Kurimi i sëmundjeve fizike është dy llojesh:
- Njëri lloj është kurimi instiktiv, me të cilin Allahu i Lartësuar ka pajisur çdo krijesë. Nuk ka nevojë për mjek që të kurosh të tilla ‘sëmundje’ (nevoja) si: uria, etja, i ftohti dhe lodhja, të cilat kalohen thjesht duke marrë të kundërtat e tyre.
- Lloji i dytë është kurimi që ka nevojë për analizë dhe diagnostikim. Ai shërben për luftimin dhe qëndresën ndaj sëmundjes, si edhe për ekuilibrimin e gjendjes (temperamentit) së të sëmurit, të cilët rrjedhojnë nga temperatura, nxehtësia, ftohtësia e thatësia ose nga gërshetimi i tyre me njëra-tjetrën.
Sëmundjet e tipit të dytë ndahen në dy grupe: ato që janë pasojë e shkaqeve fizike dhe ato që lidhen me temperamentin. Këto sëmundje pra, vijnë prej shkaqeve fizike ose prej ndryshimeve që prekin sjelljen dhe karakteristikat themelore të trupit. Dallimi mes dy llojeve është se sëmundjet e temperamentit shfaqen pasi janë asgjësuar shkaqet fizike dhe në trup mbeten pasojat e tyre, të cilat ndryshojnë më pas temperamentin. Për sa u përket sëmundjeve me shkaktarë fizikë (prejlëndorë), ato kanë në vete edhe faktorët e tyre. Pra, në këto raste, fillimisht duhet vështruar me kujdes shkakun, më pas të studiohet sëmundja, e pastaj përcaktohet kura e nevojshme.
Po ashtu, për zbrapsjen dhe largimin e sëmundjeve që prekin disa organe apo që sjellin ndryshime e shformime në organe të tjera, qoftë në formë, hapësirë, ashpërsi, butësi, numër, eshtra etj., lypset një analizë dhe studim i thellë. Kur organet e trupit funksionojnë siç duhet, thuhet se janë “të lidhura me njëra-tjetrën”; në të kundërt, thuhet se ato e “kanë humbur lidhjen me njëra-tjetrën”. Sëmundje që prekin dhe tjetërsojnë organet janë sëmundjet më të përgjithshme që prekin trupin.
Siç e thamë, të njëjtat sëmundje ndikojnë negativisht në sjelljen trupore apo në temperament. Ndryshimet që shoqërojnë të tilla sëmundje paraqiten në tetë forma, katër nga të cilat janë të thjeshta dhe katër të përbëra. Të thjeshtat janë: ftohtësia, nxehtësia, lagështia dhe thatësia. Të përbërat janë: nxehtësi dhe lagështi, nxehtësi dhe thatësi, ftohtësi dhe lagështi ose ftohtësi dhe thatësi. Këto sëmundje, edhe një herë, vijnë prej shkaqeve fizike ose prej ndryshimeve që prekin gjendjen dhe karakteristikat themelore të trupit.
Trupi i njeriut ndodhet në njërën nga këto tri gjendje: gjendja normale, gjendja jonormale dhe gjendja e ndërmjetme. Kur gjendja është normale, trupi është i shëndetshëm. Gjendja e dytë është vetë sëmundja, kurse e treta është gjendje mesatare, e cila qëndron ndërmjet dy gjendjeve të tjera. Dihet se për të kaluar nga një skaj në një tjetër të kundërt, duhet një fazë e ndërmjetme. Trupi kalon në gjendje jonormale, për shkaqe të brendshme, sepse ai është i përbërë nga nxehtësia, ftohtësia, thatësia dhe lagështia. Por ai kalon në gjendje jonormale edhe për shkaqe të jashtme, të cilat mund ta gjejnë trupin delikat e të dobët dhe ta dëmtojnë atë.
Çrregullimet në trup mund të vijnë nga temperamenti i keq, i cili nuk është ekuilibruar, nga sëmundja që prek ndonjë organ, si dhe nga dobësia e përgjithshme e trupit, madje edhe e shpirtit, i cili bart mjaft energji e forcë. Sëmundja mund të shkaktohet nga shtimi i diçkaje, e cila nuk duhet të shtohet, ose nga pakësimi i diçkaje, e cila nuk duhet të pakësohet. Shkak, gjithashtu, mund të jetë shkëputja e diçkaje, e cila duhet të jetë e lidhur, ose nga bashkimi i diçkaje, e cila nuk duhet të jetë e bashkuar. Sëmundja vjen edhe prej zmadhimit të diçkaje, e cila nuk duhet të zmadhohet, ose prej ndryshimit të vendit a formës së disa organeve të trupit.
Mjeku është ai që e dallon se çfarë e pengon lidhjen e organeve dhe çfarë duhet që ato të jenë të lidhura. Ai dallon se çfarë gjëje e dëmton shëndetin kur ajo shtohet dhe çfarë kur ajo pakësohet. Mjeku përpiqet të japë ato gjëra që sjellin shëndetin e mirë, ato që ruajnë shëndetin e mirë dhe ndihmon që të zbrapsë sëmundjen nëpërmjet të kundërtit të saj ose duke rekomanduar një dietë të përshtatshme. Të gjitha këto parime përputhen me traditën dhe udhëzimet profetike, me lejen, ndihmën dhe suksesin e Allahut të Lartësuar!