Mësime të përfituara nga historia e Ibrahimit –2–
10– Porosia më e vyeshme, është ajo që Ibrahimi (alejhi selam) u dha bijve të tij dhe Jakubit. Ajo është porosia për vazhdimësinë e praktikimit të fesë dhe unitetit rreth saj. Kjo është porosia që Zoti u ka dhënë të parëve dhe atyre që erdhën më pas. Vetëm përmes zbatimit të kësaj porosie, arrihet lumturia e përhershme dhe shpëtimi nga e keqja e kësaj bote dhe e botës tjetër.
11– Punëtori (ai që bën vepra të mira), ashtu sikurse duhet ta perfeksionojë punën e tij, duke e kryer në formën më të plotë, nga ana tjetër duhet të qëndrojë mes frikës dhe shpresës. Ti përgjërohet Allahut që Ai t’ia pranojë (veprat) t’ia plotësojë mangësitë dhe ta falë për të metat dhe gabimet. Kështu vepruan Ibrahimi dhe Ismaili në momentin kur po ndërtonin themelet e shtëpisë së shenjtë. Ata e gëzonin këtë cilësi në formën më të përsosur (mes frikës dhe shpresës).
12– Lutja që njeriu i drejton Allahut, të bashkojë mes mirësive të dynjasë dhe fesë dhe preokupimi për t’i arritur (këto të dyja), është metodë që ndoqën profetët. Feja është origjina (baza) dhe qëllimi për të cilin Allahu krijoi njerëzit. Ndërsa dynjaja është mjet dhe ndihmesë për arritjen e këtij qëllimi (përmbushjen e fesë). Këtë e themi duke u bazuar në lutjen që i dashuri i Zotit, Ibrahimi, bëri për banorët e Shtëpisë së Shenjtë.
Ai u lut për dy gjëra, duke nxjerrë në pah urtësinë e lutjes, se gjërat e kësaj bote janë mjet për falënderimin e Allahut. Ai u lut duke thënë: O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë. (Ibrahim: 37)
13– Historia e Ibrahimit na mëson si duhet të jetë mikpritja e mysafirit dhe normat e rrespektit. Allahu i Lartësuar na tregoi për vizitorët e tij se ishin të nderuar, pra ishin të nderuar tek Allahu, por gjithashtu edhe Ibrahimi i nderoi me pritjen e tij në fjalë dhe vepra. Nderimi i mysafirit është prej imanit. Mjafton të dimë se Ibrahimi u shërbeu personalisht dhe e filloi i pari mikpritjen para çdo gjëje tjetër.
I priti me ushqimin më të vyer që kishte, mishin e viçit, të pjekur e të majmë dhe ua afroi në tryezë dhe nuk i la të shkonin diku tjetër. U shtroi ushqimin dhe u kërkoi të hanin, me fjalë të buta duke u thënë: “A nuk po hani?” (Dharijat: 27) Fjala e Ibrahimit: “A nuk po hani?” Është mënyrë kërkimi me sjellje ndryshe nga ai që thotë: Zgjatini duart dhe merrni ushqim, hani, afrohuni etj. Shih “Er Risaleh et Tebukije” fq 130.
14– Ligjshmëria e përshëndetjes me selam dhe se ai që e fillon është pikërisht ai që futet brenda (në shtëpi) dhe ai që është duke ecur. Ndërsa kthimi i tij (selamit) është detyrë. Si dhe ligjshmërinë e të qëndruarit tek emri i atij që kontakton me ty, qoftë ai shok, apo dikushi apo ndonjë mysafir. Këtë e themi duke u bazuar në fjalën e Ibrahimit që u tha mysafirëve: “Njerëz të panjohur!”. (Hixhr: 62) D.m.th, nuk u njoh më përpara, prandaj kam dëshirë që të prezantoheni personalisht. Kjo fjalë që u tha Ibrahimi, ishte shumë më e sjellshme se tu thoshte: Unë nuk ju njoh ju! Apo diçka tjetër.
15– Është mirë dhe inkurajuese që familja apo ata që janë të ngarkuar për mbarëvajtjen e punëve të shtëpisë, të jenë të vendosur dhe të gatshëm për çdo gjë që kërkohet pej tyre, e që ka të bëjë me çështjet e shtëpisë. Ibrahimi (alejhi selam) në momentin kur shkoi tek familja e tij, e gjeti të gatshëm (të gatuar) ushqimin për mysafirët dhe i duhej vetëm ta shërbente atë.
Fjala e Allahut kur thotë: “Ai shkoi tek familja e tij” tregon se nderimi ndaj mysafirit ishte i gatshëm dhe i gatuar tek familja dhe nuk kishte nevojë të merrte diçka hua tek fqinjët apo të shkonte diku tjetër, sepse nderimi i mysafirit ishte normë që ata e prisnin gjithmonë.
16– Të kesh fëmijë, të përgëzohesh me ardhjen në jetë të një fëmije, duke qenë në moshë të thyer, konsiderohet mrekulli ndaj Ibrahimit dhe nderim i madh për Sarën. Ngjarja e Ibrahimit tregon mrekullinë ndaj një profeti dhe nderimin e madh ndaj një njeriu të dashur tek Zoti (Sarën).
I ngjashëm me këtë ishte edhe përgëzimi që engjëjt i dhanë Merjemes për Isain dhe përgëzimi që i dhanë Zekerijas dhe gruas së tij për Jahjan. Argumenti që Allahu i dha Zekerijas ishte se për tri ditë radhazi nuk do u fliste njerëzve, dhe pse nuk kishte ndonjë problem shëndetsor. Kjo ishte shenjë dhe sinjal. Të gjitha këto, apo fakte të tjera, janë nga Allahu dhe akoma më mahnitës është fakti se Allahu e krijoi Ademin nga dheu. Larg të metave është Ai, që ka fuqi mbi çdo send.
17– Lavdërimi që Allahu i bëri Ibrahimit (alejhi selam) është se ai u paraqit para Zotit me zemër të pastër. Allahu i Lartësuar thotë: “Përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!” (Shu’ara: 89) Ajo që e përmbledh kuptimin e këtij ajeti: Bëhet fjalë për zemrën e pastër nga të këqiat dhe arsyet që shpien tek e keqja. Është e mbushur me të mira, bamirësi dhe bujari.
E ruajtur nga dyshimet që cënojnë dijen, bindjen e plotë, dhe nga epshet që pengojnë robin dhe plotësimin e tij. Është ajo zemër e pastër nga mllefi dhe zilia, e mbushur me teuhid, besim, modesti ndaj të vërtetës dhe njerëzve, këshillimin dhe dëshirën e madhe për tu adhuruar vetëm Allahu dhe për tu sjellë dobi robërve të Tij.
18– Fjalët që përmend Allahu në rastin e Nuhut dhe Ibrahimit, Musait, Harunit dhe Iljasit ku thotë: “Paqja qoftë me Nuhun ndërmjet gjithë krijesave!” (Safat: 79) “Paqja qoftë mbi Ibrahimin!” (Safat: 109) Ai i bashkangjit me fjalët: “Ne, kështu i shpërblejmë punëdrejtët.” (Safat: 80)
Allahu i Lartësuar premtoi se do ta shpërblejë çdo punëmirë me përmendje dhe emër të mirë tek njerëzit dhe lutje nga ana e tyre, në varësi të vlerave që ai mban. Ky është shpërblim i shpejtë ndërsa shpërblimi i botës tjetër vjen si përgëzim në jetën e kësaj bote dhe shenjë e lumturisë së vërtetë.