Përkufizimi i termit “el hadith” dhe “es-sun-netu”
El hadith – nga ana gjuhësore do të thotë “i ri”, pra e kundërta e fjalës el kadim i vjetër. El hadith, pra, është çdo gjë e re.
El hadith – në terminologjinë e njohurisë së hadithit është: “Çdo gjë që i atribuohet Profetit (alejhi selam), qofshin ato fjalë, vepra, miratime (të fjalëve, veprave dhe gjëndjes së të tjerëve), apo cilësi e përshkrime të anës së tij fizike dhe morale. [1] Le të japim nga një shembull për secilin lloj :
- Hadith konsiderohet fjala e Profetit (alejhi selam) të cilën ai e ka thënë në raste të ndryshme dhe që ka lidhje me dispozitat e sheriatit apo me çdo drejtim tjetër. Ka thënë Profetit (alejhi selam) për ujin e detit: “Është i pastër uji i tij, të lejuara të ngordhurat e (dala prej) tij.” [2] Ka thënë gjithashtu në lidhje me marrdhëniet tregëtare: “Dy kontratuesit janë të lirë të zgjedhin përsa kohë nuk kanë përfunduar marveshjen.” [3]
- Hadith konsiderohet çdo vepër e Profetit (alejhi selam) të cilën e kanë transmetuar sahabet e cila ka lidhje me çështjet e shumta të adhurimeve si abdesi, falja e namazeve, veprat e haxhit, agjërimi dhe edukata e tij, etj.
- Hadith konsiderohet edhe miratimi nga ana e Profetit (alejhi selam) i fjalëve, veprave dhe gjëndjes së të tjerëve. P.sh Profeti (alejhi selam) heshti kur para tij njerëzit po hanin mishin e dab-bit (një lloj hardhuce shkretëtire). Gjithashtu mund të përmendim edhe miratimin e tij për gjykimet e ndryshme të sahabeve lidhur me faljen e namazit të ikindisë në viset e fisit Beni Kurejdhah. Disa prej tyre u falën rrugës për të mos dalë koha e namazit ndërsa disa të tjerë e vonuan namazin derisa mbëritën në destinacion. Për të dyja palët urdhri ishte i njëjtë: Askush të mos e falë namazin e ikindisë veçse në tokën e fisit Beni Kurejdhah!” por Profetit (alejhi selam) nuk qortoi asnjë prej palëve.
- Hadith konsiderohet edhe ato cilësi e përshkrime të anës së tij fizike dhe morale, të transmetuara me përpikmëri nga sahabët.
Sikurse është transmetuar prej tyre: “Ai kishte një bukuri të spikatur. Kishte një fytyrë gjithë dritë, një fizik të mirë, të rregullt. Nuk ishtë ndonjë barkmadh i shëmtuar dhe as kokëvogël i shpifur. Ishte i këndshëm, i hijshëm. Në sytë e tij kishte një kontrast të thellë (mes të zezës dhe të bardhës së syrit). Qerpikët i kishte dukshëm të gjatë. Zërin e kishte të kumbueshëm e të qartë dhe qafën të gjatë. Ishte i bardhë me qerpikë të zinj.
Vetullat i kishte me hark, të zgjatura, të holla në fund dhe të bashkuara mes tyre. Flokët i kishte shumë të zinj. Kur heshtte, e mbulonte qetësia dhe urtësia e kur fliste, e mbulonte shkëlqimi. Kur e shihje për së largu, ishte njeriu më i bukur dhe më i hijshëm e kur e shihje nga afër, ishte më i këndshmi dhe më i ëmbli. Kishte një të folur të butë dhe ishte i prerë. Nuk ishte as i heshtur dhe as teprues në fjalë. Fjalët e tij i shëmbëllenin smeraldeve të bukura që bien njëra pas tjetrës, kur këputet filli i gjerdanit.
Ishte mesatar, as i shkurtër, që të largosh sytë prej tij, e as i gjatë që të tërheq vëmendjen. Ai qëndronte mes shokëve si qëndron një degë mes dy të tjerave. Ai ishte më vezulluesi prej tyre në pamje dhe më i miri në vlerat e pozitën që kishte. Kishte shokë që e mbanin gjithmonë në mes. Kur fliste, ia dëgjonin fjalët dhe kur urdhëronte për diçka, nxitonin dhe garonin se kush do ta çonte në vend urdhrin e tij. Atij i shërbehej dhe rreth tij mblidheshin. Nuk ishte i vrenjtur dhe as fjalëkot a i padobishëm.”
