kjo fe të jetë e kotë dhe e pavërtetë? Madje, – thoshin ata, – edhe vetë prindërit e Muhamedit dhe të myslimanëve të tjerë të kësaj feje kanë qenë.”
Allahu iu përgjigj idhujtarëve se prindërit e tyre nuk kishin qenë në rrugë të drejtë. Ata nuk e kishin ditur Rrugën e Vërtetë e as i kishin hyrë kësaj Rruge. Dhe kësisoj, ata kanë qenë të humbur. Kjo u thuhej idhujtarëve herë tërthorazi e herë drejtpërdrejt. “Vërtet, ata (idhujtarët) i gjetën prindërit e tyre të humbur. Kështu që (edhe ata) nxituan pas gjurmëve të tyre (pa menduar).” (Saffat: 69, 70)
Ndërkohë, idhujtarët nisën t‘i frikësonin Profetin (alejhi selam) dhe myslimanët me “zotat” e tyre. Ata u thoshin: “Ju jeni treguar të pasjellshëm ndaj “zotave” tanë, duke deklaruar paaftësinë e tyre. Por shpejt ata do të zemërohen me ju dhe do t’ju shkatërrojnë krejt ose do t’ju gjymtojnë.” Thëniet e idhujtarëve ishin si ato të të parëve të tyre, kur ata u thoshin të dërguarve të Allahut: “Ne nuk themi tjetër, vetëm se dikush prej zotave tanë (ndoshta) të ka çmendur ty…” (Hub: 54) Allahu iu përgjigj idhujtarëve, duke u kujtuar atyre se idhujt, që i vërenin ditë e natë, nuk kanë mundësi as të lëvizin nga vendi i tyre e të shkojnë as më përpara as më prapa e as të largojnë asnjë të keqe nga vetja e tyre. Atëherë, si kanë mundësi që t’u bëjnë keq myslimanëve a t’i zhdukin fare ata?!
Për këtë Allahu ka thënë: “A kanë (idhujt) këmbë, që të ecin me to?! A kanë duar, që të rrëmbejnë me to?! A kanë sy, që të shohin me ta? A kanë veshë, që të dëgjojnë me ta?! Thuaj: “Thërritni shokët (zotat) tuaj e thurni kurthe (plane) për mua e mos prisni!” (A’raf: 195) Për këtë Allahu solli disa shembuj: “O ju njerëz! Ja, u dha një shembull. Dëgjoni, pra! Vërtet, ata që ju u luteni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë asnjë mizë edhe nëse grumbullohen të gjithë për të. Po ashtu, nëse miza u rrëmben atyre diçka, ata nuk do të mund ta shpëtojnë atë prej saj. I dobët është edhe lutësi, edhe i luturi.” (Haxh: 73) “Shembulli i atyre, që përveç Allahut morën eulija (për mbrojtës) është si shembulli i merimangës që thur shtëpi. E sikur ta dinin ata: Më e dobëta shtëpi është ajo e merimangës.” (Ankebut: 41)
Njëri nga myslimanët e ka treguar pafuqinë e idhujve me këto fjalë: “E si mund të jetë zot ai (idhull), në kokën e të cilit urinojnë dhelprat?! Me të vërtetë, i poshtëruar është ai që e urinojnë dhelprat.”. E, kur arriti puna që të flitej kaq qartë kundër idhujve, idhujtarët u shqetësuan, u zemëruan dhe i shanë myslimanët, madje edhe Zotin e tyre, Allahun e Madhëruar. Atëherë Allahu i Madhëruar i ndaloi myslimanët që të vazhdonin më tej në diçka që të çon në sharjen e Allahut: “Ju mos ua shani ata (zotat), që (idhujtarët) u luten, përveç Allahut e të fyejnë Allahun nga armiqësia, duke mos ditur (për Madhërinë e Tij)!” (En’am: 108)
Idhujtarët vendosën që ta ndalonin Thirrjen për në Islam dhe t’i pengonin njerëzit nga Rruga e Allahut me presion e me dhunë. Për këtë, çdo kryetar dhe njeri me pozitë nisi t’i ndëshkonte ata që besonin nga fisi i tij. Disa prej tyre shkuan tek Ebu Talibi dhe i kërkuan që ta ndalonte Profetin (alejhi selam) të thërriste në Rrugën e Allahut.