Ebu Davud është ofiqi me të cilin është i njohur, kurse emri i vërtetë i tij është Sulejman Ibn Esh’ath Ibn Is’hak Ibn Beshir Ibn Sheddad Ibn Amr El-Ezdi Es-Sexhistani. U lind më vitin 202 h në një krahinë të quajtur Sexhistan, e cila i ndanë shtetet e Indisë me të Horasanit (Afganistani i sotëm). Një mendim tjetër thotë se ka lindur në Sexhistan, fshat i rrethinës së Basrës, por, mendimi i pari është më i vërtetë. Rrjedh nga një familje intelektuale, që ishte e ngritur lartë me një vetëdije fetare. Qysh në moshën rinore mori rrugën e kërkimit të diturisë nëpër metropolet e asaj kohe, si në Irak, Sham, Gadishullin Arabik, Egjipt, Horasan, dhe shumë vende të tjera, i cili zuri dituri dhe ka shkruar nga shumë dijetarë të atyre vendeve.
Udhëtimet e shumta të Ebu Davudit nëpër qendra të ndryshme të asaj kohe ishin shumë të frytshme, sepse pati rastin të takohet me dijetarë të mëdhenj të atyre vendeve dhe të mësojë nga ata shumë dituri. Pranoi hadithe nga Ahmed Ibn Hanbeli, Abdullah Ibn Mesleme, Ebu Amiri si dhe nga shumë e shumë dijetarë të famshëm të asaj kohe. Prej tij që mësuan ndër më të njohurit janë: Ebu Isa Et-Tirmidhiu, Ebu Abdurrahman En-Nesai, biri i Ebu Davudit, Ebu Bekr, Ebu Avane, Ebu Seid El-A’rabi, etj. Ebu Davudi ishte i sinqertë, modest dhe kishte moral të lartë, kishte memorie të zhvilluar dhe ishte njohës i denjë i argumenteve fetare, prandaj dijetarët islam duke e lavdëruar atë kanë thënë fjalë shumë të bukura.
Pra, njihet si një ndër studiuesit më të famshëm të hadithit dhe njohës shumë i mirë i gjërave që kanë të bëjnë me hadithet. Dijetarët kanë theksuar se pas Buhariut, Ebu Davudi ka kuptuar më së miri synimet e haditheve. Ibrahim El-Harbiu duke e lavdëruar Ebu Davudin ka thënë: “Ebu Davudit i është lehtësuar studimi i hadithit sikur Davudit (alejhi selam) që i ishte lehtësuar përdorimi i hekurit”. Muhammed Jasin El-Herravi ka thënë: “Ebu Davudi ka qenë një nga hafidhët e hadithit në kohën e tij”. Kurse Musa Ibn Haruni thoshte: “Ebu Davudi në këtë botë është krijuar për hadithin, kurse në botën tjetër për Xhennetin”.
Vdiq më 16 Shewal të vitit 275 h. në moshën 73 vjeçare dhe u varros përbri varrit të Sufjan Eth-Theuri në Basra, qytet në të cilin jetoi sa ishte gjallë. Ebu Davudi kishte një jetë të bujshme shkencore, pothuajse tërë jetën ia kishte kushtuar hadithit dhe studimit të tij. Pas vdekjes kontributin që dha sa ishte gjallë la gjurmë të pashlyeshme në histori, la një kapital shumë të çmueshëm fetar, pra vepra shumë me peshë. Krahas shumë punimeve shkencore vepra e tij më e njohur është Suneni.