Në dy Sahih-ët është hadithi i El Muteuekkilit, i cili përcjell prej Ebu Seid El Hudriut, që thotë: – Një burrë erdhi te Pejgamberi (alejhi selam) dhe i tha: – Vëllai im ankohet prej barkut. – Sipas një transmetimi tjetër, ai i tha: – Vëllai im ankohet se e ka zënë barku (diarreja). – Pejgamberi (alejhi selam) i tha: “Jepi të pijë mjaltë!” – Ai shkoi, pastaj, kur u kthye, i tha: – Ai nuk i bëri dobi. – Ndërsa sipas një transmetimi tjetër, i tha: – Ai veçse ia shtoi më tepër heqjen e barkut. – Këtë e përsëriti dy a tri herë. Pejgamberi (alejhi selam), sa herë që ai kthehej, i thoshte: “Jepi të pijë mjaltë!” – Kur ai u kthye herën e tretë apo të katërt, Pejgamberi (alejhi selam) i tha: “Allahu i Lartësuar tha të vërtetën, ndërsa barku i vëllait tënd gënjen.” [1] Në një transmetim të sjellë nga Muslimi citohet se ai i tha Profetit (alejhi selam): “Ai ka çrregullim të barkut”, pra: ka çrregullim në tretjen e ushqimit, ose e ka stomakun të sëmurë.
Në atë rast, më konkretisht, shkak i sëmundjes dhe i dhembjeve të barkut ishte ngrënia e tepruar e ushqimit. I Dërguari i Allahut (alejhi selam) i tha se personi duhet t’i jepte vëllait për të pirë mjaltë të tretur, sepse ai ndihmon zorrët që të hapen dhe lehtëson jashtëqitjen. Prej ushqimit të tepërt, muret e stomakut, të cilat janë si peshqir, vishen me substanca të dëmshme, duke ndotur kështu edhe ushqimin, edhe vetë stomakun. Për këtë arsye, duhet të përdorim “pastruesin” natyror ose laksativin, siç është mjalti, më i miri ndër ilaçet e tjera, sidomos kur përzihet me ujë të nxehtë.
Përsëritja e urdhrit nga ana e Profetit (alejhi selam) u bë për një qëllim të mirë. Ilaç i vërtetë është ai që, përveç cilësisë, ka edhe dozën e përcaktuar mirë, për të qenë sa më efikas. Në të kundërt, ilaçi nuk e kuron sëmundjen. Kur është në sasi më të madhe sesa duhet, ai e dobëson trupin dhe jep efekte anësore të padëshiruara. Kur Pejgamberi (alejhi selam) e urdhëroi për herë të parë, i vëllai nuk i dha të sëmurit sasinë e mjaftueshme për shërim.
Kur personi i tha se i vëllai nuk ishte shëruar, Pejgamberi (alejhi selam) e kuptoi se ai nuk kishte marrë sasinë e nevojshme të ilaçit. Për këtë arsye, i tha disa herë rresht që ai t’i jepte mjaltë të vëllait, derisa doza të arrinte masën e duhur. Kur i sëmuri merr disa doza me mjaltë, me sasinë e nevojshme për të luftuar sëmundjen, ai do të shërohet, me lejen e Allahut. Përcaktimi i ilaçit të duhur me dozën e saktë është çelësi i shkencës së mjekësisë.
Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Allahu ka thënë të vërtetën, ndërsa barku i vëllait tënd gënjen!” Ky është tregues i garancisë së efektit që jep mjalti. Hadithi tregon gjithashtu se sëmundja nuk u shërua, jo sepse mjalti nuk ndikoi, por sepse stomaku përmbante mjaft substancë të prishur. Pejgamberi (alejhi selam) porositi që i sëmuri të hante më tepër mjaltë, pasi substanca e prishur në barkun e tij ishte me sasi të madhe.
Mjekësia e të Dërguarit të Allahut (alejhi selam) nuk është si ajo e njerëzve të tjerë. Ajo është kura efikase që erdhi nga Shpallja hyjnore (vahj) dhe nga udhëzimi i tij (alejhi selam), e pashkëputur nga mendja dhe gjykimi i përsosur. Ndërsa shumica e diagnozave mjekësore të tjera bazohen në hipoteza, vëzhgime dhe eksperimente.
Është fakt se shumë njerëz nuk përfitojnë nga mjekësia profetike, pasi ajo ndihmon vetëm ata që e njohin atë dhe që besojnë në të. Kush e beson atë, më pas edhe i nënshtrohet asaj. Nëse Kur’ani, i cili është shërim për çdo gjë që zemra fsheh, nuk njihet dhe besohet, ai nuk bëhet kurrsesi shërim për zemrën. E vërteta është që Kur’ani ua shton edhe më tepër të keqen dhe sëmundjet zemrave të hipokritëve.
Mjekësia e Pejgamberit (alejhi selam) është e dobishme për trupat (njerëzit) e mirë dhe të pastër, ashtu si Kur’ani është i dobishëm vetëm për shpirtrat e udhëzuar dhe zemrat e gjalla. Për këtë arsye, kur njerëzit shpërfillin dhe nënvleftësojnë mjekësinë e Pejgamberit (alejhi selam), është njëlloj si të shpërfillin dhe nënvleftësojnë ndihmën dhe udhëzimin e Kur’anit, i cili është ilaçi më i mirë. Thënë ndryshe, kur kjo mjekësi nuk jep rezultat, shkaku është natyra e keqe e trupit dhe e shpirtit, të cilët nuk janë të përshtatshëm për të përfituar dhe për të pranuar veprimin e ilaçit, dhe jo ndonjë mangësi e ilaçit. Pa dyshim, është Allahu ai që dhuron suksesin. Ai është Zoti i Gjithëdijshëm!
Allahu i Gjithëfuqishëm thotë në Kur’an: “Nga barqet e tyre (të bletëve) del pije me ngjyra të ndryshme. Në të ka shërim për njerëz. Edhe në këtë ka arsye për atë popull që mendon thellë.” (Nahl : 69) Për këtë ajet ka patur shpjegime të ndryshme. Cilit i referohet fjalia “Në të ka shërim për njerëz…”? Kur’anit apo pijes që del nga bletët, pra mjaltit? Dy janë mendimet e dijetarëve për këtë çështje dhe mendimi më i saktë tregon se këtu është fjala për mjaltin. Ky ka qenë mendimi i Ibn Mesudit, Ibn Abassit, Hasanit, Katades dhe shumicës së dijetarëve. Arsyeja është që ajeti, në tërësi, flet për mjaltin dhe jo për Kur’anin. Po kështu edhe hadithi i saktë i lartpërmendur tregon qartë se mjalti është ilaç. Allahu i Lartësuar është më i ditur për gjithçka.
[1] Helmarina (emri shkencor: Hyoscyamus niger) – bimë barishtore shumëvjeçare, e helmët, me lule në ngjyrë të kuqe të errët në vjollcë, me kokrra si ato të kullumbrisë, që përdoren në mjekësi (shën. i përkth.).