Fjala e Allahut të Lartësuar: “Vjedhësit dhe vjedhëses prijuani duart” (El-Mâide: 38) është shembulli më i mirë për këtë. Vjedhësi (në këtë rast) është një term i përgjithshëm, ashtu siç është edhe dora. Kështu, është pikërisht Sunneti i cili shpjegon se për cilin vjedhës bëhet fjalë; duke cilësuar si vjedhës atë person që vjedh diçka në vlerën e një çerek dinari (4.25 gr. flori) e sipër. Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem) saktëson: “Dora pritet vetëm nëse vidhet një çerek dinari e sipër”. (Këtë hadith e shënon Buhariu dhe Muslimi.)
Gjithashtu, praktikën se si dhe në cilin vend pritet dora e ka sqaruar vepra e Pejgamberit (salAllahu alejhi we selem) ose e sahabëve, dhe, miratimi që ai u ka bërë veprës së tyre. Sahabët ia pritnin dorën vjedhësit tek kyçet, siç na bëhet e ditur kjo nga librat e hadithit. Sunneti ka sqaruar përkufizimin e dorës në vargun ku përmendet dispozita e tejemumit: “dhe me të fërkoni fytyrat dhe duart tuaja” (El-Mâide: 6), duke pasur për qëllim me duar, majat e gishtërinjve e deri te kyçet, siç e lexojmë në thënien e Pejgamberit (salAllahu alejhi we selem): “Tejemumi është fërkimi i fytyrës dhe i duarve deri në kyçe”. (Ahmedi, Buhariu, Muslimi dhe të tjerë; nga hadithi i Amar Ibn Jasirit.)
Në vazhdim do përmendim edhe disa vargje të tjera kuranore ku nuk mund të kuptohet tërësisht qëllimi i duhur që ka pasur Allahu i Lartësuar, përveçse nëpërmjet Sunnetit:
1. Fjala e Allahut: “Ata që besuan dhe besimin e tyre nuk e ngatërruan me padrejtësi, atyre u takon të jenë të sigurt dhe ata janë në rrugë të drejtë” (El-En’âm: 82). Shokët e Pejgamberit (salAllahu alejhi we selem) fjalën padrejtësi në këtë varg e kuptuan përgjithshëm, që përfshin çdo padrejtësi, edhe nëse është e vogël, ndaj dhe këtë shqetësim e shprehën duke thënë: – O i Dërguari i Allahut, cili prej nesh nuk e ka përzier besimin e tij me padrejtësi!? – Ai (salAllahu alejhi we selem) u tha: – “Nuk është ajo për qëllim, por shirku. A nuk e keni dëgjuar fjalën e Lukmanit: – Me të vërtetë shirku është një padrejtësi e madhe?” (Buhariu, Muslimi dhe të tjerë.)
2. Sërish fjala e Allahut të Lartësuar: “Kur të jeni në udhëtim e sipër, nuk është mëkat për ju të shkurtoni namazin, nëse frikësoheni se jobesimtarët do t’ju shkaktojnë ndonjë të keqe.” (En-Nisâ: 101) Në pamje të parë ky varg na jep të kuptojmë se shkurtimi i namazit kur je në udhëtim është i kushtëzuar me frikën, ndaj dhe disa prej sahabëve e kanë pyetur të dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi we selem) duke i thënë: – Pse ne e shkurtojmë (namazin) duke qenë se tani jemi të sigurt? – Ai u tha: “Jo. Është një lëmoshë që ua ka dhënë Allahu, prandaj pranojeni lëmoshën e Tij”. (Muslimi)
3. “Juve u janë ndaluar (t’i hani): ngordhësira dhe gjaku.” (El-Mâide: 3) Sunneti ka sqaruar se ngordhësira si: karkaleci, peshku, shpretka dhe mëlçia (që janë prej gjaku) janë të lejuara. Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem) thotë: “Na janë lejuar dy lloje ngordhësirash e dy lloje gjaku: karkaleci dhe peshku (me të gjithë llojet e tij) si dhe shpretka dhe mëlçia”. (Bejhekiu dhe të tjerë.)
