Thirrja e Profetit (alejhi selam)
Për të vënë në jetë ajetet e zbritura, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) filloi menjëherë t’i ftonte njerëzit në fenë e Allahut të Madhëruar. Në atë kohë njerëzit ishin të ashpër dhe të pafe. Ata adhuronin skulptura e idhuj. Për këtë nuk kishin asnjë argument, veçse kishin parë prindërit e tyre që i adhuronin. Morali i tyre ishte vetëm mendjemadhësia dhe arroganca. Rruga e tyre e vetme për zgjidhjen e problemeve ishte vetëm shpata. Prandaj Allahu i Madhëruar e urdhëroi Muhamedin (alejhi selam) që të fillonte thirrjen në Islam fshehurazi, duke iu drejtuar vetëm atij, që e njihte për njeri të mirë dhe që e donte të Vërtetën, vetëm atij njeriu që i besonte e tek i cili ishte i qetë. Allahu e urdhëroi atë të fillonte më së pari me familjen, të afërmit dhe pastaj, me miqtë e shokët e tij; më pas, me të tjerët.
Grupi i parë i besimtarëve
Fill pasi Profeti i Allahut (alejhi selam) e filloi thirrjen për në Islam, i besuan menjëherë disa njerëz nga ata, për të cilët Allahu kishte vendosur mirësinë dhe lumturinë. E para qe Hatixhja, bija e Huvejlidit. Hatixhja (radijAllahu anha) i dinte sihariqet, kishte dëgjuar për shenjat profetike dhe i kishte parë shenjat e para profetike te Muhamedi (alejhi selam). Ajo tashmë kishte parë edhe sihariqet e Shpalljes. Prandaj priste që Muhamedi të ishte Lajmëtari (Nebij) i Allahut për këtë umet [2] . Atë e siguroi edhe fjala e Varakas kur tha se ai që kishte zbritur në Hira, kishte qenë meleku Xhibril dhe se ajetet që kishte sjellë ai ishin Shpallja e Allahut. Hatixhja i kishte parë vetë çastet që kaloi Muhamedi (alejhi selam) kur i zbriti surja “Mudethir”. Prandaj qe e natyrshme që ajo të ishte e para e besimtarëve.
Më pas, Profeti (alejhi selam) shkoi menjëherë te shoku i tij i ngushtë, Ebu Bekr Siddiku (radijAllahu anhu) dhe i tha se Allahu e kishte nderuar, duke e bërë profet dhe të dërguar dhe e ftoi për t’i besuar. Ai i besoi Profetit (alejhi selam) pa mëdyshje dhe pohoi dëshminë e vërtetë. [1] Ebu Bekr Siddiku qe i pari burrë që i besoi Muhamedit (alejhi selam). Ai ishte dy vjet më i vogël se Profeti (alejhi selam) dhe shok i tij prej shumë kohësh. Ai i njihte Profetit Muhamed (alejhi selam) botën e brendshme dhe të jashtme. Besimi i tij ishte dëshmia më e drejtë për vërtetësinë e fjalës së Profetit (alejhi selam).
Ndër të parët që i kanë besuar Profetit (alejhi selam) është edhe Ali Ibn Ebi Talibi. Në atë kohë pati rënë zia e bukës në fisin Kurejsh. Ebu Talibi ishte i varfër e kishte shumë fëmijë. Prandaj Abbasi – xhaxhai i Profetit (alejhi selam) i mori Xhaferrin, ndërsa Profeti (alejhi selam) i mori Aliun. Pra, Aliu (radijAllahu anhu) ishte nën kujdestarinë e Profetit (alejhi selam). Ai rrinte te Profeti (alejhi selam), aty hante, aty pinte dhe të gjitha nevojat ia plotësonte Profeti (alejhi selam).
Muhamedi (alejhi selam) e kishte Aliun (radijAllahu anha) si fëmijët e vet. Kur Profetit (alejhi selam) i erdhi Shpallja, Aliu (radijAllahu anhu) ishte dhjetë vjeç. Ai e ndiqte Muhamedin (alejhi selam) në të gjitha veprat. Prandaj, kur e ftoi në Islam, Aliu (radijAllahu anhu) iu përgjigj menjëherë. Aliu (radijAllahu anhu) është i pari i ri që i ka besuar Profetit (alejhi selam).
Ndër të parët që i kanë besuar Profetit (alejhi selam) është edhe skllavi i tij, Zejd Ibn Harith Ibn Sherahil el Kelbi. Përpara Islamit ai ishte zënë rob dhe ishte shitur. Atë e pati blerë Hakim Ibn Hizami dhe ia pati dhuruar hallës së vet, Hatixhes. Ndërsa Hatixhja (radijAllahu anha) ia pati dhuruar të Dërguarit të Allahut (alejhi selam). Kur e morën vesh për të, babai dhe xhaxhai i Zejdit shkuan te Profeti (alejhi selam) dhe iu lutën që të bënte bamirësi e t’ua kthente Zejdin duke i falur lirinë.
