1- Ia vlen të rikujtojmë dobitë e mëparshme që kemi përmendur tek historia e Nuhut (alejhi selam) e që janë të përbashkëta pothuajse tek historitë e të gjithë profetëve. Të gjithë pejgamberët duke filluar me Nuhun e deri tek Muhamedi (salAllahu alejhi we selem) ishin në unanimitet për thirrjen (e njerëzve) në monoteizmin e pastër dhe ndalimin e tyre nga shirku (idhujtaria).
2- Allahu i Lartësuar me urtësinë e Tij na rrëfen ndodhitë e atyre popujve që jetuan pranë ose rreth gadishullit Arabik. Kjo për faktin se Kur’ani gjithmonë përmend (përdor) mënyrat më efikase në këshillim. Nëse vëren me kujdes, do të shohësh se si Allahu i Lartësuar i përdor këto këshillime në formën më të dobishme.
Pa dyshim edhe në zonat e largëta, në Lindje apo në Perëndim të tokës, Allahu dërgoi pejgamberë dhe ashtu sikurse pejgamberët e përmendur në Kur’an, edhe këta ishin të pajisur me argumente të ngjashme, dhe njësoj si të tjerët, hasën në kundërshtime, nderime, apo edhe ndëshkime (nga populli). Tek çdo popull, Allahu ka dërguar pejgamberë. Ai na mundësoi që të përfitojmë duke na kujtuar çfarë kemi rreth e përqark, dhe ato (ndodhi) që brezat ia përcjellin njëri-tjetrit.
Për më tepër, gjurmët që shohim, ecja pranë vendbanimeve të tyre në çdo kohë, kuptimi i gjuhës dhe natyra e përafërt me natyrën tonë, padyshim që të gjitha këto përcjellin dobi të madhe. Madje, kjo është më parësore se sa të informohemi për ndodhitë e disa popujve për të cilët nuk kemi dëgjuar asnjë lloj lajmi, gjuhën e të cilëve nuk e njohim dhe ngjarjet e të cilëve nuk kanë të bëjnë me ne, apo që s’kanë lidhje me atë që Allahu na tregon.
3- Nga e gjithë kjo, dalim në përfundimin se, përkujtimi i njerëzve me gjërat që i kanë më të kapshme në mendjet e tyre, më të përshtashme për gjendjet e tyre dhe më të perceptueshme nga ana e tyre, kjo u bën dobi atyre më shumë se diçka tjetër dhe është më parsësore se sa këshillimet e tjera, edhe pse mund të jenë të vërteta (të sakta), sepse edhe e vërteta qëndron në grada të ndryshme.
4- Këshilluesi apo mësuesi, nëse ecën në këtë rrugë, përpiqet që dijen dhe mirësinë ta përcjellë tek njerëzit me mënyrat (format) që ata i kuptojnë. Mënyra se si komunikon me ta, nuk i bën që të largohen, por përkundrazi, ato çfarë ai u thotë, janë të kuptueshme për ta dhe përforcuese të argumentit që u paraqet atyre, në këtë rast, ai do përfitojë për veten dhe do u sjellë dobi edhe të tjerëve.
Allahu i Madhëruar e tregoi këtë fakt në fund të historisë së popullit të Adit, ku thotë: “Edhe më parë Ne kemi shkatërruar vendbanime rreth jush e u kemi shpjeguar atyre shpalljet Tona.” D.m.th u sollëm argumente në forma dhe mënyra të ndryshme “Që ata të mund të ktheheshin (në rrugën e drejtë). (Ahkaf: 27) Pra që përfitimi të ishte më i arrirë!
5- Ndërtesat e larta që ngrihen për mburrje, mendjemadhësi, luks, apo për të treguar tirani ndaj njerëzve, konsiderohen prej veprave të nënçmuara të trashëguara nga popujt tiran. Allahu i Lartësuar kur rrëfen ndodhinë e Adit dhe mospëlqimin e Hudit për veprimin e tyre, thotë: “A mos vallë në çdo kodrinë po ngrini përmendore, për t’u tallur, dhe ngrini pallate, sikur do të jetoni gjithmonë? (Shuara: 128-129)
6- Për ta përmbledhur mund të themi se: Ndërtimet, kështjellat, fortifikatat, shtëpitë apo çfarëdo qofshin ato, ndahen në:
- Ndërtime sipas nevojës dhe dihet se ato (nevojat) janë të ndryshme dhe të lloj-llojshme. Këto (ndërtime) konsiderohen të lejuara dhe me anë të nijetit (qëllimit) të mirë mund të arrihen mirësi të mëdha.
- Ndërtime që përdoren si mburojë dhe fortifikatë nga e keqja e armiqve dhe vendstrehime, me anë të të cilave ruhet shteti dhe vatani. Pra, diçka që u sjell dobi muslimanëve dhe i ruan nga e keqja! Ky lloj ndërtimi përfshihet tek ajo që quhet: luftë në rrugë të Allahut dhe bën pjesë në urdhrin që kemi për t’u ruajtur nga armiqtë.
- Ndërtime që përdoren për mendjemadhësi, mburrje, tirani ndaj njerëzve dhe harxhim pasurie, pasuri e cila realisht duhet të përdoret në gjëra të dobishme. Ky lloj i ndërtimit është i nënçmuar dhe mu për këtë, Allahu nuk e pranoi që të praktikohet nga populli i Adit dhe popujt e tjerë.
7- Mendja, logjika, zgjuarsia apo forca materiale, përfundimet dhe gjurmët që vijnë si rrjedhojë e tyre, edhe nëse janë madhore dhe peshojnë rëndë, nuk i bëjnë dobi njeriut, veçse nëse i shoqëron me besimin tek Allahu dhe të dërguarit e Tij.
8- Mohuesi i argumenteve të Zotit, përgënjeshtruesi i Profetëve, edhe nëse i jepet një afat apo joshet pas kësaj bote, duhet ditur se fund i tij është tragjik. Dëgjimi, shikimi dhe logjika nuk kanë për t’i bërë dobi asapak kur të vijë urdhri i Allahut (dënimi).
Allahu i Madhëruar thotë: “Ne i kishim bërë ata (popullin e Adit) më të fuqishëm se ju (banorët e Mekkës) dhe u kishim dhënë atyre dëgjimin, shikimin dhe zemrën, por as dëgjimi i tyre, as shikimi i tyre e as zemra e tyre, nuk u sollën kurrfarë dobie, sepse mohuan shpalljet e Allahut; ata i goditi ajo me të cilën talleshin. (Ahkaf: 26) Si dhe në ajetin tjetër ku thotë: “Hynitë, që ata i adhuronin në vend të Allahut, nuk i ndihmuan aspak, kur erdhi urdhri i Zotit tënd dhe nuk iu shtuan atyre kurrgjë tjetër, përveç humbjes. (Hud: 101)
Përcillet nga Ukbeh Ibn Amir se Profeti (salAllahu alejhi we selam) ka thënë: “Nëse vëren se Allahu i jep dikujt prej dunjasë çfarë të dojë, edhe pse i zhytur në mëkate, dijeni se kjo është joshje (drejt shkatërrimit), më pas lexoi fjalën e Allahut ku thotë: “Kur ata i harruan paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, teksa gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe atëherë ata u zhytën në dëshpërim. (En’am: 44) Hafidh el Iraki në librin El Mugnij an Hamlil Esfar ka (3772) ka thënë: E përcjell Ahmedi, Taberaniu dhe Bejhakiu në Shuab el Iman me sened të mirë.