Shejkh Uthejmini (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Syefaqësia ndahet në dy pjesë përsa i përket prishjes së një adhurimi:
E para: që ajo të jetë në thelb të adhurimit, pra e fillon adhurimin me qëllim syefaqësie. Kjo punë është e prishur, e refuzuar. Allahu i Lartësuar thotë: “Unë jam më i Panevojshmi i ortakëve, kush bën një punë duke më shoqëruar në të ortak, do ta lë atë dhe shirkun e tij.” (Hadith kudsij, e transmeton Muslimi).
E dyta: që syefaqësia të jetë aksidentale në adhurim, d.m.th: që thelbi i adhurimit të jetë për Allahun, por në të hyn syefaqësia. Kjo ndahet në dy pjesë:
- ta largojë – Kjo nuk i bën dëm. Shembull: Dikush fali një rekat, pastaj gjatë rekatit të dytë erdhën disa njerëz, ndjen diçka në zemër duke e shtyrë ta zgjasë rukunë, sexhden, apo duke u shtirë për të qarë, apo të ngjashme si këto. Nëse i largon këto ndjesira nuk i bëjnë dëm, sepse i ka luftuar.
- të vazhdojë me këto ndjesira – Çdo punë që lind nga syefaqësia është e kotë, siç është zgjatja e qëndrimit në këmbë në namaz, në ruku, sexhde apo shtirja për të qarë. Por kjo prishje e punës, a e shoqëron gjithë adhurimin apo jo? Kjo ka dy raste:
Rasti i parë: që fundi i adhurimit të jetë i ndërtuar mbi fillimin e tij, duke mos qenë i saktë fillimi i adhurimit nëse prishet fundi i tij. Në këtë rast prishet i gjithë adhurimi. Shembull: Namazi, i cili nuk mund të prishet fundi i tij e të mos prishet fillimi i tij. Në këtë rast prishet i gjithë namazi nëse gjatë tij hyn syefaqësia dhe nuk e largon.
Rasti i dytë: që fillimi dhe fundi i adhurimit nuk kanë lidhje me njëri–tjetrin, duke qenë i saktë fillimi, por jo fundi. Pjesa para syefaqësisë është e saktë e ajo pas saj është e prishur. Shembull: dikush ka 100$, dha sadaka 50$ me nijet (qëllim) të pastër, më pas dha sadaka 50$ me nijet syefaqësie. E para pranohet, e dyta refuzohet, sepse fundi nuk ka lidhje me fillimin”.
Burimi: Fjala e dobishme, shpjegimi i Librit të Teuhidit (1/117–119).