Ndërsa përshkrimet e sjella rreth moralit të tij janë të shumta, si para shpalljes së tij si lajmëtar i Zotit ashtu edhe pas saj. P.sh adhurimi i tij i shumtë në shpellën Hira, edukata dhe besnikëria e tij e spikatur, virtytet e pakrahasueshme. Veprat e tij ishin shumë të lëvdueshme dhe të pastra sa që vetë i Lartësuari thotë për të: “Pa dyshim, ti je në një grade të lartë të moralit.” Kur e pyetën Aishen rreth moralit të Profetit (alejhi selam), ajo tha: “Morali i tij ishte Kur’ani.” [4]
Es-sun-netu – nga ana gjuhësore do të thotë “rrugë” ose “traditë”, e mirë apo e keqe qoftë ajo. Thotë Profeti (alejhi selam) : “Kush sjell në islam ndonjë sun-net (rrugë, traditë) të mirë, atij i takon shpërblimi i saj dhe i çdokujt që punon me të deri në Ditën e Gjykimit, pa iu cënuar aspak prej shpërblimit të tyre. Kush sjell në islam ndonjë sun-net (rrugë, traditë) të keq, atij i takon ndëshkimi i saj dhe i çdokujt që punon me të deri në Ditën e Gjykimit.” [5]
Es-sun-netu – në terminologjinë e njohurisë së hadithit është: “Sinonimi i hadithit”. Disa dijetarë të hadithit kanë përmendur ndryshime mes këtyre termave. Sipas disave, hadith quhet ajo që transmetohet nga Profeti (alejhi selam), ndërsa sun-netun quhet tradita e përhapur ndër njerëzit e brezit të parë të këtij um-meti, brezit të sahabëve. Për këtë arsye gjejmë hadithe që janë në kundërshtim me ndonjë punë a traditë të përhapur ndër njerëz.
Ka qenë pikërisht ky këndvështrim rreth këtyre dy termave që, kur Imam Abdurrahman ibn Mehdi u pyet për opinionin e tij rreth Imam Sufjan eth-Theuriut, El Euzaiut dhe Malikut, tha: “Sufjan eth-Theuriu është imam në njohurinë e hadithit por nuk është imam në njohurinë e sun-netit. El Euzaiu është imam në njohurinë sun-netit por nuk është imam në njohurinë e hadithit. Ndërsa Maliku është imam në të dyja njohuritë (të hadithit dhe të sun-netit). [6]
Kështu evoloi përdorimi i termit “hadith” pasi që fillimisht përdorej për Kur’anin.
Thotë i Lartësuari: Fel je’tu bi hadithim-mithlih – Le të sjellin një hadith (fjalë) të ngjashëm me të (Kur’anin). (Et-tur : 34)
Thotë i Lartësuari: Allahu enzele ahsenel hadithi – Kitabem-muteshabiha – Allahu shpalli më të mirin hadith (fjalë, Kur’anin)
Thotë i Lartësuari: Libër që përsëritet (në mirësitë dhe ligjet që sjell). (Ez-zumer : 23)
Më pas ai filloi të përdoret edhe për fjalë të tjera përveç Kur’anit, sikurse kuptohet qartë në hadithin që e transmeton Buhariu ku thuhet: “Ebu Hurejra e pyeti Profetin (alejhi selam) dhe tha: “O i Dërguari i Allahut! Kush është njeriu më fatlum që më së shumti do të përfitojë nga shefati (ndërmjetësimi) yt në Ditën e Gjykimit?” Profeti (alejhi selam) i tha: ”E mendova që askush para teje nuk do të më pyeste për këtë hadith (fjalë, lajm) o Ebu Hurejra, për shkak të interesimit tënd të madh për hadithin (lajmet, fjalët e mia).” [7]
[1] Shih librin “kavaidu et-tahdith” fq. 61
[2] E transmeton Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe ibn Maxheh
[3] E transmeton Buhariu dhe Muslimi
[4] E transmeton El Hakimu
[5] E transmeton Muslimi
[6] Shih “Sherh Ez-zerkani ala el Muet-ta” vëllimi 1/3
[7] E transmeton Buhariu