4. “Thuaju: ‘Në atë që më është shpallur (në Kur’an) nuk po gjej të ndaluar diçka nga ushqimi, përveç në qoftë se ai (ushqimi) është ngordhësirë, gjak i derdhur ose mish derri; ai është i ndytë, ose mëkat që është therur jo në emër të Allahut’.” (El-Enâm: 145) Por Sunneti ka ndaluar edhe gjëra të tjera që nuk janë përmendur në këtë varg, si, për shembull: “Çdo kafshë mishngrënëse dhe çdo shpend me kthetra është i ndaluar (haram)”. E, në lidhje me këtë temë ka hadithe të tjera që ndalojnë për këtë, siç është fjala e tij (salAllahu alejhi we selem) ditën e Hajberit, ku tha: “Vërtetë Allahu dhe i Dërguari i tij ju ndalojnë që t’i hani gomerët shtëpiakë, sepse është mëkat”. (Buhariu dhe Muslimi.)
5. “Thuaj: ‘Kush i ndaloi bukuritë dhe ushqimet e mira që Allahu i krijoi për robërit e Tij’?” (El-Arâf: 32) Edhe në këtë rast Sunneti na ka treguar se ka nga ato stoli që janë të ndaluara. Është saktësuar nga Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem) se ai ka dalë një ditë para shokëve të tij; në njërën dorë kishte mëndafshin e në dorën tjetër floririn, dhe tha: “Këto të dyja janë të ndaluara për meshkujt e umetit tim dhe të lejuara për femrat”. (Hakimi, i cili edhe e ka saktësuar bashkë me disa të tjerë.)
Për sa më sipër, del në pah rëndësia që ka Sunneti në legjislacionin islam. Nëse ne do i vërejmë me kujdes shembujt e përmendur, duke mos folur për shembujt e tjerë që nuk i cekëm, bindemi se nuk mund ta kuptojmë Kur’anin sa dhe si duhet vetëm se me ndihmën e Sunnetit.
Në shembullin e parë sahabët e kuptuan sipërfaqësisht fjalën padrejtësi, megjithëse ata ishin ashtu siç i ka cilësuar Ibn Mesudi kur ka thënë se “ata kanë qenë më të mirët e këtij umeti; kanë pasur zemrën më të kulluar dhe më të thelluarit në dije, dhe më me pak teklif”. Por, megjithatë ata gabuan në kuptimin e vargut dhe, sikur Pejgamberi (salAllahu alejhi we selem) të mos i korrigjonte dhe të mos i drejtonte në kuptimin e drejtë të fjalës padrejtësi, se qëllimi është për shirkun, edhe ne do i ndiqnim ata në gabimin e tyre; porse Allahu i Lartësuar na ruajti prej një gjëje të tillë me mirësinë e udhëzimit të tij (salAllahu alejhi we selem).
Ndërsa te shembulli i dytë, sikur të mos ishte hadithi që përmendëm, do të ishim në dyshim, së paku për çështjen e shkurtimit të namazit në udhëtim, sikurse lë të kuptohet në pamje të parë vargu kuranor, pra siç u shkoi ndërmend disa prej sahabëve. Po të mos e shikonin të dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi we selem) duke e shkurtuar, e ta shkurtonin me të kur ata ishin të sigurt, nuk do e përftonim këtë sqarim.
Kurse në shembullin e tretë, sikur të mos ishte përsëri hadithi do të bënim të ndaluara disa ushqime që i kemi të lejuara, si: karkaleci, peshku, mëlçia dhe shpretka. Ndërsa te shembulli i katërt, sikur të mos ishin hadithet që ne përmendëm do të bënim të lejuara gjërat të cilat Allahu i ka ndaluar përmes gojës së Pejgamberit të tij, siç është rasti me floririn dhe mëndafshin. Duke u nisur nga këta shembuj, disa prej selefëve kanë thënë se “Sunneti është gjykatësi i Kur’anit”.