I Dërguari i Allahut (alejhi selam) e thirri Zejdin dhe e la të lirë – të shkonte me babanë dhe xhaxhanë e tij ose të qëndronte tek ai. Zejdi parapëlqeu të rrinte me të Dërguarin e Allahut (alejhi selam). Atëherë, i Dërguari i Allahut (alejhi selam) shkoi te paria e Kurejshëve dhe u tha: “Dëshmoni se ky është biri im, ai më trashëgon mua dhe unë e trashëgoj atë.” Ishte koha, kur ende nuk i kishte ardhur profetësia Muhamedit (alejhi selam). Zejdi u thirr biri i Muhamedit, derisa erdhi Islami. Islami e anuloi birësimin dhe tashmë ai u quajt Zejdi, biri i Harithit. Këta të katër e kanë pranuar Islamin brenda një dite – atë ditë, kur i Dërguari i Allahut (alejhi selam) u urdhërua të paralajmëronte dhe të ftonte në Rrugën e Allahut. Për secilin nga këta thuhet se është i pari që e ka pranuar Islamin.
Ebu Bekr Siddiku (radijAllahu anhu) u bë krahu i djathtë i Profetit (alejhi selam) për thirrjen në Islam. Ai ishte i ndershëm, i sjellshëm, i dashur, fisnik, bujar dhe i respektuar. Ai i dinte më mirë se të gjithë prejardhjen e arabëve dhe historitë e tyre. Burra nga populli i tij shkonin dhe këshilloheshin me të, sepse njihej për moral të lartë, dituri, bamirësi dhe vlerën e tij; ishte tregtar dhe bujar; kishte marrëdhënie të mira me njerëzit dhe bisedonte ëmbël me ta. Ebu Bekr Siddiku (radijAllahu anhu) thirri në Islam ata njerëz, tek të cilët shihte mirësinë dhe besnikërinë.
Kështu, një grup nga njerëzit më të mirë iu përgjigjën e u bënë muslimanë. Më i pari ndër ta qe Uthman Ibn Affan Emeviu. Më pas, të tjerë: Zubejr Ibn Avam Esediu, AbdurrRrahman Ibn Auf Zuhriu, Sa’d Ibn Ebi Vekkas Zuhriu dhe Talha Ibn Ubejdullah Tejmiu. Ebu Bekri (radijAllahu anhu) u sqaroi atyre Islamin dhe i solli te Profeti (alejhi selam) dhe të gjithë ata e pranuan Islamin. Këta u pasuan nga i besueshmi i këtij umeti, Ebu Ubejde Amir Ibn Xherrahu, Ebu Seleme Ibn Abdul Esedi dhe e shoqja, Ummu Selemeja; Erkam Ibn Ebi Erkami, Uthman Ibn Madh’uni dhe dy vëllezërit e tij, Kudame dhe Abdullahu; dy djemtë e Madh’unit; Ubejde Ibn Harith Ibn Muttalib Ibn AbdulMenaf; Seid Ibn Zejd Ibn Amr Ibn Nufejl dhe e shoqja, Fatimja, bija e Hattabit – motra e Umer Ibn Hattabit; Habbab Ibn Eret; Xhaferr Ibn Ebu Talib dhe gruaja e tij, Esmaja, bija e Umejsit; Halid Ibn Seid Ibn El Asi dhe e shoqja, Emine – e bija e Halefit. Pastaj u bënë myslimanë vëllai i Halidit, Amr Ibn Seid Ibn Asi, Hatib Ibn Harithi, e shoqja – Fatimja, bija e Muxhelelit dhe vëllai i tij – Hattab Ibn Harithi, e shoqja Fukejhe, bija e Jesarit dhe vëllai tjetër – Ma’mer Ibn Harithi, Muttalib Ibn Ez’heri dhe e shoqja – Ramle, bija e Ebu Aufit, Nuajm Ibn Abdullah Ibn Usejid Nahhami. Të gjithë këta ishin kurejshë nga barqe të ndryshme të fisit.
Nga myslimanët e parë, por jo nga fisi Kurejsh qenë edhe: Abdullah Ibn Mes’ud el Hudheliu, Mes’ud Ibn Rabia el Karijj, Abdullah Ibn Xhahshi dhe vëllai i tij, Ebu Ahmed Ibn Xhahshi, Suhejb Ibn Sinan Rumiu, Ammar Ibn Jasir Ansij, babai i tij, Jasiri dhe nëna e tij Sumejja dhe Amir Ibn Fuhejre.
Nga gratë e para që u bënë muslimane, përveç atyre që u përmendën më lart, janë: Ummu Ejmen Bereketul Habeshije, skllave e të Dërguarit të Allahut dhe shërbyesja e tij, Ummu Fadl Lubbabe Kubraja, bija e Harith Hilalijes, bashkëshortja e Abbasit – bir i Abdul Muttalibit, Esmaja – bija e Ebu Bekr Siddikut. Muslimanët e parë u njohën me emrin Es-Sabikunel Euvelun.
Sipas hulumtimeve që janë bërë, del se numri i atyre, për të cilët thuhet se janë “Es-Sabikunel Euvelun (të parët që e pranuan Islamin)”, arrin afërsisht 130. Megjithatë, nuk dihet me siguri nëse janë bërë muslimanë para se të thirrej hapur për në Islam apo disa prej tyre janë bërë muslimanë kur thirrja bëhej hapur.
[1] Dëshmia: “Eshhedu en la ilahe il-lAllah ue eshhedu en-ne Muhameden resulullah.” (Dëshmoj se nuk ka zot tjetër (që e meriton të adhurohet me të drejtë), përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij).
[2] Umeti – Bashkësia Islame.