Allahu i Lartësuar e dërgoi Hudin (alejhi selam) tek populli i tij (Ad’i i lashtë), të cilët banonin në Ah’kaf e pikërisht në dumat e shkretëtirës së Hadrameutit (Jemen). E dërgoi në një kohë kur e keqja e tyre u shtua dhe filluan të tregonin kryeneçësi ndaj njerëzve duke thënë: “Kush është më i fortë se ne?” (Fussilet: 15)
E mbi të gjitha, ky popull adhuronte idhujt dhe përgënjeshtronte të dërguarit e Zotit. Allahu i Lartësuar kur përmend popullin e Adit thotë: “Populli i Adit përgënjështroi të dërguarit,” ndërkohë që tek ky popull ishte dërguar vetëm Hudi (alejhi selam)? Dijetarët kanë thënë: Përgënjeshtrimi i një profeti është përgënjeshtrim i të gjithë profetëve.
Allahu e dërgoi në mesin e tyre që t’i ftonte në adhurimin e Allahut, të Vetëm dhe të Pashok. T’i ndalonte nga shirku (idhujtaria) dhe kryeneçësia ndaj njerëzve. E dërgoi që t’i ftonte me çdo mënyrë dhe t’u kujtonte ato mirësi të kësaj bote, që Allahu u kishte dhënë: furnizimin e mjaftueshëm dhe forcën fizike. Por ata e refuzuan thirrjen e tij, shfaqën mendjemadhësi në përgjigje dhe thanë: “O Hud! Ti nuk na ke sjellë kurrfarë prove të dukshme për fjalët e tua.” (Hud: 53)
Në fakt ata po gënjenin, sepse çdo Pejgamberi, Allahu i ka dhënë prova, me anë të të cilave njerëzit do të besonin. (Buhariu (4981), Muslimi (152, 239) Hafidh Ibn Haxheri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Kjo do të thotë se çdo profeti i është dhënë një apo më shumë se një argument me qëllim që nëse njerëzit e shohin do të besonin për shkak të atij argumenti.” (Fet’h el Bari 8/621,622)
E megjithatë, nëse Pejgamberët nuk do të posedonin prova të tjera veç faktit se feja me të cilën erdhën të gjithë ishte e njejtë, kjo do të mjaftonte si provë e dukshme se ajo fe është nga Allahu, për shkak të përsosmërisë që ka, rregullit, dobive dhe përshtatetjes për çdo kohë. Pa lënë mënjanë vërtetësinë e ngjarjeve, urdhërimin e çdo të mire dhe ndalimin nga çdo e keqe, si dhe faktin se çdo Profet vërtetonte atë që ishte para tij dhe dëshmonte për të, ashtu sikurse e vërtetonte ai (Profet) që vinte pas dhe dëshmonte gjithashtu për të.
Prej provave të veçanta të Hudit: Fakti se ai ishte i vetëm në thirrjen e tij; i vetëm në përballje; i vetëm në momentin kur injoronte mendimet dhe humbjen e tyre; i vetëm kur përçmonte idhujt, ndërsa ata ishin të fuqishëm, tiranë dhe kryeneçë. Ata u munduan ta frikësonin me idhujt e tyre se, nëse nuk tërhiqej, do çmendej ose do t’i ndodhte diçka e keqe.
Por ai i sfidoi hapur dhe u tha qartë: “Unë kam dëshmitar Allahun, dëshmoni dhe ju, se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni në vend të Tij. Të gjithë ju bëni komplot kundër meje dhe mos më jepni fare afat! Unë i mbështetem Allahut, Zotit tim dhe Zotit tuaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im është në rrugë të drejtë.” (Hud: 54-56)
Ata nuk mundën ta lëndonin me asgjë të keqe! Pra, a ka provë më të madhe se kjo sfidë, me të cilën ai u përball me këta armiq, që në fakt ishin tepër të interesuar për ta shkatërruar thirrjen e tij (Hudit) me çdo formë? Kur kryeneçësia e Popullit të Adit mori fund, ai u largua prej tyre dhe i paralajmëroi për zbritjen e dënimit.
Dhe ja, dënimi erdhi dhe u shfaq në horizont! Momenti ishte mjaft i vështirë, thatësira dhe nevoja për shi ishte shumë e madhe. Atë çast (kur panë retë e zeza) u gëzuan dhe thanë: “Kjo re po sjell shiun!”. Allahu tha: “Jo!” “kjo është ajo që ju e keni shpejtuar.” Sepse më parë u shprehët duke thënë: “Sillna atë (dënim) që po na premton dhe të shohim nëse thua të vërtetën!” (Ahkaf: 22)
“Një erë që mbart një dënim të dhembshëm, që, me urdhrin e Allahut, shkatërron çdo gjë.” (Ahkaf: 24) “Allahu ua dërgoi atyre shtatë netë dhe tetë ditë pareshtur. Atëherë mund t’i vëreje njerëzit të përmbysur si trungjet e hurmave të kalbura. (Hakka: 7) “E në mëngjes u panë vetëm shtëpitë e tyre të zbrazëta; ja, kështu e ndëshkojmë Ne popullin keqbërës.” (Ahkaf: 25)
Pasiqë jeta u kishte buzëqeshur, e krenaria kishte arritur kulmet dhe kërkesat e jetesës i kishin të plotësuara. Jo vetëm kaq, por u ishin nënshtruar edhe zonat dhe fiset përreth, megjithatë, as kjo nuk u vlejti, sepse Allahu u dërgoi një erë të acartë në ditë fatkeqësie.
“Për ta shijuar dënimin poshtërues që në këtë jetë; ndërsa dënimi në jetën tjetër do të jetë edhe më poshtërues dhe askush nuk do t’i ndihmojë. (Fussilet: 16) “Ata i ndoqi mallkimi në këtë jetë dhe në Ditën e Kiametit. Me të vërtetë, fisi Ad e mohoi Zotin e tij. Qoftë larguar (nga mëshira e Allahut) fisi Ad, populli i Hudit!” (Hud: 60)
Allahu e shpëtoi Hudin dhe ata që besuan me të. “Vërtetë në këtë ndodhi kishte argument” që tregonte fuqinë e plotë të Allahut dhe nderimin e madh ndaj pejgamberëve dhe ndjekësve të tyre, duke i ndihmuar në jetën e kësaj bote dhe ditën kur të ringjallen krijesat. Është provë e qartë se e keqja shkatërrohet dhe fundi i saj është më i keqi dhe më i shëmtuari. Gjithashtu është argument që pohon ringjalljen dhe tubimin në Ditën e Madhe.