Edhe mbreti i tyre (idhujtarëve) debatoi me Ibrahimin me arrogance dhe kryeneçësi, “Sepse Allahu i kishte dhënë pushtet.” (El-Bekare: 258) Ibrahimi i tha: “Zoti im është Ai që jep jetë dhe vdekje” – ai u përgjigj: “Edhe unë mund të jap jetë e të shkaktoj vdekje”. (El-Bekare: 258)
Ibrahimi (alejhi selam) e detyroi atë, që të hiqte nga mendja një herë e mirë se ai mund të posedonte fuqi absolute dhe i tha: “Allahu e sjell Diellin nga Lindja. Sille ti nga Perëndimi”! Atëherë, ai (mohuesi) mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës. (El-Bekare: 258)
Pas gjithë kësaj që ndodhi, Ibrahimi bashkë me gruan e tij dhe djalin e xhaxhait, Lutin, emigruan fshehurazi për në token e Shamit. Gjatë qëndrimit atje, ai shkoi në Egjipt me gruan e tij Sarën, e cila ishte gruaja më e bukur! Mbreti i Egjiptit, që njihej si tiran, kryeneç dhe i padrejtë, nuk e mbajti veten kur e pa Sarën. Deshi ta kishte të tijën.
Ajo iu lut Allahut që ta shpëtonte prej tij dhe gati sa nuk vdiq nga frika. Më pas ai e la të shkonte. Pastaj deshi t’i afrohej përsëri. Sa herë që i afrohej, ajo lutej dhe ai zmbrapsej. Në fund, ajo u lut përsëri dhe ai e la të ikte. Allahu e ruajti nga e keqja e këtij mbreti, ndërsa ky i fundit i dhuroi asaj Haxheren, një shërbëtore Kobte.
Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) transmeton se i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi we selem) ka thënë; “Ibrahimi, profeti i Allahut, nuk ka gënjyer kurrë, përveçse në tri raste; dy herë për hir të Allahut: kur tha se ishte sëmurë; kur tha se atë vepër e ka bërë i madhi i tyre dhe në rastin e Sarës, kur shkoi në tokën e një tirani dhe me vete kishte Sarën, e cila ishte gruaja më e bukur.
Ai i tha asaj: ‘’Nëse ky tiran mëson se ti je gruaja ime do t’më mundë kundrejt teje dhe nëse të pyet thuaji se je motra ime, sepse ti je motra ime në Islam dhe nuk di që mbi tokë të ketë musliman tjetër veç meje dhe teje. Kur shkoi në tokën e këtij tirani, atë e panë disa të afërm të tij, që i thanë; ‘’Në tokën tënde ka hyrë një grua, që nuk i takon askujt ta zotërojë veç teje.’’
Ai dërgoi njerëz tek ajo dhe ia sollën, ndërsa Ibrahimi u ngrit për t’u falur. Kur ai hyri tek ajo, nuk duroi derisa e shtriu dorën e tij drejt saj, por dora i ngriu dhe tha; ‘’Lute Zotin të ma lëshojë dorën dhe nuk do të bëj keq.’’ Ajo veproi ashtu, por ai bëri të njëjtin veprim dhe dora iu paralizua më shumë se herën e parë. Ai i tha; të njëjtat fjalë dhe ajo veproi në të njëjtën mënyrë, por përsëri iu kthye veprimit të tij dhe dora iu paralizua edhe më shumë se dy herët e para.
Ai i tha; ‘’Lute Zotin të ma lëshojë dorën, sepse të betohem në Zotin, se nuk do të bëj keq’’. Ajo veproi ashtu dhe dora iu lëshua. Ai thirri njeriun që e kishte sjellë dhe i tha; ‘’Më ke sjellë shejtan dhe jo njeri, dëboje nga toka ime dhe jepi Haxheren.’’ Ajo u kthye duke ecur. Kur e pa Ibrahimin, ai shkoi drejt saj dhe i tha;“çfarë lajmesh kemi?’’ Ajo i tha; ‘’Të mira. Allahu e largoi dorën e mëkatarit dhe na dhuroi një shërbëtore.’’
Duke qenë se Sara nuk lindte dot fëmijë, ia dhuroi shërbëtoren e saj Ibrahimit, me shpresën se Allahu do ta furnizonte me ndonjë fëmijë. Dhe ashtu ndodhi, Haxherja lindi Ismailin, edhe pse Ibrahimi ishte në moshë të thyer dhe kjo e gëzoi pa masë.
Sara (Allahu qoftë i kënaqur prej saj!) u bë xheloze dhe u betua se nuk do të jetonte me Ibrahimin përsa kohë që Haxherja ishte me ta. Kjo ndodhi për një urtësi të madhe që deshi Allahu të realizohej. Kjo ngjarje do të bëhej shkak që Ibrahimi bashkë me Haxheren t’i drejtohej vendit, ku do të ndërtohej më pas Shtëpia e Shenjtë (Qabja).